Komuna e Vitisë mirëpriti sot një delegacion nga Shqipëria, në kuadër të vizitës së shkëmbimit që po zhvillohet në Kosovë, me synim ndarjen e përvojave dhe praktikave më të mira për barazinë gjinore në nivel lokal. Delegacioni përfshinte përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, si dhe nga disa bashki të Shqipërisë, përfshirë Tiranën, Elbasanin, Roskovecin, Lushnjen, Lezhën, Maliqin, Kamzën, Divjakën, Dibrën dhe Malësinë e Madhe. Gjithashtu, në takim morën pjesë ekipet e projekteve të UN Women nga Shqipëria dhe Kosova. Diskutimet u fokusuan në përmirësimin e njohurive dhe aftësive të zyrtarëve lokalë në zbatimin dhe monitorimin e planeve për barazi gjinore, si dhe në promovimin e mekanizmave të pjesëmarrjes qytetare dhe llogaridhënies. Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, si nikoqir i këtij takimi mbajti një fjalë rasti ku theksoi përkushtimin e komunës për të fuqizuar gratë dhe vajzat, si dhe për të ndërtuar politika gjithëpërfshirëse që garantojnë mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët. “Barazia gjinore nuk është vetëm një çështje sociale apo politike, por një element kyç për zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në komunën tonë. Ne kemi punuar vazhdimisht për të rritur përfaqësimin e grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse, duke u siguruar që zëri i tyre të dëgjohet dhe të ketë ndikim real,” u shpreh Haliti. Gjatë takimit, delegacioni nga Shqipëria parashtruan pyetje për ekzekutivin e Komunës së Vitisë, ku u shkëmbyen mendime dhe u prezantuan përvojat konkrete të dy vendeve në zbatimin e planeve lokale për barazi gjinore. Ky dialog u vlerësua si një mënyrë praktike për të nxitur bashkëpunimin dhe për të mësuar nga praktikat e suksesshme. Komuna e Vitisë, e cila tashmë ka miratuar Planin e saj Lokal të Veprimit për Barazinë Gjinore, u prezantua si shembull i përkushtimit institucional për ndërtimin e një komune më gjithëpërfshirëse. Ky proces po mbështetet nga projekti Instrumenti për Barazi Gjinore, i financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga UN Women. Takimi u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave mes institucioneve dhe për forcimin e partneriteteve në fushën e qeverisjes vendore me ndjeshmëri gjinore. Në shenjë mirënjohjeje, delegacioni nga Shqipëria i dhuroi një dhuratë simbolike kryetarit Haliti. Aziz Zuka