OPINION

Nuk guxojmë ta humbim Kosovën për një Shqipëri pak më të madhe se kjo e sotmja

Ata që kanë marrë votën e popullit, nuk duhet të pajtohen kurrë që, qoftë edhe një pëllëmbë territor t`i falet Serbisë. Nëse kjo ndodhë, përgjegjësia do të jetë e këtyre deputetëve, për aq shekuj sa të ekzistojë ky komb.

XHYLIJE IBRAHIMI

Nën presionin e vazhdueshëm ndërkombëtar, por edhe vullnetin e saj, Kosova ka investuar shumë në integrimin e serbëve lokalë në institucione dhe shoqëri, aq sa ka cenuar edhe interesa nacionale për hir të kësaj pakice. Por, ndërkombëtarët nuk po e kuptojnë, ose po mbrojnë interesa të ndryshme, se qëllimi i Beogradit zyrtar, nuk është çështje e të drejtave të serbëve, por dëmtimi i proceseve dhe zhbërja graduale e pavarësisë së Kosovës.

Na kujtohet të gjithëve se si pat filluar në Kosovë, menjëherë pas luftës, projekti i madh ndërkombëtar për integrimin e serbëve në institucione dhe kur në disa komuna, ky proces ishte finalizuar gati, doli ideja tjetër për themelimin e komunave serbe, siç u tha, si nevojë për ekzistencën dhe mirëqenien e kësaj pakice në Kosovë. Serbëve iu dhanë të drejta e të drejta, aq sa nuk njeh më shumë bota demokratike, por ata prapë janë të pakënaqur. E ç`duan më shumë?

Interesi i Beogradit nuk janë serbët e Kosovës dhe as të drejtat e tyre, por rri-marrja e Kosovës, qoftë edhe pa asnjë serb brenda saj, zhbërja e pavarësisë dhe zhdukja e identitetit shqiptar në këto troje. A nuk e zbatuan këtë projekt serbët gjatë luftës, gjatë tërë një shekulli të kaluar dhe gjatë gjithë historisë së ballafaqimit të këtyre dy popujve, njërit autokton e tjetrit ardhacakë. Pikërisht, këtu qëndron arsyeja pse serbët nuk duan të ekzistojë populli shqiptar në këto territore.

Loja po bëhet në emër të serbëve të Kosovës. Ata, edhe pse janë integruar tashmë në shoqëri dhe jetën publike, ende nuk po ecin me këmbët dhe kokën e tyre, por po veprojnë nën dirigjimin e Beogradit. Marrin pjesë në institucione, i përfitojnë të gjitha të mirat prej tyre dhe njëkohësisht i bojkotojnë këto institucione sa herë që ua kërkon Serbia.

Të gjitha kërkesat e arsyeshme të serbëve, janë marrë e duhet të merren parasysh, por privilegje ekskluzive nuk duhet të ketë për askënd në Kosovë, as për serbët, të cilëve shteti ua kompenson edhe shpenzimet e rrymës. Kështu, Kosova nuk mund të quhet shoqëri e njerëzve të barabartë.

Serbët duhet t`i përmbushin obligimet e tyre qytetare dhe të mos bëhen parazitë në dëm të buxhetit të Kosovës. Serbët duhet të fillojnë të ecin me këmbët dhe kokën e tyre në Kosovë dhe jo të pranojnë të mbeten lodra të Beogradit, i cili kërkon akoma hise në Kosovë.

Ata duhet të kuptojnë se shqiptarët nuk e patën lehtë të linin anash gjithë atë histori tragjike që kishte ndodhur mbi ta gjatë luftës së fundit dhe shekullit të kaluar, por treguan guxim të rrallë njerëzor, qytetar e institucional, duke ua ofruar të gjitha mundësitë për të jetuar në një shoqëri të përbashkët. Prandaj, qëndrimi, ende dyshues i minoritetit serb ndaj realitetit në Kosovë, që duket qartë se është i imponuar, është i pakuptueshëm.

Kosova po copëtohet nga të gjitha anët. Maqedonia mori dhjetëra hektarë në anën e Vitisë, Mali i Zi, po ashtu në pjesën e Pejës, kurse tash e ka radhën Serbia. Pretendimet e saj janë më të mëdha, me kusht që të pajtohet që pjesa e mbetur e Kosovës, t`i bashkohet Shqipërisë. Nëse pranohet kjo, Kosovë nuk do të ketë më.

Në fund të fundit, për Serbinë, nuk ka shumë rëndësi, nëse i merr 200 hektarë më pak, apo 500 hektarë më shumë, por më tepër se kaq, rëndësi ka cenimi i integritetit territorial të Kosovë, në kufijtë që është njohur nga shumica e shteteve të botës, për të hapur rrugën e zhbërjes graduale të kësaj shtetësie.

Shqiptarët nuk duhet të bien në kurthin e Serbisë. Ata nuk guxojnë ta humbin Kosovën, për një Shqipëri pak më të madh se kjo që është sot. Këtu nuk kemi të bëjmë me dashurinë tonë të madhe për Shqipërinë, por me interesa jetike të kombit, pavarësisht ku jeton ai.

Ata që kanë marrë votën e popullit, nuk duhet të pajtohen kurrë që, qoftë edhe një pëllëmbë territor t`i falet Serbisë. Nëse kjo ndodhë, përgjegjësia do të jetë e këtyre deputetëve, për aq shekuj sa të ekzistojë ky komb.

…………………..

(Autorja është master për diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare)

You Might Also Like