Shoqata e Gastronomeve të Kosovës ka takuar pasditen e sotme zëvendësministrin e Shëndetësisë, Arsim Berishën, me të cilin kanë diskutuar rreth masave të reja që pritet të vendosen nesër, shkruan Gazeta Insajderi.
Insajderi mëson se nga ky takim është diskutuar zgjatja e orës për restorante e kafiteri, ku pritet që të zgjaten deri në orën 23:00 po ashtu edhe heqja e orës policore dhe lirimi i ahengjeve e klubeve të natës.
Arian Veanica nga Shoqata e Gastronomëve tha për Insajderin se kanë kërkuar masat e cekura më lartë ku sipas tij pritet që të merret vendim nesër për to.
“Ishim ne takim me zv. Ministrin. Kërkuam mu liru ahengjet, klubet, dhe funksionimi i kafe bar restoranteve sipas rregulloreve komunale, si dhe të hiqet ora policore. Një pjesë do të aprovohen, po të shohim se çka vendoset me sigurtë” tha ai.
Në takim me përfaqësues të shoqatës ishin edhe shefi i kabinetit, Kujtim Salihu dhe këshilltarja politike, Lumturie Beka.
Ndërkohë nesër pritet që Qeveria e Kosovës të publikoj masat e reja anti-Covid.
Masat sipas rregullores komunale janë për kafe deri në orën 23:00 gjatë dimrit ndërsa gjatë verës deri në orën 24:00.