Gjilan

Ndërroi jetë Xhemajl Xhemajli, veteran i arsimit

Pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, ka ndërruar jetë mësuesi Xhemajl Xhemajli,, me prejardhje nga fshati Capar,  komuna e Gjilanit, kanë bërë të ditur familjarët e tij.

Në njoftimin mortor, familja ka shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e më të dashurit të tyre:

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se ka ndërruar jetë më i dashuri ynë, babai ynë Xhemajl Xhemajli. Do ta kujtojmë përjetë për shpirtin e bardhë dhe njerëzinë e tij. Për detajet e varrimit dhe të pamës do t’ju njoftojmë me kohë.”

Mësuesi Xhemajl Xhemajli kishte qenë i pensionuar prej vitesh, ndërsa për një periudhë të gjatë kishte shërbyer në shkollën fillore “Avdullah Tahiri” në Malishevë, ku edhe kishte përfunduar karrierën e tij në arsim.

Ai la gjurmë të thella në edukimin e shumë brezave, duke u kujtuar si një mësues i përkushtuar, i drejtë dhe shumë i afërt me nxënësit.

Një nga veçoritë që e dallonte ishte përkushtimi i jashtëzakonshëm profesional.

Për dekada me radhë ai mbante ditarë personalë për secilin nxënës, ku regjistronte gjendjen fizike, psikologjike, vështirësitë dhe përparimin e tyre, një praktikë e rrallë që dëshmonte kujdesin e tij të veçantë për secilin fëmijë.

Përveç kontributit në arsim, mësuesi Xhemajl njihej edhe si njeri me shpirt humori, sportist dhe dashamir i madh i sportit, duke lënë trashëgimi jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në sport, përmes familjes dhe brezave që edukoi.

You Might Also Like