Gjilan, 15 dhjetor 2020 – Është përuruar të martën pllaka falënderuese në shtëpinë e Ukshin Rexhepit në Gjilan, e cila gjatë viteve 1990-1992 kishte shërbyer si shtëpi-shkollë për nxënësit e shkollës së mesme “Mehmet Isai”.
Në ceremoninë e vendosjes së kësaj pllake ka marrë pjesë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ministri i Arsimit, Ramë Likaj, sikurse edhe deputetët e Kuvendit, Valentina Bunjaku Rexhepi e Frashër Demaj.
Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka thënë se kjo pllakë është përkujtim për ngjarjet më të lavdishme të historisë sonë, e cila vë në fokus kujtesën tonë për një pjesë të rëndësishme të popullit shqiptar për të mbajtur në këmbë arsimin shqip në kushte të okupimit serb.
“Në mesin e familjeve të dëshmuara të përkrahjes së arsimit shqip në kohë të vështirë është edhe familja Rexhepi, e cila mundësoi që në shtëpinë e tyre të organizohet mësimi, ku nga kjo shtëpi ndoqën dhe përfunduan mësimin me dhjetëra nxënës. Në shenjë falënderimi Ministria e Arsimit në mënyrë simbolike vendos pllakën për shtëpinë-shkollë të familjes Rexhepi, për të kujtuar gjithmonë se këtu zhvilluan mësimet nxënësit e shkollës së mesme teknike në Gjilan”, ka thënë ministri Likaj.
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, tha se Ukshin Rexhepi e ka ofruar të gjithë pasurinë dhe asetet e veta familjare në rrugën e ndërtimit të kësaj Republike në një kohë të pakohë.
“Shtëpia-shkollë e Ukshin Rexhepi ka qenë rezistencë aktive e kohës. Ne i themi faleminderit për rezistencën dhe angazhimin që ia ke dhënë këtij vendi e kësaj Republike”, tha Haziri.
Deputeti Frashër Demaj tha se ishte ndjenja fisnike e patriotike e familjes Rexhepi e cila e ofroi shtëpinë e tyre në shërbim të nxënësve, në mënyrë që këta nxënës të mos mbesin rrugëve dhe të mos lejonte gjunjëzimi i arsimit shqip.
Fjalë falënderimi në fund pati edhe pronari i kësaj shtëpie-shkollë, Ukshin Rexhepi, i cili tha se në këtë shtëpi të voogël është vendosur një pllakë e madhe.
“Vendi ka qenë i vogël, por interesi për ta ndërtuar shtetin ka qenë i madh. Ju faleminderit shumë”, tha Rexhepi.
Ndryshe, gjatë ditës, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj së bashku me drejtorin e DKA’së, Nazim Gagica, kanë vizituar shkollën fillore “Agim Ramadani” në Zhegër, i ciliëështë informuar për procesin e mësimit në kohë pandemie dhe për përgatitjet për përmbylljen me sukses e gjysmë vjetorit të parë sipas kalendarit të MASH.