Komuna e Gjilanit, me aktivitete të shumta ka shënuar 15 qershorin, Ditën e Çlirimit të Gjilanit.
Këto aktivitete janë mbajtur nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hysenit, ku u mbajt gjysmë maratona “Gjilani Half Marathon – edicioni i 4-të.
Po ashtu u bënë homazhe tek Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se në orët e para të mëngjesit, qyteti u gjallërua me Gjysmë Maratonën “Gjilani Half Marathon – edicioni i 4-të”, një simbol i përkushtimit qytetar ndaj lirisë.
“Menjëherë pas saj, bëmë homazhe tek Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve, duke u përulur para sakrificës së atyre që dhanë jetën për lirinë tonë”, tha Alban Hyseni.
Më pas në sallën e kuvendit, u mbajt seanca solemne për nder të Ditës së Çlirimit.
Kryetari, Alban Hyseni, tha se në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Gjilanit, vazhduam me seancën solemne ku u nderuan disa personalitete për punën, kontributin dhe sakrificën e tyre ndër vite.
U nderuan: Sabit Uka (post mortum) – për kontributin e jashtëzakonshëm dhe sakrificën për liri.
Dr. Arben Bislimi – për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e shëndetësisë dhe përkushtimin e palodhur në shërbim të qytetarëve
Aqif Uka – për kontributin dhe sakrificën për liri në rrugën drejt pavarësisë
Gani Shaqiri – për kontributin në çlirimin e atdheut
Rexhep Elmazi (post mortum) – një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e lavdishme të kombit tonë
“Me mirënjohje të thellë, nderojmë ata që me vepra lanë gjurmë në rrugën tonë drejt lirisë”, tha kryetari Hyseni.
Gjatë ditës u bë edhe zbulimi i lapidarit për dëshmorët Mehmetali dhe Shyqeri Ajvazi në fshatin Livoç i Epërm.
Kryetari Alban Hyseni, tha se zbulimi i Lapidarit për dëshmorët Mehmetali Ajvazi dhe Shyqeri Ajvazi – dy figura të lavdishme të luftës për liri, që dhanë gjithçka për atdheun.
Në këtë ceremoni kanë folur edhe Ahmet Isufi, ish komandant i Zonës Operative të Karadakut dhe familjarët e dy dëshmorëve.
Aktivitetet, kanë vazhduar me ato sportive, ku janë zhvilluar ndeshje miqësore ndërmjet veteranëve e legjendave të futbollit të qytetit të Gjilanit që kanë mbrojtur me suksese e krenari fanelat e dy klubeve të qytetit Gjilani e Drita. Në këtë ngjarje sportive pjesëmarrëse ishte edhe ekipi i veteranëve të KFV Kumanova.
“Veteranët dhe legjendat e futbollit të qytetit – ata që me krenari e sukses kanë mbrojtur fanellat e dy klubeve tona, SC Gjilani dhe FC Drita, u rikthyen në fushë për të nderuar këtë ditë të madhe”, tha Hyseni.
I pari i Komunës së Gjilanit, tregoi se në këtë ngjarje sportive mori pjesë edhe ekipi i veteranëve të KF Kumanova, duke forcuar lidhjet miqësore përtej kufijve dhe nderuar frymën e bashkimit përmes sportit.