Libri Derbi Drita–Gjilani, i autorit Enver Sadiku, nis me rrëfimin e hershëm të futbollit në Gjilan, kush e solli topin e parë në qytet, cili ishte klubi i parë i formuar para Luftës së Dytë Botërore, si dhe formimet e klubeve në vitet 1941, 1945 dhe 1947.
Autori, me syrin e gazetarit dhe përkushtimin e studiuesit, sjell dëshmi dhe të dhëna faktike të bazuara në shtypin e kohës, duke përfshirë shkrime dhe artikuj nga të përditshmet Rilindja, Bujku, Koha Ditore, Zëri dhe media të tjera.
Duke iu referuar këtyre burimeve, Sadiku përmbledh dhe sistematizon të gjitha të dhënat e derbit Drita – Gjilani nga viti 1995 deri më 2025, plot tri dekada rivalitet.
Në libër theksohet se janë zhvilluar gjithsej 69 kryendeshje të këtij derbi, i cili me kalimin e viteve ka marrë përmasa jo vetëm rajonale, por është cilësuar edhe si një ndër derbit më të zjarrtë në Ballkan.
Nga perspektiva e një shikuesi, ish-lojtari dhe gazetari, të gjitha derbit janë trajtuar me kujdes të veçantë dhe objektivitet.
Në hyrje, libri përshkruan se si derbi nuk i ndante vetëm lojtarët dhe ekipet, por edhe ngjyrat, tifozët, madje edhe vëllezërit, prindërit e shokët e ngushtë.
Qyteti jetonte me derbin: përgatitjet nisnin një javë më herët, koreografitë planifikoheshin me kujdes dhe kudo flitej vetëm për këtë përballje.
Ndeshja e parë është zhvilluar në livadhet e Malishevës, ndërsa libri dokumenton me saktësi përbërjet e skuadrave, kryetrajnerët, gjyqtarët, golashënuesit dhe numrin e shikuesve.
Rezultatet e derbit janë dalluar edhe me ngjyra të veçanta, duke i dhënë veprës vlerë shtesë vizuale dhe dokumentare.
Në libër evidentohet se janë zhvilluar katër derbi para luftës, ndërsa derbi i parë nuk përfundoi siç duhej, duke u ndërprerë në minutën e 89-të.
Përgjatë viteve, derbi ka pasur ndërprerje, lojë të ashpër e agresive, por edhe raste të miqësisë sportive.
Një herë, madje, njëra skuadër, Drita, nuk doli fare në fushë.
Interesi për derbin ishte aq i madh, saqë ai është zhvilluar edhe në Ligën e Parë të Kosovës, dy herë.
Potencohet gjithashtu se të dyja skuadrat kanë luajtur edhe në arenën evropiane.
Me shifra dhe fakte, libri sjell rezultatet e të gjitha ndeshjeve: kampionale, të kupës, turne dhe vetëm një miqësore.
Autori trajton edhe statistika të veçanta: numrin më të madh të shikuesve, kartonin e parë të kuq, lojtarët më të ndëshkuar, tre derbi që mbetën në gjysmë, një që nuk u zhvillua fare, realizatorin e parë, golashënuesit më efikas, derbit që vendosën titullin kampion, portierët që nuk pësuan asnjëherë gol, faktin se nuk ka pasur asnjë autogol, het-trikët, si dhe derbin e vetëm të luajtur jashtë Gjilanit.
“Derbi Drita–Gjilani” është një vepër dokumentare dhe emocionale njëkohësisht, që i ofron lexuesit histori, nostalgji, dashuri për futbollin dhe rivalitet të pastër sportiv, një libër ku vërtet ka çfarë të lexohet dhe të përjetohet.
Urime të përzemërta për këtë vepër madhore sportive autorit Enver Sadiku, e cila përfaqëson një kontribut të çmuar në dokumentimin e historisë së futbollit dhe rivalitetit sportiv në Gjilan dhe më gjerë.
I dëshirojmë autorit suksese të mëtejme dhe botime të tjera të radhës, që do ta pasurojnë edhe më shumë arkivin sportiv dhe kulturor të vendit tonë.
Fehmi Sylejmani, recensent i librit, 10 shkurt 2026





