Zgjedhjet Lokale 2025

Lëvizja Fol: Përfaqësimi i grave në kronikat dhe debatet zgjedhore mbetet shumë i ulët

Lëvizja FOL ka publikuar sot raportin preliminar të monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale 2025, i cili përfshin një analizë të detajuar të mediave tradicionale, me synim vlerësimin e transparencës, paanshmërisë dhe qasjes së barabartë në mbulimin e fushatës zgjedhore.
Gjatë monitorimit janë analizuar kronikat zgjedhore dhe debatet televizive me qëllim matjen e hapësirës së ofruar për kandidatët dhe subjektet politike, si dhe nivelin e pjesëmarrjes dhe gjithëpërfshirjes së tyre në fushatën mediatike. Është matur minutazhi i dedikuar për secilin subjekt dhe kandidat, si dhe përqindja e hapësirës që u është kushtuar grave kandidate në krahasim me burrat.
Raporti thekson se temat kryesore të trajtuara në media gjatë fushatës lidhen kryesisht me çështje infrastrukturore dhe menaxhim lokal, ndërsa temat e transparencës, barazisë gjinore dhe përfshirjes qytetare kanë marrë shumë pak vëmendje.
Përfaqësimi i grave në kronikat dhe debatet zgjedhore mbetet shumë i ulët, me vetëm  10% të hapësirës televizive të dedikuar për kandidate gra për kryetare komunash.
Në kuadër të prezantimit të raportit u mbajt edhe një panel interaktiv me panelistët dhe audiencën, ku të ftuar ishin:
Naile Dema, nënkryetare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, e cila theksoi nevojën për bashkërendim më të madh ndërmjet shoqërisë civile dhe mediave për të avancuar përfaqësimin e grave në diskutimin publik, veçanërisht në debate televizive.
Ajo shtoi se, derisa partitë politike nuk kanë treguar ende gatishmëri për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë gjinor, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të luajnë një rol më aktiv për ta adresuar këtë pabarazi dhe për të ndikuar në ndryshimin e kulturës së raportimit publik.
Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor në Telegrafi, komentoi mbi përqindjen e ulët të pjesëmarrjes së grave në debate, duke theksuar se kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si partitë politike zgjedhin përfaqësuesit e tyre për debatet televizive.
Ai theksoi se partitë duhet ta ndryshojnë qasjen e tyre, duke u bërë më të hapura dhe duke siguruar që përfaqësimi gjinor të jetë i dukshëm, sidomos kur diskutohen temat e rëndësishme për vendin.
Sipas tij, vetëm përmes një përfshirjeje të qëndrueshme të grave në hapësirat publike mund të garantohet një debat politik më gjithëpërfshirës dhe përfaqësues.
Po ashtu, nga pjesëmarrësit u theksua rëndësia e funksionalizimit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), si një mekanizëm i domosdoshëm për rregullimin e hapësirës mediatike dhe garantimin e transparencës dhe llogaridhënies së mediave gjatë fushatave zgjedhore.
Lëvizja FOL do ta publikojë raportin final të monitorimit pas përfundimit të procesit zgjedhor, përkatësisht pas raundit të balotazhit, ku do të prezantohen të dhënat përfundimtare.

You Might Also Like