OPINION

NË ZVICËR DJE “DRITA ISHTE SHTETI“

Nehat Osmani

Shteti mbrohet në front, me trimëri e sakrificë, shteti mbrohet edhe në paqe, me punë, dije e disiplinë, me diplomaci e drejtësi, por Shteti dje mbrohej në Zvicër, e aty s’pati kush ta mbroj.

Në Zvicër dje DRITA ishte shteti e shteti nuk e mbrojti, në Nyon dje DRITA ishte komuna e Gjilanit e komuna nuk i doli në krah, në UEFA dje DRITA ishte federata e futbollit të Kosovës e FFK nuk e përfaqësoi.

Në një front të vetëm, lojtarët dhe stafi i Dritës mbetën të vetëm, të izoluar, të traumatizuar, të poshtëruar.
Përkundër kësaj, sportistët tanë e mbanë qëndrimin vertikal, të pamposhtur e të dinjitetshëm kthehen triumfalistë në atdheun e tyre.

Këmbëngulës për drejtësi do të vazhdojnë përmes rrugëve ligjore ndërkombëtare, përsëri të vetëm.
Por do t’ia dalin!

Duke bartur turpin e të tjerëve, të këtyre që na përfaqësojnë politikisht, të këtyre që flasin në emër të tyre sa herë u nevojiten e asnjëherë kur ata kanë nevojë për ta, të këtyre që përvetësojnë e vjedhin meritat e tyre por asnjëherë s’u dhanë e japin diçka nga vetja e tyre.

Janë sjelljet e këtyre që janë derivat i vjedhjes së vullnetit të qytetarëve, mashtrimeve e gënjeshtrave, pazarxhinjve e hipokritëve.

Janë heshtjet e këtyre që i dinë dyert e zyret nga kalohet tek posti i presidentit dhe kryeministrit, por për 20 vjet s’u treguan qytetarëve nga janë dyert e prosperitetit, sportistëve e artistëve nga janë dyert e afirmimit, të rinjve dyert e së ardhmes.

Janë këta të shtangurit mes urës së injorancës e të mosdijes, në krye të keqmenaxhimit e paaftësisë që vetëm numërojnë viktimat e të infektuarit nga COVID-19, copëtojnë shtetin, gjymtojnë komunën e qytetin.

Janë këto karizma fake të kryetarit të Gjilanit që as edhe një përkrahje morale s’u ofroi lojtarëve tanë të braktisur, as edhe një mbështetje elementare s’u siguroi djelmoshave që përfaqësonin shtetin tonë, vlerat tona nacionale. Ishin të zënë duke koketuar si ta mbajnë uzurpuar pushtetin.

Jeni pyetur ndonjëherë pse kaq shumë artistë e sportistë tanë të admiruar e vlerësuar nëpër botë, nga të rinjtë e shteteve më të fuqishme në botë, idol e idhuj të tyre.
– Ngase janë larg influencës e kthetrave të llojit të këtyre prijësve tanë, të këtyre parazitëve shkatërrimtar të vlerave tona njerëzore e shtetërore.

Në vend se NE të largohemi nga ta, t’i largojmë ata nga NE.

Shteti dhe fronti nuk mbrohen nga humbësit, vetëm fituesit mund t’i dalin zot fituesve, e DRITA dje ishte fituese.
GJILANI nesër poashtu do jetë fitues, gjithashtu e vetme, pa shtetin e vet, pa komunën e vet, pa federatën e vet.

POPULLI do të jetë fitues.

Vetëm atëherë kur të zgjedhurit e tyre do jenë në pushtet e do mbrojnë interesat e tyre. Vetëm atëherë kur komunën t’ia dorëzojmë qytetarëve të saj.

Është koha për të “RIARDHUR DITA”

You Might Also Like