Kryetari Haziri i jep mbështetje kërkesave të Handikosit dhe Shoqatës së të Verbërve, mjetet e aprovuar nga Kuvendi t’u alokohen me urgjencë
Në vazhdën e takimeve që këto shoqata kanë pasur me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin Komunal të Gjilanit, i takoi drejtuesit e organizatave Handikos dhe Shoqatës të Verbërve edhe kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, z. Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, përkatësisht Fatmir Shurdhanin dhe Bajram Spahiun.
LDK në Gjilan i jep mbështetje në plotni kërkesave kaq bazike të tyre, duke theksuar edhe njëherë se duhet të respektohen me urgjencë vendimet e Kuvendit Komunal dhe të ndahen mjetet e premtuara e të zotuara për këto dy shoqata, të cilat nuk e ndalën aktivitetin e tyre dhe i qëndruan besnik komunitetit që përfaqësojnë edhe në kohë më të vështira.
Duke qenë se këto shoqata aktualisht gjenden në situatën më të rëndë financiare të pasluftës si pasojë e neglizhencës dhe mosmbështetjes nga ekzekutivi i Gjilanit, cka i shtyu ata edhe të protestojnë para Komunës së Gjilanit, LDK konsideron se shumat e kërkuara dhe të aprovuara në Kuvendin e Komunës, duhet t’i alokohen këtyre shoqatave në afatin më të shpejtë të mundshëm.
Kryetari Haziri theksoi se injorimi i kësaj kategorie të shoqërisë tregon edhe njëherë se në cfarë gjendje ka rënë Komuna e Gjilanit.