Shkruan: Mr. Aliriza SELMANI
Mbi 70 vjet më parë ndodhi tragjedia, njëra ndër më të mëdhatë në historinë e popullit shqiptar të Rajonit të Anamoravës. Kjo tragjedi e filluar më parë, pas Luftës së Gjilanit, më 23 dhjetor 1944, mori përmasa të gjenocidit ndaj popullsisë së pafajshme dhe të pambrojtur shqiptarë të kësaj treve dhe do të zgjasë edhe në fillim të vitit 1945. Ky gjenocid lindi nga kreu ushtarak e politik i UNÇJ-së, për këtë dëshmojnë urdhrat drejtuar njësive ushtarake në terren, që kishin për qëllim ta shtonin urrejtjen antishqiptare, duke i shpallur shqiptarët si “armiq të popullit”, për të qenë sa më të pamëshirshëm ndaj tyre. Kjo mund të shihet edhe në informatën e Shtabit të Divizionit 46 serb, dërguar Korparmatës III-të UNÇJ-së, më 17 nëntor 1944, ku thuhet: “Të gjithë meshkujt shqiptarë të sektorit të Gjilanit dhe të Prishtinës ishin mobilizuar në repartet e armikut dhe kishin marrë pjesë aktive në luftë kundër nesh së bashku me gjermanët”
Më 16 nëntor të vitit 1944, në Gjilan së pari hynë njësitë partizane bullgare të ardhura nga Bujanoci, ku pas marrëveshjes me disa nga krerët e rezistencës shqiptare të Kosovës Lindore, iu kishte lejuar që të vazhdonin ndjekjen e forcave fashiste gjermane, në drejtim të Gjilanit dhe të Prishtinës, me kusht që të mos pësonte popullsia e qytetit dhe rrethinës. oficerët bullgarë duke patur parasysh synimet serbe ndaj shqiptarëve, kishin deklaruar: “Duhet ta dini se pas tërheqjes së njësive tona nga Gjilani, keni për të pësuar keq nga serbët (deklaratë e Zonjës Melihate Orana-Maksuti, atëbotë vajzë 13 vjeqare, në shtëpinë e së cilës ishte i vendosur shtabi i njësive ushtarke bullgare). Pas forcave bullgare në Gjilan hynë forcat serbe, Brigada 25 e Divizionit 46 serb dhe Brigada III e Kosovës, të cilat sapo hynë në qytet filluan plaçkitjet e shtëpive dhe vrasjet e shqiptarëve të pafajshëm.
Krimet ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Gjilan e rrethinë, gjatë fundit të vitit 1944 dhe fillimit të vitit 1945, mund të ndahen në dy faza, faza e parë që kishte filluar edhe më parë, mori hov me hyrjen e forcave partizane serbo-çetnike në Gjilan më 16 nëntor 1944, dhe konsolidimit të pushtetit ushtarak e politik sllavo-komunist për viset e Anamoravës me sekretar të Komitetit të Rrethit Vlada Popoviq, u formua komanda ushtarake e vendit në krye me Sima Miliniqin, sekretar Halil Fejzullahun dhe kryeshefin e OZN-ës Lubomir Shotra. Nga kjo kohë, në emër të “nacionalçlirimtares”, dhe të luftës kundër bashkëpunëtorëve të okupatorit, filluan plaçkitjet, arrestimet, torturimet dhe likuidimet e shumë shqiptarëve të pafajshëm, pa kurrfarë procedure, si nga OZN-a, po ashtu edhe nga grupet paramilitare proçetnike serbe, dhe nga njësitë partizane. Në këtë kohë, likuidimet bëheshin në emër të “pushtetit popullor” dhe luftës klasore, për këtë kishin pëlqimin edhe të disa bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, komunistë e të tjerë.
Me vendosjen e pushtetit okupues, shumë nga shqiptarët që më parë ishin me forcat nacionaliste, duke mos e ndier veten fajtorë dhe duke u besuar premtimeve të marrëveshjes, u dorëzuan, por pësuan keq. Kështu ndodhi edhe me parinë e qytetit dhe rrethinës, intelektualë e patriotë, njerëz me autoritet që shquheshin për aktivitetin e tyre politik, njerëz të administratës etj., të cilët, nisur nga fakti se nuk kishin bërë krime apo keqpërdorime të tjera, shumë prej tyre u pushkatuan pa gjyq. E tërë kjo bëhej me një taktikë për ta paralizuar aktivitetin shqiptar, duke e lënë popullin pa pushtet dhe pa njerëzit e tyre me autoritet.
Gjatë kësaj kohe në qytetin e Gjilanit do të merren për t’u likuiduar këta njerëz të zgjedhur, ja disa nga emrat e tyre në vijim, së pari u burgos dhe, si “armik i popullit”, u ekzekutua më 17 nëntor, Kryetari i Bashkisë së Gjilanit, Mustafa Natiku, i ardhur nga Shqipëria. Po atë ditë u burgos në mbrëmje dhe u likuidua Isak Gashi-Brestoci- Sekretar Bashkie, i cili pas hyrjes së forcave partizane në Gjilan, gjatë mitingut në qendër të qytetit, reagon në shkuljen dhe përdhosjen e flamurit shqiptar nga ana e serbëve të Gjilanit. Në të njëjtën kohë u likuidua edhe intelektuali dhe poligloti Syleman Ashkiu, korrespodent i disa gazetave. Po ato ditë pushkatohet publikisht Xhemë Tupalla, dhe pas pak u likuiduan, Haqif Tetova patriot dhe nacionalist, i cili gjatë luftës kishte kontribuar në themelimin e administratës në Gjilan, Ibrahim Orana, anëtar i Komitetit të Rrethit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe anëtar i Shtabit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës Lindore, Mulla Mehmet Behluli, hoxhë me autoritet, aktivist në mobilizimin e të rinjve në mbrojtje të kufirit të Kosovës Lindore, Esat Berisha, avokat, anëtar i KQ të LD të Prizrenit dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare në Tiranë, Faik Okllapi, anëtar i Komitetit të Rrethit të Lidhjes ë Dytë të Prizrenit në Gjilan, Mulla Ymer Berisha, aktivist, i ati i Esat Berishës, Toger Alush Hasan Rexhepi, Sabit ef. Maksuti e shumë të tjerë. Vrasjet bëheshin pa kurrfarë procedure dhe ekzekutimi kryhej në fshehtësi gjatë natës në vendet e caktuara, në periferi të qytetit, dhe zakonisht nga ora 24-02.
Gjatë fazës së parë, likuidimet e shqiptarëve të pafajshëm dhe të pa armatosur, ishin më të mëdha në fshatrat e Karadakut malor, ku vrasjet në shenjë hakmarrje, për shkak të pësimeve në luftë me shqiptarët në vijën e frontit, kishin filluar që nga shtatori i vitit 1944 dhe vazhduan deri në pranverë të vitit 1945, kur ky territor u pacifizua me zjarr dhe hekur. Pas marrjes së Gjilanit dhe viseve të rrafshëta të kësaj ane, duke pasur të dhëna për koncentrimin e një pjese të forcave të rezistencës shqiptare në viset e Karadakut, njësitë e UNÇJ-së, në emër të spastrimit të terrenit nga forcat “reaksionare”, ndërmorën një ofensivë nga Gjilani e Presheva drejt fshatrave të Karadakut. Ndërkohë forcat e rezistencës shqiptare pas disa konflikteve e sidomos pas luftës në fshatin Muçaj (Myçybabë), më 30 nëntor 1944, në krye me Ymer Myçybabën, qenë të detyruara të tërhiqen në drejtim të Kopilaçës. Pas tërheqjes së tyre, njësitë e UNÇJ-së- Brigada XVI maqedone, e njohur për dhunë dhe terror antishqiptar, e ndihmuar nga njësi të Brigadës XVII serbe, gjatë depërtimit në këto anë, pasi plaçkitën bagëtinë, drithin e gjërave të tjera, shumë shtëpive ia vunë zjarrin. Përpara flakës dhe frikës së pushkatimit, njerëzit iknin nga shtëpitë për t’u fshehur nëpër male, por ndiqeshin dhe kudo që ziheshin vriteshin pamëshirshëm, e veçanërisht të rinjtë, të cilët shpesh mblidheshin në grupe nga disa fshatra dhe pastaj likuidoheshin në forma të ndryshme. Grupi më i madh, prej rreth 100 vetësh të moshës nga 16-75 vjeçare, është likuiduar më 4 dhjetor 1944, gjatë natës, në fshatin Iseuk, në formën më makabre duke i therur e përvëluar në valë. Kështu, në këtë kohë nga fshatrat e kësaj ane likuidime më të mëdha pati në fshatrat: Myçybabë, Kurbali, Ilincë, Sefer, Maxhere, Depcë, Kokaj, Sllubicë, Gruhali e tjera. Me këtë rast mund ta përmendim fshatin Sefer, për të cilin kemi të dhëna më të sigurta, ku nga gjithsej 56 shtëpi, gjatë atyre ditëve u kapën dhe u likuiduan 25 të rinj, pa llogaritur edhe 6 të tjerë që ishin vra gjatë luftës në mbrojtje të kufirit apo në vende tjera. Dhjetëra të tjerë u dërguan në burgje në Vrajë, në Preshevë e në Kumanovë nga ku pjesa më e madhe e tyre kurrë më nuk u kthyen. Pas këtyre vrasjeve, njëri ndër komandantët e njësive maqedone, nga Mateqja e Kumanovës, u kishte deklaruar disa të moshuarve në Karadak, “Na keni vra”, duke aluduar në vrasjet në kufi, “dhe ju kemi vra, kurse tani e tutje, nuk do të vriteni, fajtorët do të dalin para gjyqit”. Mirëpo në fakt nuk kishin më edhe se çka të vritnin, sepse pos pleqve e plakave, grave dhe fëmijëve të tjerë njerëz nuk kishte nëpër shtëpi, të rinjtë që kishin shpëtuar gjendeshin me njësitë e rezistencës në male, të mobilizuar me dhunë në brigadat partizane, apo të inkuadruar në këto njësi sa për të shpëtuar kokën. Duhet shtuar se me likuidimin e shumë të rinjve shqiptarë dhe plaçkitjen e pasurisë së tyre, pati për pasojë shtimin e skamjes dhe mjerimin e këtyre viseve të varfra malore.
Mospajtimi me riokupimin serbosllav të Kosovës dhe masat e ashpra terrori të pushtetit komunist dhe të njësive partizane serbo-malazeze ndaj popullsisë shqiptare, bënë që lëvizja e rezistencës antiokupuese dhe antikomuniste, shqiptare, e udhëhequr nga Shtabi i Zonës IV Mbrojtëse të Kosovës e që vepronte në kuadër të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kishte për obligim të mbrojë zonën Ferizaj-Gjilan-Kaçanik. Në Kuvendin e Tërpezës më 1 dhjetor 1944, u formua Shtabi Suprem i Kosovës dhe u mor vendimi për ta sulmuar Ferizajn dhe Gjilanin për t’i çliruar nga sllavo-komunistët. Në krye të shtabit për sulm në Gjilan ishte caktuar Mulla Idrizi, sekretar Muharrem Fejza i Hogoshtit, anëtarë Sylë Zarbinca dhe Shefki Haliti i Desivojcës.
Meqë një pjesë e forcave shqiptare, për të vazhduar rezistencën e armatosur, ishin strehuar në viset e Gallapit, me kërkesën e Vlada Popoviqit, sekretar i Komitetit të Rrethit dhe Lubo Shotra kryeshefit të OZN-ës në Gjilan, Shtabi i Brigadës XVII, maqedone, të dislokuar në Gjilan, bëri përgatitje për shpartallimin e këtyre forcave. Me të dëgjuar për nisjen e këtyre forcave partizane, u shkaktua frikë te popullsia e kësaj ane, dhe shumë prej tyre i lanë shtëpitë dhe u strehuan nëpër fshatrat e malësisë. Meqenëse fshati Hogosht ishte qendër tradicionale e koncentrimit të forcave ushtarake për t’ua mësyrë viseve malore të Gallapit dhe fshatrave të rrethinës, edhe tani nga këtu më 19 dhjetor 1944 nisin sulmin njësitë e Brigadës XVII maqedone, dhe posa hynë në viset e Gallapit, filluan djegien e shtëpive dhe vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Kjo bëri që njësitet e kësaj brigade të sulmohen nga forcat e rezistencës kombëtare në luginën e lumit të Desivojcës dhe të shpartalluara të tërhiqen në drejtim të Gjilanit dhe Bujanocit.
Vrasjet e paligjshme në Gjilan e rrethinë, ku për çdo mbrëmje disa herë gjatë natës nxirreshin nga burgu dhe pushkatoheshin me dhjetëra shqiptarë të pafajshëm i shtyn forcat demokratike të rezistencës shqiptare ta sulmonin Gjilanin dhe t’i çlironin të burgosurit. Duke ndjekur këmba-këmbës njësitë e shpartalluara të Brigadës XVII maqedone, forcat e rezistencës shqiptare, në mbrëmje të 21 dhjetorit 1944, kishin arritur dhe ishin vendosur në fshatin Përlepnicë e rrethinë, ku ishte mbajtur takimi i fundit i Shtabit Drejtues para sulmit në Gjilan. Sipas të dhënave, me këtë sulm si dhe me sulmin në qytete tjera, nuk ishte i pajtuar Mulla Idrizi, me disa nga udhëheqësit tjerë, të cilët duke pasur parasysh superioritetin e forcave të UNÇJ-së, dhe pasojat e mundshme, sulmin në qytete e konsideronin tepër të rrezikshëm dhe kërkonin që luftën të vazhdonin në formën e luftës guerile në viset malore të Gallapit, Karadakut dhe në vise tjera, duke thënë se, “Qytetin mund ta marrim, por jo edhe ta mbajmë”. Mirëpo disa nga udhëheqësit popullorë më të rinj si, Sylë Zarbinca, Muharrem Fejza, Shefki Desivojca e disa të tjerë, të shtyrë edhe nga euforia e sukseseve të mëparshme në viset e Gallapit, ishin kategorik për sulm dhe lirimin e të burgosurve. Pas shumë peripecive dominoi krahu i këtyre të fundit të cilët praktikisht e morën komandën dhe u hartua plani për ta sulmuar Gjilanin në tri drejtime. Siç do të shihet më vonë Mulla Idrizi me krahun e tij pati të drejtë sepse sulmi në Gjilan bëri që pushtetarët politikë e ushtarakë serbo-malazezë në krye me Vlado Popoviq të hartonin planin e mbrojtjes dhe t’i farkonin duart për rastin mirëpritur, duke thënë:”të befasohen ballistët sulmues, duke u lejuar hyrjen pa rezistencë dhe tani të sulmohen me forca të mëdha dhe pamëshirshëm,…” në fakt për të mos i kursyer as banorët e Gjilanit.
Sulmi në Gjilan u bë më 23 dhjetor 1944, rreth orës 5-6 të mëngjesit, nga ana lindore e qytetit, sulmuesit kishin arritur ta marrin qytetin, me përjashtim të ndërtesës së OZN-ës dhe Këshillit Popullor të Rrethit. Njësitë maqedone u tërhoqën në panik dhe së bashku me ta u tërhoq edhe udhëheqja politike e ushtarake e vendit të cilët u vendosën në “Kodrën e Dëshmorëve” (Popovicë) dhe në parkun e qytetit për të pritur përforcimet nga Prishtina dhe Ferizaj.
Komanda e Vendit në Gjilan e njoftuar për të gjitha, para sulmit kishte hartuar planin e mbrojtjes së qytetit dhe më 22 dhjetor-një ditë para sulmit, duke i fshehur qëllimet, sa për formalitet u bëri thirrje të arrestuarve shqiptarë që të dorëzohen, kurse popullsinë e qytetit dhe të rrethinës e bëri me dije që të tillët të mos i ndihmojë me asgjë. Në ndërkohë u kërkua ndihmë nga Shtabi Operativ i Kosovës, ndihmë e cila menjëherë filloi të arrijë në drejtim të Gjilanit. Forcave të barrikaduara në qytet, kah mesi i ditës u erdhën përforcime ushtarake nga Prishtina dhe Ferizaj-njësitet e Brigadës V dhe VII të Kosovës si edhe nga fshatrat serbe të rrethinës. Këto forca kaluan në ofensivë pas 4-5 orë luftimesh, vetëm pasi forcat vullnetare, për të mos luftuar me vëllezër të një gjaku, u tërhoqën nga qyteti në drejtim të fshatrave të Dardanës. Lidhur me këtë Muharrem Bunjaku-Kaçari, tani 94 vjeçar, pjesëmarrës i sulmit në Gjilan, shprehet: ”Posa erdhi brigada partizane nga Ferizaj, me plisa në kokë, i dëgjuam duke thënë bini vëllezër, në e pamë sa ishte ora dhe vendosëm të tërhiqemi nga qyteti”. Pas tërheqjes së vullnetarëve shqiptarë, forcat partizane hynë në qytet dhe filluan t’i sulmonin pozicionet e vullnetarëve jashtë qytetit. Në këto luftime humbjet ishin të konsiderueshme nga të dyja palët, në mesin e të vrarëve ishte edhe Shefki Desivojca, anëtar i Shtabit të sulmit në Gjilan.
Sipas literaturës historike sulmi në Gjilan ka qenë i provokuar nga Vllado Popoviqi, sekretar i Komitetit të PKJ-së në Gjilan dhe sekretar i KNÇ të qytetit, i biri i radikalistit të njohur Toma Popoviq, Sima Miliniq, komandant i Komandës së Vendit dhe Lubo Shotra, shef i OZN-ës, të cilët kishin për qëllim hakmarrjen kundër shqiptarëve, për shkak të pësimeve të forcave partizano-çetnike gjatë sulmeve të tyre në kufirin me Kosovën, si dhe realizimin e programit antishqiptar, të hartuar nga V.Qubriloviq e të tjerë, të cilët preferonin, kohën e luftërave si moment më të volitshëm për realizimin e gjenocidit.
Pas tërheqjes së forcave të lëvizjes së rezistencës shqiptare nga Gjilani, pasuan ditët më të rënda për popullin shqiptar të kësaj ane. Në mbrëmje të 23 dhjetorit 1944 ishte shpallur shtetrrethimi në qytet, me urdhra: a)asnjë shqiptar nuk guxon ta lëshoj qytetin b) asnjë shqiptar nuk lejohet me hy në qytet c) asnjë shqiptar nuk guxon të shihet rrugëve dhe asnjë shtëpi shqiptare nuk guxon të mbyllet, as ditën, as natën. Serbëve të qytetit, të fshatrave të rrethinës si dhe partizanëve serbo-maqedonas iu lanë duart e lira për 24 orë që të mund të plaçkitnin e të vritnin kënd të donin. Nga kjo kohë eskalimi dhe legalizimi i dhunës, terrori dhe plaçkitjet morën përmasa shqetësuese, u bënë arrestime dhe ekzekutime në masë. Siç provojnë të dhënat memoriale e dokumentare të kohës, organet ushtarake e policore të pushtetit komunist, të OZN-ës, grupe civilësh serbë të qytetit e rrethinës, jo vetëm për 24 orë, ndonëse me intensitet më të zvogëluar, për disa ditë rresht i patën duart e lira të plaçkitnin dhe të kryenin masakra të papara mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare të qytetit e rrethinës, duke mos kursyer as gratë, fëmijët e pleqtë, njerëz të sëmurë në shtrat, të verbër etj. Bashkëkohanikët dhe dëshmitarët okularë rrëfejnë për ato ditë tmerri që vështirë mund të përshkruhen. Është bërë plojë e paparë, njerëzit vriteshin në prag të shtëpisë, në rrugë, merreshin nga shtëpitë pa u pyetur fare, si në qytet ashtu edhe në fshatra, nëpër acar e të ftohtë, të zbathur e të zdeshur, dërgoheshin në burg duke u rrahur e therur, pa u marrë fare në pyetje. Ekzekutimet bëheshin gjatë natës, në periferi të qytetit, por edhe në lokale të mbyllura, në burg, në oborrin e burgut, në bodrumin e OZN-ës, ku i thernin apo i mbytnin për ngadalë, i digjnin për së gjalli, shpesh edhe duke bërë aheng, duke pirë raki etj., gjithnjë nën zhurmën e daulleve e zurlës, që i binin romët e qytetit për të mos u dëgjuar klithjet e viktimave gjatë ekzekutimit etj. Gjatë ekzekutimeve, përdoreshin edhe armët e ftohta, si sëpata, çekan, bajoneta, thika, tokmak, etj. Këtë lloj dënimi i kryenin romët, serbët por edhe ndonjë shqiptar. Rrugët e qytetit, e sidomos qendra që nga Xhamia e Madhe e deri te përmendorja, ishte e mbushur përplot kufoma të shqiptarëve të masakruar të Gjilanit e rrethinës dhe askush nuk guxonte t’i merrte për t’i varrosur, vetëm pas disa ditësh me urdhër të pushtetit vendor, të vrarët i bartnin me qerre kafshësh, por edhe me kamion ushtarak dhe i fusnin në gropa të përbashkëta në periferi të qytetit, shpesh duke i mbuluar më shumë me borë se sa me dhe. Gropat ishin të hapura më parë, si istikame nga italianët dhe gjermanët, si dhe gropa e hapur për nxjerrjen e gurëve te parku i qytetit, tani te hyrja e Kombinatit të Duhanit. Të dhënat e kohës flasin për dhjetëra e qindra të likuiduar brenda një nate, të cilëve as varret nuk i dihen. Shumica e të likuiduarve ishin të rinj, të cilët merreshin nga shtëpitë e tyre në qytet e nëpër fshatra, me pretekst se kishin marrë pjesë në Luftën e Gjilanit apo e kishin ndihmuar atë, si dhe kishin marrë pjesë në luftë në mbrojtje të kufirit kundër forcave të UNÇJ-së etj.
Dhuna dhe terrori shpejt u shtri në tërë rajonin e fshatrave të Gjilanit, kurse numri i të vrarëve e të masakruarve shqiptarë të këtij rajoni, duke filluar nga viti 1943, gjatë përleshjeve me forcat serbe e bullgare dhe viktimave të likuiduara prej partizano-çetnikëve si dhe të vrarëve në brigadat partizane në vise të ndryshme të Jugosllavisë deri në mars 1945, i kalon humbjet e viseve tjera të Kosovës, por nuk është vërtetuar. Sipas Vesel Rexhepit, veprimtar i organizatës së PKJ-së në Gjilan, atë kohë vetëm në Gjilan pati 4.500 shqiptarë të vrarë e të masakruar. Ndërkaq sipas burimeve jo të plota të veprës së Tahir Zajmit në regjionin e gjerë të Gjilanit pati afër 8,000 të likuiduar në mënyra të ndryshme. Mirëpo ky numër është i ekzagjeruar. Sipas ditarit të një NDSH-isti, vetëm nga 23-29 dhjetori 1944, në Gjilan pati rreth 3.000 shqiptarë të likuiduar. Në të dhënat zyrtare, të vitit 1954, të dala nga Gjykata e Qarkut, për nevojat e Komitetit të Rrethit në Gjilan, thuhet se “Pas çlirimit (nga 16 nëntori 1944,-A.S.)janë pushkatuar 254 veta, nga të cilët 245 shqiptarë”, gjë që nuk përket me realitetin. Përkundër hapësirës së gjerë të cilën atëbotë përfshinte Rrethi i Gjilanit dhe ishte rrethi më i madh në Kosovë, bazuar në të dhënat e sipër shënuara dhe në të dhënat nga terreni mendojmë se shifra mes 3-4 mijë shqiptarë të likuiduar mund të merret si më e afërt .
Gjilani, atëbotë qytet me 7-8.000 banorë shumica shqiptarë, pati humbje të konsiderueshme. Duke mos i llogaritur të rinjtë e vrarë e të humbur të inkuadruar në brigadat partizane të UNÇJ-së (afër 50 sosh), apo të vrarët në luftë gjatë mbrojtjes së kufirit, nga sulmet partizano-çetnike, në qytetin e Gjilanit pati rreth 200 shqiptarë të pushkatuar dhe të masakruar, të moshave dhe gjinive të ndryshme, pjesa më e madhe e tyre nga 23-25 dhjetori i vitit 1944. Mirëpo disa nga lagjet e qytetit dhe disa nga fshatrat e këtij rrethi patën fatin më tragjik. Nga lagjet e qytetit për krime mund të veçohen lagjja “Deremëhallë”, ku nga 40 shtëpi shqiptare pati 33 shqiptarë të likuiduar në mënyra të ndryshme, të moshës 16-63- vjeçare. E njëjta gjë ishte edhe me lagjen e “Balecit”, ku pati rreth 30 të likuiduar, por edhe disa lagje të tjera nuk do të mbetën prapa. Ndërkaq sipas shënimeve jo të plota, nga fshatrat e këtij rrethi, numrin më të madh të shqiptarëve të likuiduar patën fshatrat: Llashticë 36 të likuiduar, Përlepnicë 27, Makresh 24, Malishevë 31, Qarr 23, Kurexh 26, Uglar 21, Svircë 23, Marec 23, Pozharan 26, Livoç i Epërm 12, Depcë 23, Gospodinc 29, Sopot 75, Lluçan 13, Konçul 10, Sefer 25, Velegllavë 35, Remnik 21, Zhegër 12, vetë në mesin e tyre 7 gra e dy fëmijë, etj
Mund të shtrohet pyetja, pas tërheqjes së forcave të rezistencës shqiptare nga Gjilani, a ka pasur mundësi, t’i shpëtohej masakrës?. Urdhëresa e Fadil Hoxhës nga Shtabi Operativ i Kosovës nuk përfillej. Të dhënat dëshmojnë se pos Halil Fejzullahut – sekretar i Komandës së Vendit, cili bëri atë që mundi, shpëtoi një grup prej më se 100 shqiptarësh nga kthetrat e ushtarëve maqedonë, që i binin të lidhur nga fshati Malishevë, për t’i likuiduar në Gjilan, askush tjetër nga SKOJ-istët dhe komunistët tjerë shqiptarë të kësaj ane, më parë të frymëzuar nga ideali komunist i vëllazërim-bashkimit dhe barazisë nacionale, nuk do të ndihet i gjallë dhe u strukën për ta shpëtuar kokën. Ndërkohë komunistët më të vjetër shqiptarë si Kurtesh Agushi, Vesel Rexhepi, Farush Okllapi dhe ndonjë tjetër ndodheshin në internim, kurse vëllezërit Llozana, Vehbi Rexhepi e disa të tjerë, ishin të inkuadruar në brigadat partizane jashtë Gjilanit dhe Kosovës. Lidhur me këtë Vehbi Rexhepi, shprehet me bindje: ”Ato ditë tmerri sikur të ishin ata në Gjilan, nuk do të ndodhnin masakrat, së paku jo në atë masë”.
Si herëve të tjera edhe tani, pushtetarët serbosllavë janë munduar për t’i fshehur krimet e tyre ndaj shqiptarëve, mirëpo për këtë kanë mbetur dëshmi të shkruara në formë kujtimesh nga pjesëmarrësit okularë, ushtarë e ushtarakë, të cilët me njësitë e tyre partizane atyre ditëve ndodheshin në Gjilan e rrethinë, siç ishte rasti me Komandantin e Brigadës VII të Kosovës Shaban Haxhia, e të tjerë, por edhe nga mbamendja e ndonjë të burgosuri në këto burgje që pati fatin të dilte i gjallë e të tjerë. Shaban Haxhia komandant i Brigadës së VII të Kosovës, pasqyron një realitet tjetër nga të dhënat e OZN-ës së Gjilanit. Ai pas katër orë udhëtimi, (arrin me vonesë) posa hyn me batalionin e dytë të Brigadës VII, në Gjilan, ishte tmerruar duke parë rrugët e qytetit përplot me kufoma të shqiptarëve të vrarë e të masakruar. Siç thotë ai në mbrëmje kishte ndërhyre për t’i liruar 150 shqiptarë të pafajshëm, të cilët ushtarët maqedonë i kishin mbledhur nëpër shtëpi dhe të lidhur po i qonin në burg. Lidhur me këtë dhe përjetimet tjera që kishte pasur gjatë qëndrimit në Gjilan ai do të shkruajë: “ Në ora 9 të natës kur dola nga mbledhja gjeta 150 shqiptarë nga katundet e afërta të Gjilanit, të cilët ishin të lidhur dy nga dy dhe po i shoqëronte një tog partizanësh maqedonas për t’i dërguar në burg, gjoja si fajtorë dhe shkaktar të luftës së Gjilanit. Këta ishin mbledhur nëpër katund pa asnjë dallim, …të lidhur, shumica në klina, në borë e acar … disa dhe të zbathur fare, dhe këmbët u pikonin gjak. Në këtë moment u revoltova aq shumë sa humba gjykimin dhe fola shumë ashpër kundër shoqëruesve dhe atyre që kishin dhënë urdhër për arrestimin e tyre dhe kërkova me njëherë lirimin e tyre.” Këta të mjerë Shaban Haxhia me një tog partizanësh shqiptarë i kishte përcjellur deri në shtëpitë e tyre. Për situatën në Gjilan Shaban Haxhia vendosi që ta njoftonte Shtabin Operativ në Prishtinë por pa sukses, sepse u pengua që ta marrë lidhjen telegrafike me Prishtinën. Edhe tentimet e tija të asaj mbrëmje për ta vizituar burgun e OZN-ës ishin të kota dhe deri në mëngjes nuk u lejua të hynte brenda. Lidhur me këtë ai thotë: ”…Siç u provua më vonë, unë nuk isha lejuar që të hyjë në burg, që forcat e burgut të kishin mundësi dhe kohë të largonin kufomat e mbytura me sëpatë. Kështu kur hyra në mëngjes, shihej gjaku i madh i mbetur në borë në shumë vende. Sapo hyra brenda të burgosurit ishin shumë të shqetësuar dhe qëndronin në këmbë duke u dridhur, pasi pritnin fatin e atyre të tjerëve të likuiduar më parë. Në fytyrat e tyre të tmerruara dhe të frikësuara kuptova se në burg, gjatë natës ishte bërë një masakër e llahtarshme. …Afër meje qëndronte një 65-vjeçar, të cilit iu ktheva e i thashë:- Po edhe ti mixhok po lufton kundër djemve tu…Pa mbaruar unë me gjithë forcën e tij thirri:-Ti e ke kollaj se ke fjet në dyshek dhe nuk ke pa djemtë e nënave duke i pre si berrat nga kasapi, nga partizanët tuaj dhe mandej qiteshin në oborr dhe sipas qejfit të tyre i mbytnin me sakica. Unë kam vuajt tanë natën duke pritur radhën kur po më vjen…” Duke e pa se qëndrimi i mëtutjeshëm i Shaban Haxhisë me njësitin e tij në Gjilan ishte pengesë e realizimit të qëllimeve të tyre, Shtabi Operativ i Kosovës në marrëveshje me pushtetin lokal në Gjilan urdhëroi Shaban Haxhiun, që me të gjitha forcat urgjentisht të largohej nga Gjilani. Për atë që kishte parë në Gjilan, Shaban Haxhia me të kthyer në Prishtinë i raporton komandantit të Shtabit Operativ për Kosovë Fadil Hoxhës dhe udhëheqësve të tjerë dhe kërkon prej tyre urgjentisht të ndërmerret diçka në mënyrë që të ndërpritet gjakderdhja në këto anë, por kjo mbeti vetëm kërkesë.
Janë të ngjashëm edhe kujtimet e Hajredin Vullkanit dhe të Avdi Muçollit, ushtarë të Brigadës V të Kosovës, të cilët atyre ditëve me njësitin e tyre ndodheshin në Gjilan. Për të mos hasur në pengesë gjatë realizimit të qëllimeve të tyre, Komanda e Vendit në Gjilan në bashkëpunim me komandën e Brigadës V të Kosovës, ndërmorën izolimin e përkohshëm të partizanëve shqiptarë, të cilët i vendosin në burgun e OZN-ës. Për atë që kishte pa gjatë qëndrimit në këtë burg, Avdi Muçolli pos tjerash thotë:” …Në dhomën 4X4m. ku më futën mua, kishte rreth 20 qytetarë të cilët i kishin marrë atë ditë nga shtëpitë e tyre . Ishin të rrahur, të dërmuar dhe të frikësuar. Në dhomë u bëmë 40-45 vetë, por nuk vonoi dhe filluan të na pakësojnë. U hap dera e qelisë dhe një ushtarak thirri emrin e parë të një fshatari të pashëm. Porsa doli në prag të derës, dy ushtarë në të djathtë dhe në të majtë të derës, i sollën bajoneta, në brinjëmëbrinjë. U dëgjua krisma e bajonetave kur u takuan në trupin e atij burri, i cili nuk bëri zë, vetëm u rrëzua jashtë derës…Kështu nisën të thirrin me radhë, derisa i therën të gjithë ata që i gjetëm aty…vetëm kur i therën të gjithë, u mbyll dera, duke na lënë brenda vetëm ne partizanët…”
Rrëfime rrëqethëse kanë mundur të dëgjohen nga shumë bashkëkohanikë, e të afërm të atyre që u persekutuan në mënyra më çnjerëzore, një numër i të cilëve dolën të gjallë nga burgu, por të traumatizuar dhe nuk jetuan gjatë. Njëri ndër dëshmitarët, përjetues i burgut të OZN-ës në Gjilan, plaku Shyqeri Sermaxhaj nga Hogoshti, atëbotë 17-vjeçar, pos tjerash rrëfen: ”…Po atë ditë (më 23 dhjetor 1944) u mbush përplot oborri i burgut me njerëz, që mbanin plisa në kokë, pasdite filluan t’i thirrin me emra, duke iu thënë se do të shkoni në shtëpi, mirëpo, gjatë natës të shtënat e mitralozit dhe automatikut nuk pushonin. Dhomat e vogla të burgut mbusheshin përplot me shqiptarë, nga dy-tri herë gjatë natës i thirrnin dhe që nga dera fillonin të rënat me mjete të ndryshme mbi trupat e tyre. Britma zërash e thirrjesh, dëgjoheshin nga disa:”Aman Zhivko, aman…(shqiptar A.S). Në mëngjes në dhomë mbeteshin 5-6 veta, prapë mbushej dhe shpejt zbrazej, kështu që një natë më ndodhi të mbetem fill vetë në dhomë… Një ditë erdhi Shaban Haxhia, zeshkan, e hapi derën e burgut hyri brenda dhe tha: Pse ore djem, po e merrni veten në qafë, po tentoni të ikni e ata po ju vrasin. Mos u frikësoni se deri pasnesër të gjithëve kanë për t’ju liruar. Mirëpo, posa u largua Shaban Haxhia përsëri vazhduan likuidimet. Një ditë erdhi Lubo Shotra (shef i OZN-ës) dhe i pyeti rojtarët e burgut, Dushanin e Mladenin, se pse mbahen këta njerëz, ata iu përgjigjen se kanë bërë vetëm atë që ka thënë ai të bëhet”. Nuk ishin të rralla rastet kur familjarët i kërkonin të afërmit e tyre në burgun e OZN-ës, po thuaj për çdo ditë, derisa një ditë merrnin përgjigjen “nuk është këtu, e kanë çuar për Prishtinë”, ishte një refren që përsëritej nga roja e burgut, e që nënkuptonte se i burgosuri nuk gjendet në mesin e të gjallëve.
Skenat trishtuese të atyre ditëve në Gjilan, kanë mundur të linin mbresë te çdo njeri edhe me pak ndjenja. Dëshmitarë të këtyre ngjarjeve konfirmojnë edhe për reagimin e ashpër të mjekes Anxha Todoroviq, e cila me rastin e vizitës që i bëri burgut të OZN-ës, në momentin kur e kishte parë bodrumin e burgut me gjak “deri në gju” dhe trupat e shqiptarëve të copëtuar, ishte tmerruar dhe i drejtohet shefit të OZN-ës, Lubomir Shotrës, me këto fjalë”…kështu as me shtazë nuk veprohet, e lere më me njerëz”.
Duhet cekur se masakrat e atyre ditëve dhe vazhdimi i masave represive të gjenocidit serbomadh ndaj shqiptarëve, bëri që shumë familje me humbjen e më të dashurve të tyre, konfiskimin e pasurisë, në emër të “armiqve të popullit”, humbjen e të drejtave qytetare, shumë prej tyre i kishte kapluar varfëria, andaj i kishin humbur shpresat për ekzistencë dhe për të ardhmen e fëmijëve të këtyre. Andaj shumë familje me zemër të thyer kishin marrë rrugën e ikjes, rrugën e migrimit dhe pjesa më e madhe e tyre janë vendosur në Turqi. Sipas të dhënave memoriale pas Luftës së Dytë Botërore vetëm nga qyteti i Gjilanit, për Turqi janë shpërngulur rreth 400 familje shqiptare.