Libri

Nxënësja Agnesa Dauti, recituese e shkëlqyer

Drejtoria e Gjimnazit “Xhavit Ahmeti” ka organizuar një pritje për nxënësen Agnesa Dauti, e cila ditë më parë ishte fituese në garën e recitueseve “Flakadanët e Karadakut”.

Ajo është nderuar me mirënjohje  nga drejtoria e shkollës, kurse në pritje të pranishëm ishin edhe Sami Durmishi, profesor i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë si dhe profesoresha Kujtesa Salihu – Keka, kujdestare e klasës.

Drejtori Bekim Mustafa e ka përgëzuar nxënësen shembullore, Agnesa Dauti për suksesin e arritur, duke theksuar se nxënësit e tillë e bëjnë krenarë jo vetëm shkollën tonë, por edhe qytetin.

Mustafa, ka theksuar se shkolla do të jetë në përkrahje të nxënësve që sjellin vende të para nga gara të ndryshme dhe i ka uruar suksese Agnesës  edhe në aktivitete të tjera.

Fjalë miradije për Agnesën kanë patur edhe profesorët Sami Durmishi dhe Kujtesa Salihu – Keka, të cilët thanë se pos në fushën e gjuhëve e të recitimit, Agnesa është nxënëse e shkëlqyeshme edhe në lëndë të tjera, që e bënë atë të ketë suksese të mëdha.

“Gjithmonë e kam patur pasion recitimin, andaj me shumë dëshirë dhe përkushtim e kam marrë përsipër që të përfaqësojë shkollën tonë në garën e recituesve të mbajtur në Viti”, ka thënë Agnesa Dauti, e cila është shprehur e lumtur për suksesin e arritur.

Ndryshe, në këtë garë kanë marrë pjesë nxënës nga shkollat e mesme të Kamenicës, Gjilanit, Ferizajt dhe Vitisë dhe ka mbretëruar një garë interesante me interpretime të nivelit të lartë artistik. Përpos tri vendeve të para në recitim janë ndarë edhe çmime të veçanta si dhe çmimi “Zëri i Flakadanit”.

You Might Also Like