Llapi dhe Drita janë përballur në ndeshjen e fundit të xhiros së tretë në kuadër të Superligës së Kosovës, në ndeshjen që është zhvilluar në Stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Pas një ndeshje të baraspeshuar në pjesëlojën e parë e me raste të mira shënimi nga të dy anët, pjesëloja e parë është mbyllur pa gola 0:0.
Në pjesëlojën e dytë, Llapi u tregua më konkret dhe ia ka dalë që të shënojë në minutën 61, nëpërmjet futbollistit Kushtrim Shabani. Pak më vonë, Llapi ka shënuar edhe një herë nëpërmjet Muhamed Useinit, por pas rishikimit të gjatë në sistemin VAR goli është anuluar.
Pas një aksioni të organizuar mirë, në minutën 80, Veton Tusha shpërtheu nga e djathta, harkoi tërësisht në anën tjetër ku ishte zëvendësuesi Kristal Abazaj, i cili me një gjuajtje të fortë në mes të portës e futi topin në rrjetë për rezultatin 1:1.
Drita pati rast ideal për të dalë në epërsi, pasi që Veton Tusha kaloi tërë mbrojtjen e Llapit e gjuajtja e tij u bllokua, por topi shkoi te Manaj, i cili i vetmuar para portës, nga një afërsi ideale e huqi portën. /kryelajmi.com/.