Në Varrezat e fshatit Lladovë të Gjilanit, me nderime të larta është varrosur oficeri policor Shyqeri Mahmuti, i cili ka ndërruar jetë të martën në një aksident të rëndë trafiku në afërsi të Liqenit të Badocit, shkruan kryelajmi.com
Kortezhi është nisur nga shtëpia e të ndjerit, në të cilin kanë marrë pjesë qindra qytetarë e zyrtarë policorë nga Policia Rajonale, Stacioni Policor në Gjilan dhe Nënstacioni Policor në Zhegër.
Në dedikimin e Policisë së Kosovës është thënë se është e vështirë të gjenden fjalët për të përshkruar dhimbjen që ndjenjë për humbjen e kolegut Shyqeri Mahmuti, i cili ishte më shumë se një koleg, ishte shembull i guximit dhe i përkushtimit. Ai ishte polic i Kosovës që nga viti 2009, pjesë e gjeneratës 38 dhe së fundi ishte polic në Nënstacionin Policor në Zhegër.
“Ai i shërbeu popullit të tij me përkushtim dhe nder, gjithmonë duke vendosur sigurinë dhe mirëqenien e të tjerëve”, është thënë në ceremoninë e varrimit, duke shtuar se atë e karakterizonte urtësia, përgjegjësia dhe profesioni që e kryente me zemër.
Në cermoninë e varrimit është lexuar edhe një telegram i dërguar nga dega e LDk-së në Gjilan.
Nga ana e policisë, familjarëve të Shyqeri Mahmutit i është dorëzuar Flamuri i Policisë së Kosovës, garda e policisë e nderoi atë me të shtëna në ajër, kurse mbi varrin e tij u vunë kurora të shumta lulesh./kryelajmi.com/.