Në Gjilan është mbyllur edicioni i 35-të i Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2026”, me paraqitjen e natës së pestë të shfaqjes “Gërdia”, prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Gërdia” është një dramë psikologjike intime që eksploron krizën e brendshme të një burri, fajin, heshtjen dhe frikën nga ekspozimi emocional, duke ngritur pyetje mbi burrërinë, ndjenjat e shtypura dhe jetën e përsëritur pa kuptim. Konflikti dramatik lidhet me një ngjarje traumatike të fëmijërisë së kryepersonazhit, e cila shpaloset gradualisht dhe qartësohet në fund të veprës.
Produksioni, i realizuar dhe i inskenuar më herët si tekst i vlerësuar nga juria e Konkursit të Dramës Kombëtare “Katarina Josipi”, u prezantua në kuadër të konkurrencës zyrtare të festivalit dhe u prit mirë nga publiku gjilanas.
Jehona e festivalit, i konsideruar unik për nga struktura organizative dhe përmbajtësore në fushën e dramaturgjisë kombëtare, si dhe fakti që “Gërdia” mban vulën realizuese të Teatrit Kombëtar të Kosovës, sollën në sallë artdashës nga hapësira të ndryshme shqiptare.
Interesimi i publikut ishte i kënaqshëm edhe në natën e fundit të festivalit, duke pasur parasysh se kjo paraqitje skenike, me autorësi të dyfishtë të Asdrit Kabashit, është realizuar së fundmi dhe në Gjilan u prezantua që në fillim të rrugëtimit të saj artistik. Kjo bëri që në publik të ishin të pranishëm artdashës nga Prishtina, Gjilani, Podujeva, Ferizaji, Lipjani, Dibra dhe qytete të tjera.
Vlerësimet për realizimin si tërësi ishin të balancuara, ndërsa loja e aktorëve u veçua pozitivisht, në veçanti interpretimi i aktorit Bujar Ahmeti.
Dramaturgu Agron Gërguri e cilësoi këtë vepër skenike si “një ndërtim mbi fotografinë e depresionit kolektiv, të personifikuar përmes një personazhi”, duke theksuar se aktorët përbëjnë pjesën më të fuqishme të realizimit. Ai shtoi se drama trajton tema të rënda dhe shqetësuese, por sipas tij, nuk arrin gjithmonë të hapë një dritare shprese apo reflektimi përmes artit.
Një vështrim kritik për produksionin mysafir nga Teatri Kombëtar i Kosovës dha edhe kritiku i njohur Shemsi Doda, i cili vlerësoi se “Gërdia” ndërtohet mbi një narracion të paqëndrueshëm, ku kufiri mes reales, ëndrrës dhe makthit shpesh mbetet i paqartë. Sipas tij, pamjet surreale dhe ngarkesa verbale krijojnë konfuzion më shumë sesa kuptim, duke mos arritur të ndërtojnë një konflikt dramatik me pasoja të qarta.
“Gërdia” njëkohësisht uli perden e edicionit të 35-të të Festivalit të Dramës “Talia e Flakës”. Vlerësimi i prurjeve pjesëmarrëse i mbetet jurisë profesionale në përbërje: Ali Demi, Tringa Hasani dhe Ilir Bokshi, të cilët do të kenë një “barrë” të vështirë të ndajnë çmimet në gjashtë kategori: aktori më i mirë, aktorja më e mirë, regjia më e mirë, teksti më i mirë, shfaqja më e mirë, si dhe një çmim të vetëm për koreografi, skenografi, kostumografi, dizajn të dritave ose kompozim muzikor.
Pas përmbylljes së festivalit të dramës, Manifestimi “Flaka e Janarit 2026” vazhdon me aktivitete të ngjeshura në fushën e arteve muzikore dhe letrare, deri më 31 janar, kur edhe do të mbyllet zyrtarisht me ndarjen e çmimeve në katër shtyllat kryesore: arte pamore, arte skenike, arte letrare dhe arte muzikore.





