Libri

MIRËMËNGJESI

Muhamet Halili
Freskia e lehtë e mëngjesit të hershëm paralajmëronte një dite vere me vapë përcëlluese. Kjo stinë shpërthyese gjersa gjallëron gjithçka në natyrë dhe sjellë relaksim, rritë edhe adrenalinën tek vashat fytyrëçelur.
Dritarja e hapur e një shtëpize pushimi i kishte ftuar rrezet e diellit brenda për t’ia mikluar faqet dhe për ta zgjuar nga gjumi një sorkadhe!
U ngrit ngadalë nga i lumi shtrat. Trupi u la i lirë edhe nga ajo pak peshë e të brendshmeve, me të cilat e kishte zënë gjumi, dhe doli lirshëm në ballkon për ta përqafuar një ditë të bukur jete.
Me shikim kah ai qiell njëngjyrësh dhe duke e shkrepur një buzëqeshje të sinqertë, nga goja i doli një “Mirëmëngjesi!”.
Është mirënjohëse për çdo ditë që lind. Një mundësi e re për ta përmbushur jetën me çfarëdo që ia do qejfi. Shkrihet kur rrezet e buta të diellit mëngjesor ia prekin trupin kudo, e ledhatojnë. e gudulisin… e kënaqin…!
Por, sot ishte një ditë ndryshe. Njëra nga ato ditë kur je e: “tejetur!”.
Ndonëse nuk kishte asgjë në trup, ndjeu një zabullimë në vend të një freskie. I ngriti krahët lartë për t’i dhënë mundësi ndonjë puhize t’ia pushtojë trupin.
Ashtu iu kishte pjekur në kokë se, po t’i hapte pakëz këmbët dhe t’i ngriste krahët përpjetë, ngjashëm me veprimin e foshnjave që bëjnë pas një gjumi të ëmbël, do ta ndiente freskinë që do t’i përbirohej vrimave të poreve, që pastaj përmes damarëve do të arrinte t’ia prekte shpirtin.
Por, kot, nuk i erdhi ndjesia e kërkuar!
Iu afrua një luleje delikate dhe tërheqëse që gufon stinës verës, e që kishte stolisur parmakun e ballkonit, e që për nga bukuria ngjasonte me të, me shpresë se do ta ndihmonte në freskinë e kërkuar.
I mori erë dhe ia ledhatoi kërcellin, gjethet, kurorën, me butësinë femërore, por nuk e arriti efektin e dëshiruar. Veçse, sa u ngacmua lulja, e cila sikur përmes petaleve po i thoshte:
– Se ke nga vapa, është tjetër flakë ajo që po të ngacmon!
Pasi ia ‘ndjeu zërin”, mendueshëm u tërhoq mbrapa si një kërkim falje për lulen tërheqëse, nga e cila deshi të kërkoi pak freski, por që e ngacmoi deri në djersitje, me “sikletin” që kishte.
Doli jashtë për ta derdhë hijeshinë e saj kopshtit. Hapat e lehtë pupël po e qonin kah pishina. Këmbëzbathur të shkelte mbi bar i pëlqente shumë, por edhe barit që po zgjohej nxitueshëm përpjetë, i pëlqenin shputat e saja.
Mendja i tha se, nata dëshmitare e cila herë pas here ia kishte edhe zili, ndoshta dinte diçka rreth asaj që po e mundonte!? Ndoshta, për atë edhe mund t’ia kishte bërë ujin tamam, që trupi i saj, në këtë mëngjes, ta përjetonte një shkarkim?!
Në kristalet e ujit pa trupin mu siç shikohej në pasqyrë. Atë që ia panë sytë, njëherë e mori për peshk, pastaj për sirenë dhe në fund ishte ajo e tëra në refleksion. Disi kënaqej nga ajo që shihte dhe fantazonte, por sërish e ndiente një zjarrmi që ia kishte veshur si pelerinë tërë trupin, por e cila shpresonte se do t’i zhvishej posa të hynte në ujë, ku tani më i kishte zhytur këmbët.
Befas u kthye deri te shtrati më i afërt, pa mesazhet në telefonin që e kishte harruar mbrëmë, aty. Pasi të gjitha ishin SMS koti, e la atë dhe e mori një shami, mbuloi trupin për aq sa mbulonte ajo pëlhurë edhe ashtu e tejdukshme dhe u kthye sërish kah pishina, tani më e gatshme për not.
Ndonëse përherë notonte lakuriq, e kishte një shprehi, rregull e pashkruar, që para se të futej në ujë, të linte t’i binte diçka nga trupi, prandaj këtu merrte kuptim vendosja e shamisë përreth belit vetëm për pak sekonda. Nuk e di se pse, por eksitohej nga një veprim i tillë që e ngjallonte pastaj dhe ia bënte notin më hyjnor.
Noti i saj kishte një ritëm krejt ndryshe nga noti i rëndomtë. Nuk trazohej vetëm ajo pjesë e ujit të cilës i binte me dorë apo shkumohej nga lëvizjet e këmbëve, por sikur flluskonte krejt pishina. Notin në shpinë e bënte për të provokuar kthjelltësinë qiellore, ndërsa atë barkas, për të krijuar një panoramë të tillë enigme, që do të nxiste kritikë arti.
Shumëçka ishte jorezistuese. Rrathët valore të ujit krijoheshin vetvetiu edhe kur ajo qëndronte e qetë. I pëlqente kur e prekte vetveten nën ujë. Bashkë me trupin e saj, digjej edhe uji!
Zilja lajmëruese në telefonin e saj e nxori nga pishina me notin stil i lirë. Ashtu siç doli nga uji ai trup, e qoi peshë natyrën përreth. Një skulpturë gruaje me telefon në dorë pikte si një fontanë.
Rrezja e diellit ia flakëroi akoma fytyrën e qeshur kur pa emrin e dërguesit të mesazhit. Ishte e padurueshëm për ta shtypur sa më parë “PLAY-in” e një mesazhi zanor, sa që punoi me të dyja duart mbi ekranin e telefonit.
– “Shpirti im, kam arritur në aeroport. Për dyzetepesë minuta do të jem në shtëpi. Fort më ka marr malli…,mezi pres të të përqafojë…, të të “mbys” me puthje, e të…!
Gishti tregues shtypi komandën “PAUSE!”.
Shigjetat rrezatuese sado të forta, zunë të thyheshin dhe zhbëheshin në ujin tani më të freskët të pishinës, që po valëzonte akoma vijës ka kishte notuar ajo, e lules në ballkon po i hynte flladi ndër petale duke e bërë të dukej dy herë më e madhe se sa që ishte, derisa një trupi, qull i lagur, lëkura po i shkëlqente fort.
Në qiell u krijuan ca re, si t’i pikësh me penel, e asaj, tani më kishte filluar t’i hiqej zabullima…!

You Might Also Like