Nga ironia e skenës te pasqyra e kohës: Teatri i Tetovës me ‘Dramë për të qesh’ hap edicionin e 35-të të Festivalit ‘Talia e Flakës 2026’
Me shfaqjen “Dramë për të qesh” nga Teatri i Tetovës u hap edicioni i 35-të i Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2026” në Gjilan, nën patronatin e Kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, dhe me përkujdesjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, në kuadër të manifestimit tradicional mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”.
Festivali, si një nga shtyllat kryesore të “Flakës së Janarit”, u prit me interesim të madh nga artistë dhe artdashës nga hapësira shqiptare, me pjesëmarrjen e zyrtarëve institucionalë, drejtuesve të Fakultetit të Arteve dhe artistëve nga Maqedonia e Veriut e Lugina e Preshevës.
Organizatori Migjen Fazliu nga “Varg e Vi” ftoi aktoret gjilanase Mejreme Berisha, Emine Toska, Aurita Agushi dhe Safete Mustafa, të cilat prezantuan programin e festivalit. Dhjetëra artistë do të sjellin shfaqje nga 24 deri më 28 janar, me këtë program:
• 24 janar: “Dramë për të qesh” – Teatri i Tetovës
• 25 janar: “Sytë e ujkut” – Doruntina Basha, regji Kushtrim Koliqi, prodhim i “Integra”
• 26 janar: “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” – Teatri “Adriana” Ferizaj, tekst Jeton Neziraj, regji Agon Myftari
• 27 janar: “God Bless America” – Teatri i Gjilanit, autor dhe regjisor Fatos Berisha
• 28 janar: “Gërdia” – Teatri Kombëtar i Kosovës, tekst dhe regji Astrit Kabashi, fituese e Konkursit të Dramës Shqipe “Katarina Josipi” 2025
Çmimet e sivjetme parashohin gjashtë kategori, duke përfshirë koreografi, skenografi, kostumografi, dizajn dritash dhe kompozim muzikor, si dhe pesë çmime të tjera: aktori më i mirë, aktorja më e mirë, regjia më e mirë, teksti më i mirë dhe çmimi kryesor për shfaqjen më të mirë.
Juria përbëhet nga Ali Demi, Tringa Hasani dhe Ilir Bokshi.
Hapja u zhvillua pa ceremoni të ekzagjeruara, duke lënë hapësirë për prezantimin skenik të trupës së Tetovës, me aktorë si Arsim Kaleci, She Ilazi, Petrit Neziri, Ermal Çanga, Arta Zejneli, Elmir Sejfullai, Sami Mustafa, Abdulla Osmani, Bekim Jahiu, Linda Shabani dhe Hasim Memishi Sopi.
“Dramë për të qesh” sjell një vizion postmodern të dramaturgut Sulejman Rushiti. Personazhet e Shekspirit rimodelohen në karaktere bashkëkohore, duke krijuar një paralelizëm mes teatrit klasik dhe absurditetit të përditshëm shoqëror e politik. Figura nga “Hamleti”, “Makbethi”, “Othello”, “Mbreti Lir”, “Jul Cesari”, “Romeo dhe Zhulieta”, “Ëndrra e një nate vere” etj, bashkohen me tipologji aktuale: punonjës mediokër të teatrit, figura që pretendojnë emancipim dhe kulturë elitare, duke reflektuar marrëdhëniet mes artit dhe pushtetit.
Qysh në kohët antike, teatri ka shërbyer si pasqyrë kritike e shoqërisë, duke sfiduar pushtetin dhe paralajmëruar publikun mbi pasojat e keqqeverisjes.
Edhe sot, misioni i tij mbetet i njëjtë: të nxjerrë në pah absurditetet dhe të nxisë diskutim kritik për zhvillimin shoqëror. Shfaqje si “Dramë për të qesh” vazhdojnë këtë traditë, duke përdorur ironinë dhe absurditetin për të reflektuar realitetin tonë lokal, duke rikujtuar se teatri antik ishte konceptuar për të korrigjuar vet pushtetin.
Manifestimi “Flaka e Janarit 2026” do të vazhdojë deri më 31 janar me aktivitete të shumta kulturore në artet letrare dhe muzikore.
Gala Mbrëmja festive dhe ndarja e çmimeve do të mbahet më 31 janar në resortin “Vali Ranch”, ku do të shpallen fituesit në katër shtyllat kryesore: Arte Letrare, Arte Skenike, Arte Pamore dhe Arte Muzikore, përfshirë poezinë dhe tregimet fituese në “Orën e Madhe Letrare” dhe festivali i këngës “Fest Flaka 2026”.




