Shkruan: Dr. Blerim Haziri
Pozita gjeostrategjike e trojeve shqiptare e nxiti Italinë që në prill të vitit 1939, të pushtonte Shqipërinë, pastaj Gjermania në vitin 1941, pushtoi Jugosllavinë, por gjatë depërtimit të trupave italiane dhe gjermane në Kosovë, ushtria serbe në vend që të angazhohej për mbrojtjen e vendit nga pushtuesit, ajo vazhdimisht terrorizonte shqiptarët.
Pasi u pushtua Jugosllavia nga aleatët e Bllokut Qendror, pjesa më e madhe e Kosovës u përfshi në Zonën italiane të pushtimit dhe në bazë të një Dekreti, iu bashkua Shqipërisë, ndërsa një pjesë e Rrethit të Gjilanit dhe ana e djathtë e Moravës pjesë në veri të Pasjanit, Vitia, Kaçaniku i Vjetër, rrethet e Preshevës, Kumanovës, Bujanovcit, Shkupit, përfunduan nën pushtimin bullgar. Popullsia e trevës së Gjilanit kontribuoi për kapitullimin e Bullgarisë. Mbrojta e kufirit verilindor të Shqipërisë, në radhë të parë i takonte trevës së Gjilanit.
Qeveria shqiptare për të siguruar kufinjtë, mobilizoi popullsinë shqiptare dhe një rol të veçantë luanin qytetet kufitare. Këto forca u ngarkuan për pengimin e Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Jugosllavisë. Veprimtaria e këtyre forcave ishte nxitur me formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, e cila si Komandant të përgjithshëm për këtë anë zgjodhi Mulla Idriz Gjilanin.
Përgjegjës ushtarak për vijën e kufirit Shkup-Kumanovë-Preshevë-Bujanovc ishte Esat Berisha, anëtar i Komitetit Qëndror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Veprimtaria e forcave nacionaliste zhvillohej me angazhimin e Mulla Idriz Gjilanit, Xheladin Kurbaliut, Miftar Spahiut, Ibrahim Kelmendit, Sylë Hotla, Liman Stanecit, etj.
Në dhjetorin e vitit 1944, ushtria serbe-maqedone u vërsul kundër reaksionit, për të realizuar qëllimet e tyre antishqiptare. Për këtë dallohej Brigata XVII maqedone e Divizionit të 41-të, që vepronte në trevën e Gjilanit, por operonin edhe reparte të tjera serbe. Sulmin në Gjilan e provokuan Toma Popoviq, Sekretar i Komitetit të Partisë Komuniste Jugosllave të Gjilanit, Sima Mileniq, komandant i komandës së vendit, Lubo Shotra, shef I sherbimit secret famëkeq OZNA etj. Në këtë rast nacionalistët shqiptarë nuk posedonin armë të mjaftueshme për t’u mbrojtur. Mulla Idrizi, urdhëroi që të merrej armatimi që gjendej në depon e Hogoshtit. Brigada maqedonase arriti më 18 dhjetor 1944 në Hogosht dhe posedonin informacion se tek “Guri i Zi, mbi Zarbicë janë mbi 2000 nacionalistë shqiptarë”. Nacionalistët shqiptarë zunë pika strategjike, duke vrojtuar territoret mbi Hashani e Gallap.
Derisa lufta në këto treva vazhdonte, arrinin lajme nga Gjilani se OZNA, është duke masakruar shqiptarë të kësaj treve. Kjo vepër makabre e rriti revolten e Rezistencës dhe fitorja ndaj Brigadës Maqedone në luftën e Desivojcës e ngriti moralin që t’iu vihej në ndihmë popullit të burgosur në burgun e Gjilanit.
Komandanti i Shtabit Drejtues Mulla Idrizi thirri mbledhjen e shtabit më 20 dhjetor 1944, në një fushë midis Kopërnicës dhe Hogoshtit. Pjesëmarrës përveç anëtarëve të Rezistencës ishin edhe njerëz me ndikim në popull. Në këtë mbledhje Mulla Idrizi propozoi që mos të shkohet në Gjilan, sepse aty do të jetë fundi i rezistencës, dhe ishte shumë i vetëdijshëm se Gjilanin do ta merrnin, mirëpo nuk do të mund ta mbajnë, prandaj propozoi që të luftohet në male, sepse rezistenca nuk ishte gati për një sulm të tillë dhe si dëshmi kishin dështimin në Ferizaj dhe thoshte se gabimi nuk duhej përsëritur.
Debati i ashpër bëri që ky takim të përfundoj pa një vendim, pastaj Mulla Idrizi, kërkoi nga Muharrem Fejza, Lotë Vaku, Sylë Zarbica, Islam Sadllari e Shefki Desivojca, të tërhiqen në odën e Qazim Kopërnicës, dhe aty të debatonin në detaje për sulmin e Gjilanit.
Në këtë mbledhje të Shtabit Drejtues të Rezistencës, vendimi u mor që të prijnë në krahun e djathtë të rrugës Hogosht-Gjilan, nëpër rrëzat e malësive të Gallapit për t’u siguruar nga një sulm i mundshëm jugosllav nga drejtimi i Gjilanit. Pastaj Forcat e Rezistencës shqiptare kaluan nga Kopernica në Kamenicë dhe në orët e vona në Busavatë, të cilët pushuan deri më 21 dhjetor 1944. Po këtë ditë trupat e rezistencës rreth 600 veta kishin hyrë në Përlepnicë. Meqë Përlepnica nuk kishte banorë shumë ata u vendosen në rreth 30 oda. Sylë Zarbica ishte zgjedhur si komandant i sigurimit, ndërsa Nazif Rrahmani nga Përlepnica ishte zgjedhur komandant i rojës.
Mulla Idrizi vazhdimisht tentonte që së paku të shtyhet sulmi dhe në një mbledhje së fundi ju tha: “O burra, aman ma dëgjoni fjalën! Përsëritja e gabimeve ka përgjegjësi para historisë. Ta kthejmë popullin nga kjo rrugë që ka për ti kushtuar tepër shtrenjtë. Jam i sigurt se sot do ta marrim Gjilanin, por kurrë nuk do të mund ta mbajmë dhe ta mbrojmë atë. Kemi për ti marrë në qafë dhe përgjegjësia bie mbi ne udhëheqësit.”
Këtu ishin dy mendime njëri i Mulla Idrizit për mos sulm sepse ishte i vetëdijshëm për pasojat, kurse tjetri mendim ishte i Muharrem Fejzës për një sulm në Gjilan dhe në këtë mbledhje ishte votuar nga një shumicë e anëtarëve ku ishte mbështetur mendimi i Muharrem Fejzës, që të sulmohet Gjilani dhe komandën nga tani ta ketë Muharrem Fejza.
Shtabi Drejtues i Rezistencës filloi përgatitjen e sulmit. Muharrem Fejza i dërgoi fjalë Shytë Marecit dhe Hysen Tërpezës, që të sulmonin nga ana e Pasjanit dhe e Livoçit. Sherif Dediqit të Zajçecit, të vinte e të sulmonte nga Kufca e te “Kroi i Bardhë” i Gjilanit dhe në qendër të qytetit. Lam Breznica ishte urdhëruar që në Grykën e Konçulit të pengonte depërtimin e forcave jugosllave.
Vllada Popoviq për këtë sulm ishte i njoftuar dhe së bashku me Shërbimin Sekret, hartuan strategji që ti befasonin nacionalistët duke lejuar hyrjen në qytet pa rezistencë të frortë dhe pasi të hynë në qytet të sulmohen nacionalistët shqiptarë, mëpastaj të mos kursehen as banorët shqiptarë të qytetit.
Edhe pse Vllada Popoviçit iu kërkua nga koministët shqiptarë, që të dilet e të luftohet jashtë qytetit, ai këtë nuk e pranoi. Vllada Popoviç ishte në dijeni që Forcat e Rezistencës Shqiptare do t’i lironin të burgosurit shqiptarë nga burgjet e OZNA, prandaj dha urdhër që të vritej udhëheqësia shqiptare.
Muharrem Fejza e kuptoi vuajtjen shpirtërore të Mulla Idrizit, prandaj në emër të Shtabit Drejtues e lutën që mos të afrohet më shumë se Bunari i Përlepnicës. Madje i thanë se ne ishim ata që vendosëm për sulm në Gjilan, pa bekimin tuaj, ndaj kemi frikë se do të të humbim, e humbja jote do të thotë fundi i Rezistencës. Prandaj, Mulla Idrizi me disa luftëtarë kishte qëndruar te “Bunari i Përlepnicës” për të siguruar prapavijen e sulmeve shqiptare. Gjatë sulmit të Rezistencës shqiptare ai u vendos në Kosaçë, afër lagjes së muhaxherëve, midis Kufcës e Përlepnicës, për ta përcjellur me durbi zhvillimin e ngjarjes. Duke qenë të informuar se Rezistenca Shqiptare do ta sulmonte Gjilanin, forcat kryesore jugosllave u larguar në drejtim të Korotishtës, Stanishorit, Shillovës e Velekincës, në mënyrë që sulmuesit të hynë në qytet të papenguar, pastaj t’i rrethojnë e sulmojnë nga jashtë pa kursyer as civilë.
Në mëngjesin 23 dhjetorit 1944, Muharrem Fejza me bashkëluftëtarë shqiptarë, nisen rrugës nga Përlepnica për në Gjilan. Deri në orën 9 të mëngjesit çliruan pjesën më të madhe të qytetit, me përjashtim të ndërtesës së OZN-as dhe të burgut, të cilat ishin shumë të sofistikuara dhe në të ishin vendosur të burgosurit shqiptarë. Forcat shqiptare të Rezistencën arriten të lironin 37 të burgosur.
Pasi liruan të burgosurit, Forcat e Rezistencës filluan të largohen nga Gjilani me një sasi të madhe armatimesh ushtarake që arriten ta merrnin nga kazermat e armikut. Tërheqja pa ndonjë urdhër të përgjithshëm e tmerroi Mulla Idrizin.
Menjëherë pas tërheqjës së pjesës kryesore të Rezistencës Shqiptare, filloi sulmi i përgjithshëm i ushtrisë serbe dhe paramilitarëve, të cilëve në ndihmë iu erdhi Batalioni nga Ferizaj.
Mulla Idrizi duke ndier se diçka e rëndë po ndodhte, kishte shkrepë pesë here me pushkë si sinjal për tubimin e Rezistencës Shqiptare, e para kishte arritur njësiti që kishte për detyrë mbledhjen e armatimit, pastaj arrinë njësiti i Sylë Zarbincës dhe së fundi arrinë Muharrem Fejza, të cilët me veti kishin edhe robër lufte.
Mullai edhe pse nuk ishte pajtuar me një sulm të tillë kundërshtimin e vetëm, e kishte shprehur me një ofshame dhe kishte thënë se kështu e paska qenë e shkruar, por tani të jemi roje të fshatrave, sepse i ndruhej një sulmi të përgjakshëm në Përlepnicë e rrethinë.
Urdhëri nga Armata Jugosllave ishte dhënë që mos të kursohen as gra e fëmijë shqiptarë.
Armikut dëm të konsiderueshëm i kishte shkaktuar njësiti i Sherif Dediqit të Zajçecit, të cilët ishin pozicionuar në qendër të qytetit dhe sulmin e kryenin nga minarja e Xhamisë së Madhe. Luftimet kishin vazhduar deri në ditën e 24 dhjetorit 1944.
Vrasje e burgosje të shumta ishin kryer edhe para sulmit të Rezistencës shqiptare dhe kursesi nuk duhet të mendohet, thuhet dhe shkruhet se sulmi kishte ndodhur pas Çlirimit të Qytetit të Gjilanit, mirëpo gjilanasit tmerrin nga komunistët serb e përjetoi pas 23 dhjetorit 1944, të cilët kinse duke i trajtuar si nacionalistëm keqpërdorën momentumin dhe vritnin shqiptarë pa mëshirë. Kjo formë gjenocidale, masakra, vrasje, burgosje, largimi me dhunë nga shtëpitë e tyre, e detyruan popullatën shqiptare ta lëshonin Gjilanin.
Sulmi i njohur i vullnetarëve shqiptarë të Mulla Idrizit, ishte një nga përpjekjet për ta shpëtuar Gjilanin nga forcat jugosllave. Ishte sulm popullor anti-sllav, anti-komunist, anti-fashist.