Ajete Zogaj
NOBELISTJA E KRENARISË DHE E MIRËSISË
Anton Nikë Berisha “Nëna e dritës”. Nëna Tereze në shtatë shpalime, shpalimi i parë, botoi “Faik Konica” & Kuvendi Françeskan i Gjakovës, Prishtinë 2019
Shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, Anton Nikë Berisha, tanimë është emër i njohur në letërsinë tonë. Janë të shumta veprat e tij letrare e shkencore, ku në secilën prej tyre rrezaton përkushtimin, dijen dhe talentin e rrallë. Studiues i dëshmuar, mbledhës e botues i vëllimeve me materiale të letërsisë gojore, vëllime me poezi të zgjedhura të poetëve shqiptarë e të huaj, si dhe i një varg punimesh të shumta në revistat në shqip dhe gjuhë të tjera. Përkthyes nga gjermanishtja i Epit të Gilgameshit dhe i Psalmeve të Besëlidhjes së vjetër etj., kurse shquhet edhe për aktivitetin e tij në afirmimin e gjuhës, kulturës dhe letërsisë shqipe në arenën ndërkombëtare.
Është poezia e tij e nivelit të lartë artistik, që e radhit ndër poetët më të mirë që kemi, e me romanet e tij ‘poetike’, po ashtu, ndër romansierët tanë më të veçantë në letërsinë tonë.
Veçantia e rrëfimit të ngritur poetik, shquhet në të gjitha romanet e tij, ku ‘etja është e gurëzuar”, por
edhe “lamtumira e gurëzuar” si dhe ku ‘dallgët dallgëzojnë edhe kujtimet’, ku “vuajtja është mësim dhe njohje dhe mësimi të mundëson ta duash atë që njeh; shndërrohet në dashuri e dashuria të shpie në zbulimin e së vërtetës. E vërteta kryesore është vetë Hyji” (f. 46).
Është e vërteta e Hyjit, e hirit të Hyjit ajo që e bën dritë të dritës së tij Nënën e madhe të njerëzimit, nobelisten shqiptare, Nënën Tereze, në romanin “Nëna e dritës” të Anton Nikë Berishës, duke e ngritur figurën e saj në rrafshin më lartë, ashtu siç AJO e meriton: “Ta quash Nënën Tereze vetëm bamirëse, siç del në disa libra të shkruara në shqip dhe në mendimet e disa individëve kur flasin për punën e saj, domethënë ta sjellësh atë në një figurë krejtësisht të rëndomtë. Puna e saj ishte e një qenësie tjetër, shumëfish më shumë se një bamirëse, që mund të përmblidhet në shprehjen, siç thotë ajo vetë: flijimi për tjetrin dhe gjetja e paqes shpirtërore në përtëritjen e miqësisë me Hyjin” (A. N. Berisha. Shënim i autorit “Nënë Tereza në shtatë shpalime; shpalimi i parë, f. 14)
Romani “Nëna e dritës” i Anton Nikë Berishës (i botuar për herë të parë me rastin e njëvjetorit të lumnimit të Nënës Tereze, në botim të “Shpresa” dhe të mbështetjes së Kryeipeshkvisë së Tivarit, 2004); në vitin 2019 (me disa ndryshime), botohet në përkujdesje të shtëpisë botuese “Faik Konica” të
Prishtinës dhe Kuvendit Françeskan të Gjakovës, në “Nëna Tereze në shtatë shpalime” shpalimi i parë, duke i sjellë lexuesit figurën e Nënës Tereze si asnjëherë më parë në rrafshin shpirtëror e artistik.
Romani “Nëna e dritës” është i punuar me shumë përkushtim, sa që, duke e lexuar fiton përshtypjen se është një autobiografi e Nënës Tereze e shkruar nga dora e saj. Kjo të jep të kuptosh se autori është njohës i mirë i jetës dhe i veprës së Nënës Tereze, të cilën bota do ta quajë edhe Nënë, ndërsa autori Nëna e dritës.
Që në fillim të romanit autori jep vlerësimin dhe përkushtimin që nobelistja jonë kishte thënë: “Nëse ndonjëherë do të bëhem shenjtëreshë, do të jem padyshim një shenjtëreshë e ‘fshehur’: do të mungoj vijimisht nga parajsa që të shikoj mbi tokë për t’ua ndezur dritën atyre që janë në errësirë”.
Me këtë mision që ia kishte vënë vetes dhe me flijimin e jetës së saj për të sëmurët, për jetimët, për ata që vuanin nga gërbula, për njerëzit para vdekjes etj., ajo u bë nënë e të gjithëve, nënë e botës, duke mbjellë ngrohtësi e dashuri tek të varfrit e tek të mjerët. Me një fjalë, dora e saj ishte gjithkund një dorë e dashurisë dhe e shenjtë.
Rrëfimi në këtë roman është ngritur mbi bazën e kujtimit të asaj që ka ndodhur, pra është një përsiatje e Nënës Tereze për ato dukuri që kanë lënë gjurmë të jashtëzakonshme, duke filluar nga koha kur si
Gonxhe Bojaxhiu merrte pjesë në aktivitetet e të rinjve që organizonte Kisha e Shkupit, pastaj të asaj që përjetoi derisa themeloi rendin “Misionaret e Dashurisë” dhe flijimin që dëshmoi në qytetin e Kalkutës në Indi, e kudo ku kishte të sëmurë e njerëz në nevojë. Shprehen sidomos pësimet dhe jeta e rëndë, që del dhe nga ky mendim: “Vuajtjet na e mësonin jetën, jeta na i mësonte vuajtjet”.
Ja se si e ndriçon autori shpirtin e Nënës Tereze përmes fjalëve të saj: “Në themelet e secilës shtëpi të hapur murosja pjesë të zemrës sime. Kjo më kujtonte baladën e flijimit të gruas në ndërtimin e urave e të kalave. ‘Gjirin ma lini jashtë murit se edhe e murosur dua ta ushqej frytin e barkut tim!, më bëhej se e dëgjoja zërin e dashurisë së saj të përjetshëm”. (f. 265).
Është aftësia e autorit Berisha, që në realizimin e këtij romani të përdorë një sistem të prehur e të pasur poetik, forma e shumësi figurash, duke ndërlidhur hyjnoren me shpirtëroren, dritën kundrejt errësirës (errësirë ishin vuajtjet e mijëra njerëzve anë e kënd globit) dhe ‘dritën e shpresës për jetë’ që rrezatonte tek Nëna Tereze.
Duke lexuar këtë roman, përmes punës së Nënës Tereze, të dhënë në formë rikujtimi ku gjithë rrëfimi ‘shpaloset si në ‘shuplakë të dorës’ brenda 24 orëve, (Dita që nuk do të mbaronte në fillim dhe në mbyllje të romanit), për të shenjëzuar vetëm kalimin
në amshim të shenjtëreshës, dhe pavdekësinë e veprës së saj në dritë të pashuar, lexuesi do të mësojë e do të pasurojë mendjen dhe shpirtin; për veprime të mira jetësore, të cilat vijnë të realizuara mjaft bukur, në formë sentencash: “E njeriu që i do të tjerët, ose që flijohet për ta, e ka vështirë t’ua bëjë fjalën dysh” (f. 21); se “Jeta është si rrota e qerres: herë të vë lart e herë poshtë!”(f. 45, ose “Përbuzja që i bën tjetrit, nuk i përket atij që e mendon se e përbuz, nuk bartet tek ai; i përket atij që e bën; mbetet tek ai që e gjakon përbuzjen”(f. 134),“Lum ai që i frenon veset dhe u jep jetë virtyteve me të cilat Hyji e ka pasuruar shpirtin e njeriut”(f. 169), “E dija se ballafaqimi me vetveten është më i vështiri; përmes tij njeriu provohet në mënyrën më të plotë: vetëdëshmohet ose i hap rrugë vetërrënimit të pashmangshëm” (f. 174), “Më së miri jeta mësohet nga vet jeta”, “Ta bësh dikë të lumtur domethënë atë lumturi ta bartësh në shpirtin tënd” (f. 203), “Gjithmonë duhet hapur rrugë për të shpresuar se një ditë do të kalosh nëpër to, ti ose dikush tjetër. Kryesorja të jenë e të mund të shtegtohet nëpër to” (f. 208),“Të mbjellësh pamend domethënë të korrësh pamendësinë” (f. 237).
S’kanë se si të mos lërë mbresa të jashtëzakonshme rrëfimi për lutjen drejtuar Zotit: “Dashurinë e Hyjit e ndiej sidomos në urata e në lutje; në to Ai shprehet krejtësisht në ty, në mendimet, në ndjenjat, në çdo gjë tënden, edhe në ligësinë. Në lutje
secila krijesë e njeh më shumë veten dhe tjetrin. Njohja e tjetrit të bën ta duash atë; ta duash, por edhe të jesh i dashur prej tij. E të jesh i dashur nga tjetri domethënë të mos jesh i vetmuar. Meqenëse lutja është vepër lavdie dhe dashuri ndaj Hyjit, atëherë duhet të lutemi deri në dhimbje. Deri në dhimbje? Po, po. Lutja është dashuri e dashuria e vërtetë është dhimbje, ndërsa dhimbja, si dhe vuajtja, është përsosje e pasurim shpirtëror. Në dhimbje njeriu e mat veten deri në imtësi” (f. 142 – 143).
Ngjashëm ndodh dhe me dhuratat që ia nisin Nënës Tereze, që janë përshkruar bukur nga autori, sa që gjatë leximit fiton përshtypjen se mos ai ishte i pranishëm kur nëna Tereze i mori këto dhurata: Të hollat e një lypësi të cilat i mbante në këndin e majtë të tryezës si gjënë më të shtrenjtë, paratë e një dhëndri të ri që nuk e kishte bërë dasmën që ato të holla t’ia dhurojë Nënës Tereze për bamirësi; zarfi dhe letra e një voglushi amerikan me tre dollarë, dhe lekët e kursyer të një nëne dhe birit të saj nga Shkodra, të cilat Nëna Tereze do t’i quajë dhurata të shenjta, ngase sipas Nënës Tereze “Në gjëra të vogla shihet dashuria e madhe” (f. 272).
Edhe pse i gjithë rrëfimi romanor ka si kryepersonazh Nënën Tereze, autori gjen vend që në copëza rrëfimesh të na ‘tregojë’ edhe origjinën e kësaj nëne të madhe, e cila me krenari tha kudo që shkoj se ishte shqiptare, e që e mbante në zemër e në mendje
vendin e saj. Kjo më së miri dëshmohet në ‘rikujtimin’ e saj rrugës për në Kalkutë, i sillen në mendje vargjet e Fishtës, poezitë e Pjetër Budit, “Meshari” i Buzukut, apo edhe vizita që ajo i bën varrit në nënës Drane në Shqipëri, vizita e dytë dhe hapja e kishave (pas mbylljes gjatë kohës së komunizmit), me ç’rast Nëna Tereze pati thënë: “Kërkova të hapet edhe xhamia e kryeqytetit)” (f. 291) që e dëshmon mirëfilli tolerancën dhe dashurinë e madhe të kësaj nëne për njerëzimin pa marrë parasysh, ngjyrën, fenë, kombin apo besimin!
Për ngritjen shpirtërore e intelektuale të Nënës Tereze, një rol të madh kishin babai Kola e Nëna Drane. Sidomos Dranja (pas vdekjes se Kolës), e cila i edukoi dhe u siguroi fëmijëve ekzistencën me shumë mundime: ”natë e ditë bëri punën e rrobaqepëses; me të e qepte jetën tonë dhe dhimbjen e vet”(f. 43).
Romani cilësohet me një gjuhë poetike të veçantë e të pasur, që dëshmohet nga mënyrat e ndryshme të rrëfyerit dhe të shprehurit, janë dy hallkat përcaktuese që e bëjnë vlerën e romanin “Nëna e dritës”.
Si dëshmi të artit që e cilëson tekstin e romanit do të mund të silleshin shumë shembuj, por po sjell vetëm tre:
“Vërshimi i dhimbjeve nëpër trup, që më përmbytnin pa ndërprerë, e kishin shkrirë kufirin mes territ e dritës. Ndonjëherë, në pikë të ditës, më duket një mjegullimë që të
kujton muzgjet e vjeshtës së vonë, kur terri ngatërrohet në vrushkujt e vet, që reshin si tise të dendura dhe zvogëlojnë shikimin deri në skajshmëri, ndërsa në mes të natës vërej shkulme ndriçimesh, që si ujëvare të hareshme, më rrinë përpara shikimit dhe më duket se pikërisht në ato çaste fillon dita, që Hyji ua dhuron njerëzve dhe natyrës. Shkëlqimi, që është dashuria e Tij falur njerëzve, ma ndrit dhomën e shtratin, ku janë ngjitur si rrëshirë tash disa ditë, dhe më bën të lumtur, edhe pse dhimbjet e trupit më shpojnë pareshtur si maja të mprehta shigjetash”. (f. 19 – 20).
²
“Dita u zvarris si një ëndërr e molisur, duke sharruar përherë e më thellë në gjirin e kujtimeve, sikur gjakonte të mbetej në to për jetë të jetës. Kujtimet i dhanë asaj gjithçka të tyre, ia qitën në titër harenë e përmbajtur dhe pikëllimin e ndrydhur, ndërsa ajo i qëndisi me etjen dhe durimin e saj të gurtë; i përndriti me frymën vetjake, dhuratë e kohës tashmë të lodhur. Dita dhe kujtimet i dhanë e i morën njëri – tjetrit, u njësuan si ujët në ujëvarë, sa e kam vështirë të them se si ndodhi gjithë ajo. Di vetëm se kujtimet bënë një shtegtim të pambarim. Sa më shumë që në etjen e ditës rrodhi vërshimi i tyre, aq më tepër i ndjeva; ua ndëgjova dufin mbrenda meje. Fryma që i nisi në atë rrugëtim të pafund, i ktheu përsëri në mua”. (f. 24).
²
“Kur hymë në të (në Oqeanin Indian) ishte mbrëmje. Terri zuri të bjerë ngadalë si kujtim i një ëndrre të lodhur, të harruar me vite. Rënia e tij më kujtonte pingërrimën e shiut vjeshtor, kur moti me lagështi jo vetëm t’i grimcon eshtrat si tenjë, por e bren dhe e kalb edhe vetë kohën. E vëreja atë kjasim të errët që binte përtueshëm dhe nëpërmjet tij më depërtonte në mbrendi “etja” e oqeanit, siç i thonë ndryshe frikës, që ai ia fut secilit në shpirt kur prek ujët e tij. Fjala etje më duket më e drejtë se fjala frikë. Ajo ndërlidh e shpreh më mirë gjakimin e nxitësit dhe të pësimtarit. Mungesa e njërit s’e shkakton dukurinë […] Ishte mbasdite. Moti zuri të shqetësohej. Gjithë hapësirën, që mund të kapte syri, e prenë vetëtima të shumta. E ndriçuan aq fort sa e shndërruan në flakë. Reja godiste nga të gjitha anët dhe më bëhej se e qëllonte dhe anijen tonë. Bubullimat e trandën dhe e shkundulluan sasinë e pafund të ujit si hiçgjë. Një stuhi e egër vuri pushtetin e vet gjithkah dhe e errësoi hapësirën, thuajse nata kishte shtrirë batanijen e vet të zezë. Ndoshta kuçedra dhe dragoi bënin luftën e tyre për jetë e vdekje? Valët, që deri në ato çaste, thuajse e puthnin dhe e përkëdhelnin “Marchan” tonë, shkuan dhe u rritën; u shndërruan në suvale, u shumuan si lugetër netësh dhe mësyn ta gëlltisin njëra – tjetrën. Sa më shumë që kalonte koha, stuhia bëhej më e egër, suvalët rriteshin pandërprerë; ngriheshin në lartësi të mëdha kacafyteshin egërsisht, përplaseshin me gjithë fuqinë e mundshme dhe më dukej se mbas çdo takimi të tyre shihja sasinë e madhe të gjakut. Gjaku i suvalëve është uji, ai
është gjaku i tyre dhe, kur ndesheshin, ai rridhte tmerrshëm nga të gjitha anët! Ndonjëherë më bëhej se ato ngriheshin aq lart sa e preknin edhe qiellin”. (f. 111 – 113)
Theksoj se romani “Nëna e dritës” është ngritur mbi punën, flijimin dhe tekstet e Nënës Tereze: “Veprat që kryhen nuk janë gjithmonë të atij që i nis, u përkasin atyre që i përmbushin”(f. 246), që dëshmon se autori, Anton Nikë Berisha me këtë roman ka ‘përmbushur’ në mënyrën më të mirë një shpagim ndaj Nënës Tereze dhe veprës së saj madhështore.
Me të drejtë, Anton Çefa do të vlerësojë kështu këtë vepër: “Romani ‘Nëna e dritës” lexohet me kërshëri intelektuale dhe përjetohet me kënaqësi të rrallë estetike nga lexues të shtresave, besimeve, moshave më të ndryshme…” (Anton Çefa, Krijimtari e nivelit të lartë shkencor e artistik. Mbi disa vepra shkencore dhe letrare të Anton Nikë Berishës. “Faik Konica”, Prishtinë 2015, f. 53).
Do theksuar në fund se ky roman është një kontribut i çmuar i shkrimtarit Anton Nikë Berisha dhe një shpërblim modest për një Nënë të madhe me të cilën krenohet bota jonë, po dhe nj