Në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, në Gjilan është hapur të enjten Panairi i Punës dhe Karrierës 2025. Në emër të Rektorit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof.Asoc.Dr. Artan Dërmaku, mirëseardhje në Panair u ka dëshiruar Prof. Dr. Naim Mustafa, Prorektor për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, që e ka vlerësuar Panairin një ngjarje të rëndësishme që reflekton misionin e UKZ-së për të afruar më shumë arsimin e lartë me kërkesat reale të tregut të punës.
Mustafa tha se ky panair nuk është thjesht një ngjarje kalendarike, por një pasqyrim i qartë i përkushtimit të tyre institucional për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes universitetit dhe sektorit privat. Ai shtoi se synimi i UKZ-së është të fuqizojnë këtë ndërlidhje dhe të ndihmojnë studentët në një tranzicion të suksesshëm nga jeta akademike në atë profesionale.
“Falë partneritetit me GIZ Dimak, Qendrën për Zhvillim të Karrierës dhe Alumnisë, si dhe kompaninë MODUS, kemi ndërtuar një platformë funksionale ku studentët kanë mundësinë të takohen me përfaqësues të bizneseve, të eksplorojnë mundësi punësimi, praktike, trajnimi dhe të zgjerojnë rrjetin e tyre profesional”, tha tutje, prorektori Mustafa.
Ai shtoi se sot, më shumë se kurrë, universitetet duhet të veprojnë në bashkëpunim të ngushtë me realitetin ekonomik dhe social. Mustafa tha se në një kohë kur tregu i punës është gjithnjë e më dinamik dhe konkurrues, është e domosdoshme që të rinjtë të pajisen me njohuri, aftësi dhe përgatitje që u mundësojnë një integrim të suksesshëm në botën profesionale. Në këtë drejtim, edukimi duhet të zhvillohet në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe ekonomike.
Prandaj, tha Mustafa, një nga prioritetet e tyre strategjike është që përmes bashkëpunimeve të tilla të zhvillojnë tek studentët kompetencat që përkojnë me nevojat e tregut të punës. “Ky panair është dëshmi e qartë e kësaj përpjekjeje”, tha ai.
Mustafa iu drejtua edhe studentëve duke i ftuar që këtë ngjarje ta shohin si një mundësi konkrete për të ndërtuar kontakte të para me punëdhënësit, për të mësuar mbi pritjet e tregut, për të ndërtuar profilin e tyre profesional me vetëbesim dhe për të marrë vendime të informuara për të ardhmen e tyre.
“Shpreh falënderimet e mia të përzemërta për të gjithë partnerët tanë – veçanërisht për GIZ Dimak dhe MODUS – për përkrahjen e tyre të vazhdueshme dhe bashkëpunimin konstruktiv. Falënderim i veçantë i shkon edhe Qendrës për Zhvillim të Karrierës dhe Alumnisë, për punën e palodhshme në organizimin dhe realizimin e kësaj ngjarjeje me vlerë të veçantë. Me këtë rast, kam kënaqësinë dhe nderin të shpall zyrtarisht të hapur Panairin e Punës dhe Karrierës 2025”, ka thënë në fund Prof. Dr. Naim Mustafa, Prorektor për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë në UKZ.
Pjesë e Panairit të Punës dhe Karrierës në Universitetin “Kadri Zeka”, ishte edhe Enver Shabani, drejtor i Drejtorisë Komunale për Zhvillim Ekonomik.
Sipas tij, ky panair ka shërbyer si platformë ndërvepruese mes studentëve, bizneseve, institucioneve publike dhe organizatave ndërkombëtare, me qëllim krijimin e urave të bashkëpunimit që mundësojnë punësim, praktikë profesionale dhe ndërtim të një karriere të qëndrueshme në vend.
Shabani theksoi përkushtimin e Komunës së Gjilanit për të mbështetur iniciativa të tilla që përforcojnë lidhjen ndërmjet tregut të punës dhe arsimit, si dhe për të krijuar politika konkrete që nxisin vetëpunësimin tek të rinjtët dhe studentët.
“Drejtoria për Zhvillim Ekonomik në bashkëpunim me Kryetarin e Komunës për këto 3 vite ka ndarë rreth 500 mijë euro subvencione nga buxheti vetanak i Komunës për krijimin e bizneseve të reja dhe inciativave për ndërmarrësi”, ka thënë Shabani, për të shtuar se pjesëmarrja e tyre në këtë panair të punës dëshmon vullnetin institucional për të qenë afër të rinjve dhe për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet veti.
Drejtori Shabani i përgëzoi organizatorët për këtë iniciativë dhe organizim të panairit të punës dhe i fton të gjithëve studentët, bizneset, institucionet të shfrytëzojnë maksimalisht bashkëpunimin dhe mundësinë e komunikimit ndërmjet veti.
Përndryshe, organizatorët e vlerësuan të suksesshëm këtë Panair, në të cilën pjesëmarrës ishin biznese të ndryshme nga Gjilani e më gjerë të cilët u shprehën të gushëm për bashkëpunime të këtij lloji, që ndërlidhen me tregun e punës.