Para nxënësve të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan është prezantuar programi i Punës Praktike, me qëllim që të eksplorohen interesat e nxënësve dhe të rriten aftësitë e tyre për punësim.
Ky është një cikël i rii i punës praktike të Kosovo Generation Unlimited (K-GenU), i cili fuqizon dhe punon me të rinjtë duke i lidhur me mundësitë për përmirësimin e tranzicionit të tyre nga shkolla në punë.
Siç kanë theksuar prezantueset e këtij programi, ai ofron punë praktike për të rinjtë që duan të fitojnë përvojë ne mjedise profesionale dhe të ndërtojnë aftësitë e tyre, ndërkohë që u ofrohen trajnime dhe mentorë për t’i mbështetur në rrugëtimin e tyre. Përmes një partneriteti të zgjeruar dhe nën udhëheqjen e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, UNICEF-it dhe Odës Ekonomike Gjermano – Kosovare, kjo iniciativë e suksesshme e zhvillimit të aftësive dhe punësimit do të ofrojë hapsirë dhe mundësi për deri në 10,000 të rinj.
Organizatorët i kanë ftuar të rinjtë nga mosha 16 – 24 vjeçare që të regjistrohen në platformën digjitale www.kosovogenu.com/register , që të krijojnë profilin e tyre, të përcjellin shpalljet e postuara nga kompanitë dhe organizatat në platformën digjitale apo aplikacionin mobil dhe të shprehin interesimin për të aplikuar direkt aty dhe pasi që të aplikojnë, mbi ecurinë dhe statusin e aplikimit do të njoftohen përmes e-mailit apo njoftimeve në telefonin e tyre.






