ARSIMI

NJЁ JETЁ KUSHTUAR SHKENCЁS

Shkruan: dr. Baftijar Kryeziu
NJЁ JETЁ KUSHTUAR SHKENCЁS
(Prof. dr. Faik Shkodra dhe veprimtaria e tij profesionale-shkencore)
I nxitur nga kërshëria, por edhe nga një obligim moral e shoqëror, disa radhë të shkruar për prof. dr. Faik Shkodrën, nuk ka se si të mos kenë domethënien e vet, kur dihet se fjala është për një njeri e intelektual, i cili, me gjithë krajatat e vështirësitë që e përcollën: edhe si fëmijë, edhe si nxënës, edhe si student, diti dhe mundi t’i përballojë ato. Diti dhe mundi t’i mposhtë sfidat e jetës, për t’u ngjitur vetë drejt majave të dijes e të shkencës, atyre majave të cilave ua mësyjnë shumë e ia dalin pak vetë.
Profesor Faiku, pas mbarimit të shkollës 4-klasëshe në Desivojcë, në fshatin e tij të lindjes, vazhdoi katër klasat e tjera në Hogosht, duke udhëtuar, dimër e verë, në shi e borë edhe nga 30 km në ditë. Po në kushte të rënda e të varfërisë së skajshme, më 1964 mbaroi edhe shkollën e mesme ekonomike në Gjilan – gjithnjë me sukses të dalluar, për t’i vijuar studimet në Fakultetin e Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) – Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe, të cilin fakultet e mbaroi me nota të larta, që në vitin tashmë të largët, 1969.
Në qershor të vitit 1978, pas kryerjes së provimeve të shkallës së tretë në këtë degë, magjistroi në temën: “Lirika popullore në trevën e Kamenicës”, para komisionit të çmuar: akademik Rexhep Qosja, prof. dr. Ali Aliu dhe prof. dr. Shefqet Pllana. Ndërkaq më 14 korrik 1986, po në Fakultetin Filozofik të UP-së, para komisionit: prof. dr. Gani Luboteni, prof. dr. Agim Vinca dhe prof. dr. Shefqet Pllana, profesor Faiku e mbrojti edhe disertacionin e doktoratës me titull: “Krijimtaria popullore si komponentë e poezisë së shkruar shqiptare në Jugosllavi”.
Punën në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj prof. Faiku e filloi në vitin 1968 në ish-Gjimnazin “9 Maji” (tash “Ismail Qemali”) të Dardanës, ku punoi deri në vitin 1975. Gjatë këtyre viteve, së bashku me profesorët e ndjerë: Januz Sylajn dhe Aqif Canajn, e hapën dhe e mbajtën gjallë edhe paralelen e ndarë të këtij gjimnazi në fshatin Hogosht, ngase ishte koha kur kuadrot e diplomuara shqiptare ishin të pakta në atë anë, kurse shkollës i duheshin mësimdhënës të tillë, pa të cilët atëbotë as nuk mund të mendohej hapja e një vatre të arsimit të mesëm.
Më 1976, prof. Faikun e kërkoi nevoja të kalojë ligjërues në AP, përkatësisht në SHLP “Skënderbeu” të Gjilanit, për të ligjëruar lëndët: Letërsi për fëmijë me teori të letërsisë dhe Metodikë e zhvillimit të të folurit, të cilat lëndë i ligjëroi deri në mbarim të shekullit të punës.
Prej vitit 1980-1985 ishte drejtor i përgjithshëm i shkollave të mesme të Gjilanit dhe i Konviktit të Nxënësve dhe Studentëve.
Gjatë viteve 1986-1987 ishte dhe kryetar i Lidhjes Socialiste të komunës së Gjilanit, nga i cili funksion dha dorëheqje në shenjë revolte, për shkak të situatës së rëndë politike dhe dhunës, që në ato kohë në Kosovë ushtronte regjimi i egër i Slobodan Milosheviqit. Si kundërpërgjigje ndaj një gjendjeje të tillë, e për të bërë atë që mund të bëhej në atë kohë, Prof. Faiku me disa intelektualë gjilanas, themeloi e pastaj për vite të tëra edhe e udhëhoqi Shoqatën e intelektualëve “Koekzistenca”, përkatësisht FISH-in – Dega e Gjilanit, duke qenë i angazhuar njëherazi edhe në Kryesinë Qendrore të FISH-it në Prishtinë, asociacion ky i cili atëbotë shtriu krahët thuaja edhe në të gjitha komunat e Kosovës, te shqiptarët e Maqedonisë, tek ata të Kosovës Lindore, të Malit të Zi e edhe në Shqipëri.
Nga viti 1998 – 2002, në dy vitet e para të atij harku kohor, kur shqiptarët dhe shkolla shqipe ishin para një sprove dhe akti shumë delikat: të jenë apo të mos jenë, prof. Faiku ishte në krye të detyrës së drejtorit të SHLP-së, të cilën detyrë e kreu me përgjegjësinë më të madhe. Pos kësaj, Ai, për disa vite ishte dhe shef katedre, anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës etj. Pra, gjatë 3 dekadave e gjysmë të punës së tij në Universitetin e Prishtinës, një kohë edhe në atë të Tetovës, e viteve të fundit edhe në Kolegjin Universitar të Gjilanit, prof. Faiku u dallua me punën e tij arsimore, edukative e pedagogjike.
Me shembullin e tij tregoi tiparet e një pedagogu të mirëfilltë: i përgatitur gjithnjë me pedanteri, i saktë në mësime, i afërt me studentë e shokë, me një kujtesë të lakmueshme e mendime të thella e të qarta për probleme të caktuara profesionale e shkencore, por edhe shoqërore. Qëndrimet e tij ndaj pushtuesit serb, sidomos gjatë regjimit milosheviqian, siç përmendëm pak më sipër, ishin mësim edhe për të tjerët: kudo dhe kurdoherë në ballë të mbrojtjes së shkollës shqipe e të ndërgjegjes kombëtare, edhe pse jo pak herë i ftuar e i frikësuar në organet e policisë. Dhe jo vetëm kaq: prof. Faiku ishte dhe mbetet militant i rreptë edhe kundër padrejtësive në shoqërinë tonë, qoftë para lufte, qoftë pas pavarësisë së Kosovës, duke ngritur zërin më se një herë edhe në shtypin qendror, i bindur se “fuqia kryesore lëvizëse në jetën tonë është bërë leverdia e mjet i saj i shpeshtë: çdo mjet”. Qëndrim i njohur makiavelist, apo jo?
Krahas kësaj që u tha dhe punës së frytshme pedagogjike, dr. Faik Shkodra u mor edhe me punë hulumtuese-shkencore në fushën e letërsisë, në mbledhjen e folklorit dhe studimin e tij. Atë e shohim të shfaqë interesim edhe për fusha të tjera të artit letrar, sidomos në përcjelljen me interesim të posaçëm të krijimtarisë artistike letrare për fëmijë, në të cilën fushë edhe ka publikuar një numër të madh punimesh, duke vënë në syzim çështje, probleme, pikëpamje e dukuri të ndryshme, brenda të cilave janë hetuar e gërshetuar vlerat ideo-edukative, letrare dhe teorike të veprave për të vegjlit.
Përveç listës së gjatë të punimeve të botuara, të cilat kanë karakter shkencor, pedagogjik, teorik, metodik e publicistik, rreth 200 sosh, disa prej të cilave janë paraqitur në sesione e simpoziume shkencore, brenda dhe jashtë vendi, në përvjetorë të personaliteteve të shkencës e të kulturës shqiptare, të organizuara nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, nga Shoqata e Folkloristëve e Kosovës, nga Universiteti “Fan. S. Noli” i Korçës”, kumtesa të lexuara në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, të mbajtur në Prishtinë, në Seminarin Ndërkombëtar të Albanologjisë të mbajtur në Tetovë e Ohër etj., duhet përmendur edhe botimin e 28 veprave të tij, të cilat, si për nga sasia (vëllimi dhe lënda që ngërthejnë) ashtu edhe për nga cilësia (vlera e tyre e lartë kritike-letrare) peshojnë mjaft shumë. Këtë punë, me elan të pashuar, edhe pse në një moshë më të madhe, profesor Faiku po e ben pa u ndalur. Veprat e tija dalin “si bukët e furrës” – siç thuhet këndej.
Profesor Faiku në harkun kohor 1984 – 2020 ka botuar këto vepra, si autor dhe me bashkautorë:
1. Nina nëna dhe këngë e lojëra fëmijësh, ETMM, Prishtinë, 1984 (me bashkautorë).
2. Përkime midis letërsisë popullore dhe poezisë së shkruar shqipe, IAP, Prishtinë, 1995.
3. Nga tradita tek e sotmja, “Rozafa”, Prishtinë, 1998.
4. Desivojca nëpër kohë (monografi me bashkautorë), “Koha ditore”, Prishtinë, 1998.
5. Ëndërrimi dhe çlirimi, FISH-i, Prishtinë, 1999.
6. Vështrime për letërsinë për fëmijë, “Rozafa”, Prishtinë, 2000.
7. Rrugë mësimi dhe edukimi, “Shkëndija”, Prishtinë, 2001.
8. Letërsi për fëmijë, nga fillimet deri sot, UP, Prishtinë, 2002.
9. Për fëmijët sot e për fëmijët nesër, “Ura”, Gjilan, 2003.
10. Portrete dhe vepra, “Rozafa”, Prishtinë, 2005.
11. Në botën letrare të fëmijëve,”Shkëndija”, Prishtinë, 2009.
12. Kur flasin poetët, “Shkëndija”, Prishtinë, 2009.
13. A mendojmë sa duhet për ato që kemi, “Shkëndija”, Prishtinë, 2009.
14. Përjetësi, “Shkëndija”, Prishtinë, 2009.
15. Në letrare të fëmijëve botën, “Shkëndija”, 2009.
16. Fjalë e flakë, “Rozafa”, Prishtinë, 2011.
17. Arti i fjalës, “Shkëndija”, Prishtinë, 2014.
18. Kontekste letrare, “Shkëndija”, Prishtinë, 2014.
19. Fiksioni letrar dhe realiteti, “Shkëndija”, Prishtinë, 2014.
20. Sylë Zarbica, luftëtar i Shqipërisë Etnike (Monografi), “Rozafa”, Prishtinë, 2015.
21. Bardhosh Gaçe, enologu, studiuesi dhe pedagogu (Monografi), Maluku”, Tiranë, 2015 (me bashkautorë).
22. Visare letrare, Vepra e Fran Ukcamës (Monografi), “Shkëndija”, Prishtinë, 2016.
23. Thellësia e komunikimit artistik (Monografi për krijimtarinë e Ramadan Mehmetit), “Shkëndija”, Prishtinë, 2016.
24. Rrjedha letrare – kundrime estetike, “Rozafa”, Prishtinë, 2018.
25. Talent dhe përvojë krijuese e shkencore (Vështrim analitiki Astrit Bishqemit në veprën “Vlera të anatemuara”, “Rozafa”, Prishtinë, 2018.
26. Hullime letrare, “Rozafa”, Prishtinë, 2019.
27. Realitete letrare, “Shkrola Print”, Prishtinë, 2020.
28. Sadri Shkodra (Monografi), “Rozafa”, Prishtinë, 2020.
A nuk flasin vetiu të gjithë këta tituj librash që prof. Faiku, nga një fëmijë fshati e çoban bagëtish dikur, të mos ketë sot epitetin e një personaliteti të shquar të letrave shqipe? A nuk është ky dhe një ekzemplar intelektuali shqiptar që pati një fat të hidhur: plot sakrifica e vështirësi jete – në njërën anë dhe me shumë suksese e të arritura të pamohueshme në anën tjetër.
Edhe shkrimtari ynë më i njohur i ditëve tona, Ismail Kadare, ai që e ngriti letërsinë dhe shqipen letrare në një lartësi të panjohur më parë, kur përshkruan fëmijërinë e tij, tregon se në shtëpinë e vet të lindjes kishte gjithfarë rrangullash të vjetra, deri gjyle guri, por asnjë libër! Mund të pyesim: a ka ndonjë shkrimtar të brezit të tij në Europën e sotme, që të ketë lindur në një familje pa asnjë libër e të bëhet njeri aq në zë!
Po kjo, a s’mund të thuhet edhe për protagonistin tonë a? Ç’pati më shumë se rrangullash të vjetra e të stërvjetra edhe prof. Faiku në shtëpinë e vet, nëse edhe këto ka mund t’i ketë pasur, në atë fshat ku dimër e verë kanë mund të dëgjohen cicërima zogjsh e ulërima ujqish.
Me rastin e botimit të monografisë së tij të radhës këto ditë “Sadri Shkodra”, dashtë Zoti jo e fundit, pasi lexova në rrjetet sociale për këtë sihariq të mirë, që herët në mëngjes, duke e ditur se ai është herak, besoj se i pari ose ndër të parët edhe ia urova veprën e botuar. Në SMS-në e FB-së sime, që e ruaj dhe sot në celularin tim, nga zemra i shkrova: “Urime botimi i monografisë për kushëririn tënd e shokun tonë të nderuar, doktorin e matematikës, prof. dr. Sadri Shkodra, o shok i dashur!“ Të punoftë mendja, dora e pena edhe për shumë botime të tjera!”
Dhe, s’ka dyshim se prof. Faiku, edhe pas këtyre botimeve, me kaq faqe libri, pune e veprimtarie profesionale e shkencore, mbështetur në entuziazmin, elanin dhe mendjen e ndritur që ka, besojmë se do të na gëzojë edhe shumë herë me vepra të tjera, të shkruara me përkushtim, e në të cilat vepra ai si gjithnjë shpërfaq me rigorozitetit shkencor dhe metoda bashkëkohore e konstruktive qartësinë e mendimeve të tij, e jo duke thurur “Osanna me fjalë që të kujtojnë vargjet e një këngë të bukur italiane: “Parole, parole, parole …!”.
Nuk di ku e ka çelësin e sukseseve dhe të elanit kaq të madh. Fundja, kjo le të mbetet enigmë edhe për te.
Për ne duket se mbetet njëri nga ata i cili, jo vetëm dje, por edhe sot, sheh përtej kohës së vet. Dhe, le të shohë.

You Might Also Like