Nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” sërish kanë sjellë vende të para në sporte në nivel vendi, duke dëshmuar edhe njëherë se kjo vatër e diturisë pos mësimit dhe nxënësve të shkëlqyeshëm, ka edhe sportistë shumë të mirë.
Pasi janë shpallë kampion në basketboll, nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” këtë fundjavë janë kthyer me medalje të arta, kupa e mirënjohje edhe në shah dhe pingpong.
Ekipi i shahut në përbërje: Lorik Zuzaku, Eronit Sopi, Valdrin Murati, Egzon Bllaca, Alp Sahiti, Rinesë Morina, Violë Maksuti dhe Arjeta Ahmeti, nën përkujdesjen e profesorit Selami Haziri kanë shënuar tri fitore radhazi, duke mundur Ferizajn 4:2, Vushtrrinë 5:1 dhe Prizrenin 4,5:1,5.
Ekipi i pingpongut në përbërje: Alma Mehmeti, Bleona Mehmeti, Shyhrete Sadiku, Vlerë Qerimi e Malisë Sadiku, të udhëhequra nga profesor Blerim Shala kanë shënuar tri fitore radhazi, duke mundur Suharekën 3:1, Gjakovën 3:1 dhe në finale Ferizajn 3:2.
Këto dy ekipe në shkollën e tyre kanë sjellë 6 kupa, shumë medalje e mirënjohje, sikurse që sollën dy mirënjohje nga viti i kaluar kur ishin shpallur kampionë dhe një shumë monetare në vlerë 100 euro, të cilat do të dedikohen për blerjen e pajisjeve sportive.
Për sukseset e arritura, drejtori i shkollës Bekim Mustafa, ka uruar nxënësit fitues dhe mësimdhënësit e tyre, duke theksuar se këto suksese i bëjnë krenarë jo vetëm nxënësit, pore dh stafin e mësimdhënësve dhe mbarë komunën tonë. Sipas tij, kjo është një arritje e madhe dhe një dëshmi se kjo shkollë gjithmonë ka nxjerrë nxënës e sportistë të dalluar.
Edhe Agim Asllani, zëvendësdrejtor i shkollës, ka theksuar se këta nxënës kanë arritur rezultate të mëdha, gjë që më herët e kishin dëshmuar edhe me suksese në mësime. Ai u ka uruar suksese edhe më të mëdha në të ardhmen, duke dëshmuar edhe njëherë se janë ndër nxënësit më të mirë.