OPINION

NJË PROFESOR, EKSPERT E PEDAGOG I MIRË E I RI – NA LA

NJË PROFESOR, EKSPERT E PEDAGOG I MIRË E I RI – NA LA
(Me rastin e ndarjes nga jeta të prof. dr. Arben Dërmakut)
Dr. Bahtijar Kryeziu
Një sms në rrjetin social FB, na solli kumtin e trishtuar se sot në mëngjes, më datën 13 janar të fillimvitit 2021, u nda së gjallësh prof. dr. Arben Dërmaku, profesor i Fakultetit Ekonomik të UP-së dhe kryetar i Këshillit themelues dhe i rektor (u.d.) i parë të Universitetit “Kadri Zeka” të Gjilanit. Gjyshin, prindërit dhe prof. Arbenin i kam njohur edhe më herët, madje Arbenin edhe sa ishte fëmijë, ngase më lidhte një lidhje gjaku – unë, nip i Dërmakëve.
Me prof. Arbenin kishim edhe këmbim mesazhesh, po edhe ndonjë takim rasti, sidomos kur isha anëtar i Senatit të UP-së, për të cilin edhe votën e pranimit të tij në Fakultetin e Ekonomik e dhashë me shumë dëshirë e bindje, ngase atë e meritonte, nga puna e zotimi i tij në fushën e shkencave ekonomike dhe punën që bënte e që kishte me studentë.
Profesor Arbeni, me rastin e themelimit të UKZ-së, në kohën kur lipsej zotim e mençuri e veçantë për të udhëhequr një universitet të ri, ai ia arriti mbanë punës, ndoshta më mirë se shumëkush tjetër.
Pos punës së mbarë me studentë e zotimeve të tjera që kishte në fakultet, në MASHT etj., prof. Arbeni ka marrë pjesë edhe në shumë konferenca shkencore e debate të tjera, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit tonë, ku trajtoheshin çështje, sidomos nga fusha e ekonomisë, duke gëzuar nderimin e të gjithë atyre që e dëgjonin fjalën e tij të peshuar me peshore filigrani.
Ndihmesat e tij janë të shumta e të vyera, janë vepra të çmuara, që kanë kërkuar shumë vite punë për t’i hartuar dhe që mbetën si trashëgimi shkencore me vlerë kombëtare dhe si pronë e vlefshme akademike.
Për mua, si ekspert i ri, 44 vjeçar, po edhe, mbi të gjitha, si një profesor e pedagog i rrallë, i urtë, fjalëpak e punëshumë, i dashur nga të gjithë, respektues e i respektuar, largimi i tij s’ka se si të mos na pikëllojë, të na helmojë bash në ditët kur ende i kishim të freskëta urimet për një vit të mbarë që sapo po e shkelim, duke mos harruar edhe atë të mëparshmin, të mbrapshtin, që mori aq shumë jetë njerëzish, pa menduar se ky fillimvit do të na marrë edhe profesor Arbenin.
Arbeni na iku, por ai do të jetë gjithmonë në kujtimet dhe vlerësimet që i takojnë, e mungesën e tij do ta ndjejmë për shumë kohë, edhe si shkencë, edhe si shoqëri, edhe si Kosovë.
Të qoftë e lehtë dheu i Kosovës martire, profesor Arben!
Lamtumirë dajë Arben!
Lamtumirë profesor i dashur!
Gjilan, 13 janar 2021

You Might Also Like