Libri

NANA, ZANA JEME

Poezia që fitoi Çmimin e dytë në konkursin letrar të Manifestimit “Flaka e Janarit” 2020

Afrim DEMIRI

NANA, ZANA JEME

Nana jeme I ka pasë flokt’
deri te zogu I kambës
Shpeshi lyente me gaz
dhe pastaj unë ia shpupuritsha
me gishta se ju lidhshin fijet
ndër veti

Kisha qef kur lahej ajo
fillova me pëlqye erën e gazit
Trupi i saj m’dukej ma i gazt’
kur i l’shonte flokt’ fundekreje

Vjershat për zanat
i m’sojsha shumëleht’
mendojsha se nana jeme
asht’ njena nga ato

U g’zojsha kur m’thojshin
i ke flokt’ si t’nanës
shpresojsha se nuk kan’
me m’ra si babës

Kur i lidhte flokt’ topuz
i dilshin vetllat gjithë hark
mue m’zinte gjumi n’krah t’saj
dhe shihsha andërr nji zanë

Nana asht’ grueja e vetme
që e kam pa me flokt’ si zana

NGA “PENA E FLAKËS” 2020

NUK KAM FOTO PËR VDEKJE

Mos e shpërndani koblajmin tim
si afishe marketingu të një
dhembjeje

Mos ua prishni rutinën e ditës
kalimtarëve të rastit

Të njohurit mund ta nxjerrin një Oh
apo një Ah

Të panjohurit mund ta masin
moshën time
me të tyren

Në vitrina dyqanesh mos e ngjitni
fletëvdekjen time

Shitësit mund të hidhërohen
se ua mbuloni çmimet
e rrobeve të reja

O ju lutem
foton time mos e shumëfishoni
si të ndonjë politikani në Zgjedhjet
Lokale

Besoni asnjë foto e imja
nuk e meriton hijen e vdekjes

Në fund të fundit
nuk kam foto për vdekje

Mos e bëni lajm vdekjen time
ajo nuk e meriton këtë
ajo le të varroset në anonimitet
së bashku me mua

___________

( Fotografia, nga Rozafë Shpuza )

You Might Also Like