Gjilan

Mbahen dëgjimet buxhetore me banorët e fshatrave të rajonit të Llashticës e Zhegrës

Komuna e Gjilanit, ka filluar dëgjimet buxhetore me qytetarë për planifikimin buxhetor për vitet 2026-2028.
Zyrtarët komunalë kanë shkuar në Llashticë e Zhegër, për të marrë idetë e projekteve të qytetarëve.
Dëgjimi i parë u mbajt me banorët e fshatrave: Llashticë, Lladovë, Nasalë, Lipovicë, Burincë, Muçbabë, ku udhëheqësit e këshillave të fshatrave që ishin prezent, paraqitën projektet e tyre primare.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, tha se janë këtu për dëgjime buxhetore, ku qytetarët vendosin vetë për projektet të cilat duhet të realizohen.
Ai tregoi se buxheti i vitit 2026 pritet të jetë mbi 41 milionë euro.
Drejtoresha e Administratës, Arbenita Sopi Haziri, tha se kërkesat e banorëve nga dëgjimet buxhetore do të inkorporohen në buxhetin e viteve të ardhshme.
“Propozimet e juaja do të merren parasysh dhe në bazë të planifikimeve do të realizohen”, tha Sopi Haziri.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, tha se planifikimin buxhetor bëhet vetëm në këtë mënyrë, ku edhe rritet besimi në institucionin e komunës.
“Ne kemi ardhur këtu në Llashticë, për të marr projektet më prioritare të banorëve të kësaj pjese e të cilat do të merren parasysh dhe të inkorporohen në buxhetin e vitit 2026 e viteve tjera”, tha Morina Bunjaku.
Nga ana tjetër kryetarët e këshillave të fshatrave Llashticë, Naser Ibishi dhe kryetari i këshillit të fshatit Lladovë, Bedri Ajeti dhe banorë të tjerë kanë paraqitur edhe me shkrim listat e projekteve që duan të realizohen në vendbanimeve të tyre.
Në takim ishin edhe drejtori për Shpërbime Publike, Kushtrim Ibrahimi, ai për Gjeodezi dhe Kadastër Bekim Salihu, këshilltarja e Kuvendit Komunal nga LVV Krenare Latifi Kçiku dhe zyrtarë të tjerë.
Dëgjimi i dytë u realizua me banorët fshatrave Zhegër, Pidiq, Stanqiq, Shurdhan, Sleishtë, Isufaj, Sefer, Goden, Dunav, Haxhaj, Demiraj dhe Çeli, ku kryetari i këshillit të fshatit Zhegër Qahil Halili dhe banorë e lokaliteteve tjera kanë paraqitur projektet që duan të realizohen në vendbanimeve të tyre.
Në takim pos kryesuesit të kuvendit dhe drejtoreshës së Administratës, ishin edhe drejtori i Bujqësisë Bajram Isufi dhe këshilltarët komunalë Avdyl Aliu dhe Muhadin Haziri nga LDK.
Derisa sot dëgjimet buxhetore në orën 14:00 mbahen me banorët e fshatrave të rajonit të Malishevës, Caparit, Uglarit, Bukovikut.
Derisa në orë 17:00 dëgjimet mbahen me banorët e Pogragjës, Bilinicës, Llovcës, Kokajt, Sllubicës e Stublinës.

You Might Also Like