Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Dega në Gjilan, përkatësisht Grupi i Asamblistëve, ka dorëzuar sot kërkesën zyrtare për thirrjen e një seance urgjente të Kuvendit Komunal, me qëllim të trajtimit urgjent të gjendjes së krijuar në lagjen Dardania, si pasojë e keqinterpretimit, mosinformimit dhe keqzbatimit të decentralizimit, që po ndan në mënyrë të padrejtë qytetarët nga komuna e tyre.
Më tej në komunikatën e këtij subjekti politik thuhet:
Lagjja Dardania, e njohur historikisht si pjesë integrale e territorit të Gjilanit, po përjeton sot një realitet absurd ku institucionet komunale refuzojnë të ofrojnë shërbime për banorët e saj, duke pretenduar se ajo tashmë i takon Komunës së Novobërdës. Kjo situatë është e papranueshme dhe e paligjshme, dhe PDK Gjilan nuk do të heshtë përballë një padrejtësie kaq të rëndë ndaj qytetarëve tanë.
Ky problem është çështje e rëndësishme e dinjitetit qytetar dhe funksionaliteti institucional. Është pasojë e heshtjes së qëllimshme të Qeverisë së Kosovës dhe e një administrate lokale të paaftë, që nuk mbron interesin e qytetarëve të vet, asnjëherë të vetme nuk lëvizi në trajtimin e këtij problemi edhe pse ligji e lejon një ndryshim të vijës kadastrale, por nuk ka qenë temë e levërdishme për pushtetin katër vjeqar të VV në qeveri dhe komunë.
Andaj, PDK Gjilan kërkon:
1. Thirrjen urgjente të një seance të Kuvendit Komunal të Gjilanit.
2. Harmonizimin politik mes subjekteve për të inicuar procedurat ligjore për korrigjimin e vijës kadastrale mes Gjilanit dhe Novobërdës.
3. Krijimin e një grupi punues të veçantë, që do të hartojë propozimin për kthimin e lagjes Dardania në juridiksionin funksional dhe administrativ të Komunës së Gjilanit.
4. Angazhim të drejtpërdrejtë nga MAPL, AKK dhe Qeveria e Kosovës, për të garantuar një proces të ligjshëm, të drejtë dhe transparent.
PDK Gjilan e bën të qartë se asnjë institucion i Komunës së Gjilanit nuk ka të drejtë t’u mohojë shërbime banorëve të Dardanisë.
Ky është një moment për të vepruar me unitet dhe guxim politik, në mbrojtje të qytetarëve tanë.
Gjilani nuk do të heshtë. Lagja Dardania nuk do të mbetet jashtë. Qytetarët tanë nuk do të trajtohen si të huaj në qytetin e tyre.