Gjilan

Në rrugën “15 qershori” në Gjilan tabela lajmëron se parkimi lejohet 1-3 minuta e veturat qëndrojnë tërë ditën

Në tabelën sinjalizuese shkruan se parkimi lejohet vetëm në kohëzgjatje 1-3 minuta, por vetura e tij me orë të tëra po qëndron e parkuar, bile jo vetëm sot, por çdo ditë pune të javës, ngase ai që e la veturën është në punë.

Në rrugën “15 qershori” banorët dhe subjektet afariste që veprojnë në këtë rrugë janë në hall, ngase banorëve po u mbyllen hyrje-daljet për në shtëpi e lokaleve afariste po u zihen dyert, pamja e fryma nga veturat që aty qëndrojnë me orë të tëra.

Duke mos mundur të gjejnë rrugëdalje, banorët dhe afaristët e kësaj lagje disa herë u janë drejtuar Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Policisë së Kosovos, por zgjidhja nuk u gjet.

“Në kreun e rrugës qëndron shenja se parkimi lejohet në kohëzgjatje prej 1 deri në 3 minuta, por ka qytetarë që në këtë vendparkim të përkohëshëm veturat i lënë tërë ditën”, bëjnë me dije qytetarët që tashmë i kanë mësuar edhe target e veturave që vijnë këtu e parkohen dhe prej mëngjesit e deri në buzëmbrëmje nuk lëvizin nga vendi.

Qytetarët e revoltuar thonë se disa herë kanë qenë në Drejtorinë për Shërbime Publike, e cila është në pritje të miratimit të rregullores, ngase pikërisht kjo pjesë është paraparë që të bëhet parkim me pagesë. Sipas kësaj drejtorie rregullorja është dërguar për miratim në Asamblenë Komunale të Gjilanit, por ajo ende nuk është miratuar.

Një afarist teksa bënë me dorë, thotë se ja pikërisht kjo veturë këtu qëndron tërë ditën, kurse pronarja e saj ka shkuar të marrë zanat. “Neve kjo veturë po na pengon në biznes, në shpërndarje të mallit dhe në hyrjen nëpër shtëpitë tona. Për këtë disa herë i jemi drejtuar komunës, e cila na sugjeron të thërrasim policinë, e policia na sugjeron të kontaktojmë komunën”, thotë qytetari i revoltuar.

Qytetarët kërkojnë një zgjidhje, aq më parë që tashti është edhe koha e ardhjes së mërgimtarëve, kur trafiku është më i ngjeshur e tollovitë shtohen edhe më shumë, është kohë kur pritet që së paku të kenë afarizëm më pozitiv së paku këta muajt e verës, andaj kërkojnë nga komuna e polcia që të ndërmarrin masa dhe të ndërgjegjësojnë ata që nuk i respektojnë rregullat./kryelajmi.com/.

You Might Also Like