Gjilan

Lutfi Haziri paralajmëron dinamikë më të madhe në punë dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet e shtetit

Gjilan, 20 nëntor 2017 – Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ditën e parë pas rizgjedhjes në krye të Komunës, e ka filluar ditën me takimin e përbashkët me të gjithë udhëheqësit e institucioneve në nivelin lokal, përfaqësuesit e zgjedhur, organet e rendit, të sigurisë, të drejtësisë, prokurorisë, të shëndetësisë në nivel regjional dhe primar, pastaj institucionet fetare dhe përfaqësues të tjerë të shumtë të cilët menaxhojnë me institucione në nivelin lokal.

“Ju kam ftuar të gjithëve që të jemi bashkë në rifillimin e punëve në Komunë. Kuvendi i Komunës do të merr kohë deri në konsolidimin e plotë. I uroj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në process të garës zgjedhore, njëkohësisht I uroj të gjithë ata që janë zgjedhur me besim qytetarë t’i përfaqësojnë ata me përgjegjësi në Kuvendin e Komunës. Që nga sot, zyra ligjore do të filloj angazhimet për të udhëhequr të gjitha procedurat në mes të organeve zgjedhore dhe Kuvendit Komunal për ceremoninë e betimit të këshilltarëve dhe fillimin e legjislaturës së re në nivelin komunal. Ndërsa, në nivelin ekzekutiv do të punojmë me të gjitha institucionet e shtetit për koordinim në shënimin e 28 nëntorit”, ka thënë kryetari Haziri.

“Është 105 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Në Gjilan me datën 27 nëntor 2017 do të jetë ceremonia e madhe shtetrore, së bashku me protokolin e shtetit të Kosovës dhe në koordinim edhe me shtetin e Shqipërisë, sepse në Vlorë do të jenë dy qeveritë, ndërsa në Gjilan do të jenë dy presidentët. Kjo ngjarje që shënon një jubilee të madh dhe një respekt të Idriz Seferit, Nderi i Kombit, i cili është kryengritësi më i madh i shqiptarëve në këtë pjesë”, ka thënë kryetari Haziri, gjatë fjalës para të gjithë të pranishmëve.

Ai i ka falënderuar të gjitha organet e sigurisë dhe të drejtësisë, si Policinë e Kosovës, prokurorinë dhe institucionet tjera të cilat ishin gjatë gjithë fushatës elektorale në funksion të normalitetit dhe rregullësinë zgjedhore.

Kryetari Haziri ka thënë se do të vazhdohet me punë të intensitetit të lartë në të gjitha sferat, duke potencuar konfirmimin dhe punën në angazhimin në dialogun ndërfetar, mekanizmin për parandalimin e akteve terroriste, meqenëse edhe Departamenti i Shtetit Amerikan e ka përmendur si shembullin më të mirë.

Gjithashtu, edhe në Këshillin e Sigurimit është theksuar vlera që ekziston në bashkëpunimin ndërfetar e ndëretnik, për çka kryetari Lutfi Haziri ka falënderuar kryetarin e Bashkësisë Islame në Gjilan dhe përfaqësuesit e tjerë fetar, që kanë dhënë kontribut në gjithë këtë proces.

Kryetari Haziri, gjithashtu, ka potencuar angazhimin e tij personal nga cilësia e kryetarit dhe e nivelit ekzekutiv nën mbështetjen edhe të organeve të sigurisë për një jetë më të mirë, të sigurtë dhe të lire për të gjithë qytetarët.

“I falënderoj jashtëzakonisht shumë të gjitha institucioneve të shtetit dhe ofroj bashkëpunimin e plotë në kuadër të kompetencave ligjore që këtë punë dhe përgjegjësi ta ndajmë së bashku në kuadër të garantimit të sigurisë publike në nivel të Komunës së Gjilanit. Nga sot e tutje do të jemi me një dinamikë të re dhe në funksion të shërbimit për qytetarët”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

You Might Also Like