Libri

ORGJITË NË SHTËPINË BOJËKAFE

Muhamet Halili

Buzëqeshjen të cilën për një kohë të gjatë e kishte mbajtur në cep të buzës, derisa ta gjente prenë, e shpërfaqi me takt, para djaloshit përballë, që po rrinte në pjesën tjetër të banakut, duke ia dhënë mundësinë që të kapej në të, si në ndonjë kurth që nuk të lë mundësinë as të lëvizësh, e le më të lirohesh nga ajo.
Buzëqeshja ngacmuese solli reagimin e menjëhershëm.
Gotën e mbushur me një birrë vendore, në të cilën po lundronte deri më tani, e ngriti ca lartë, sa për të cakërruar nga larg, me një: “gëzuar!”.
Ajo nuk e ngriti gotën si ai, por me lëvizjen e kokës lehtas poshtë dhe kthyer sërish në gjendjen e mëparshme, e krijojë një shprehje mimikë, që mund të nënkuptohej si fjala: “gëzuar gjithashtu!”.
Pa ia nda shikimin syve të djaloshit, nxori nga tabaku i saj i “artë” një cigare të hollë që e futi mes buzëve, ndërsa për fije shkrepëse as nuk mori mundin.
Klonohej kështu skena bajate filmash romancë, por ja që të tillat, kjo hapësirë gjeografike, po i gëlltiste akoma, pasi që ai tani më veç po qëndronte para saj, duke mbajtur shkrepësen ndezur.
– Mundem?! – e pyeti dikur, duke kërkuar t’i ulej afër.
Ajo sërish me lëvizje koke, i foli, duke ia bërë me dije se po i jepte leje.
– Të kam parë shpesh këtu dhe vetëm sonte mora guximin të të ofrohem, – i tha djaloshi fytyrë njomë dhe duke mos ditur reagimin e saj, e tërhoqi shikimin në gotën që kishte marr me vete dhe të cilën e lëvizi në formë rrethi, sa për ta trazuar dhe pirë pastaj një gllënjkë.
– Banakier, ma jep edhe një mojito të lutem. Më pëlqen shija e mentës origjinale. Fute në llogari të djaloshit, – foli tani ajo, e ai me të shpejtë tundi kokën në shenjë pohimi, se po e merrte llogarinë mbi vete.
– Mos je gjë pronarja?!
– Diçka, në këtë mes, është pronë e imja, por ajo mund të bëhet për pak kohë edhe e jotja po deshe?! – u përgjigj duke vënë në pah një pispillosje të lehtë.
Në vend të fjalës qeshi dhe ngriti gotën për ta cakërruar me të sajën.
– Gëzuar!
– Gëzuar!
– Me pak para, mund të marrësh shumë djalosh, – ofertoi, duke nxjerrë tani në pah, gjinjtë e saj, në atë mënyrë sikur deshi t’ia derdhte ato në duart e tija.
Ndonëse deshi të përmbahej, megjithatë situatave të tilla tundimi nuk mund t’i bëjë ballë as ndonjë klerik, andaj edhe nguli për pak sekonda shikimin në gjoksin e saj të fryrë, që nuk po i bënin “zap” dot as gjoksoret.
– Nëse do të luash me to, ngjitemi lartë në dhomë, – i erdhi oferta konkrete, kur u pa se ai me mendje, tani më kishte futur kokën thellë në to, mu sikur kur e fut nën ujë dhe po që se nuk e nxjerrë dot me kohë, mund edhe të ngulfatesh.
– Më fal, doja veçse të bashkëbisedojmë! – e shkundi dikur vetën nga ai tundim.
M\e grimasë të habisë në fytyrë, ajo bëri mimikën e tillë sikur donte t’i thoshte:”Ore, nuk është dhomë chat-i këtu!”.
Kjo mimikë, u kap qartë nga djaloshi që duket se e deshifrojë dhe reagoi me të shpejtë.
– Do të paguaj për kohën, zonjë!
– Mos më quaj zonjë. Unë jam Era, punojë këtu.
– Jam Trimi, sociolog në të ardhmen e afërt, shpresoj!
– OK, Trim i trimave, po e pagove orën, llafosemi sa të duash. Për mua njëjtë është, megjithatë mendo se çfarë mund të marrësh, – i tha e buzëqeshur, duke i reklamuar sërish gjinjtë, me formë asimetrike.
– Ai e ngriti shuplakën e dorës kah ai gjoks, që vazhdonte të tundej si xhelatinë, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë, me një “jo” apo me “faleminderit”, ose edhe me një përgjigje që mund t’i përfshinte të dyja këto: “Jo, faleminderit!”
– Kush vijnë zakonisht këtu?! – tani e bëri pyetjen konkrete që do t’i shërbente qëllimit të tij.
– Ata që kanë para, – e mori përgjigjen prerë.
– Më duken njerëz të pushtetshëm!
– Eh, po, ku është politika aty është pushteti e me të edhe paraja.
Sërish u cakërruan gotat, e u shkëmbyen buzëqeshjet dhe shikimet, tani me më shumë dozë intimiteti në to.
– Mos je gjë gazetar dhe do të blesh një storie?!
– Jo, të thash, studioj për sociologji. Por, që rëndësi ka, përderisa paguhesh?!
– Varet çfarë informacione kërkon. Mund të ketë informacione të klasifikuara që, ose nuk janë në shitje ose të duhet një mal me para, që t’i kesh ato.
– Jo, thjesht bëjmë muhabet të lirë. Më duhet të bëjë një studim për një punim seminarik. Më intereson të dijë për personalitetin e klientelës. Nga vështrimi i deritanishëm më ka ra të shoh tipa të ndryshëm njerëzish, që këtë mund ta dallosh edhe pa u afruar me ta. Në anën tjetër shoh edhe ngjashmëri që mundëson selektimin dhe ndarjen në grupe të klientelës.
– Çfarë të intereson konkretisht?!
– Po, ja për disa që i shoh më shpesh këtu. I sheh ata burra në atë tavolinën në kënd, që po flasin e qeshin e besa duket se tallen bukur mirë edhe me ato dy biondina që po i shkëmbejnë nëpër prehër të tyre?!
– Po, janë klientelë e rregullt! – ia ktheu duke pritur pyetjen konkrete.
– Më fol çfarëdo që të bie në mend për ta. Përshkruaji prej prizmit tënd. Kjo do të më mjaftonte. Le të jenë përgjigjet të shkurta e të thukëta.
Erës nuk iu deshtë shumë të thellohej në mendime, pasi i njihte mirë, Pas një gllënjke pije, një thithje cigareje, një buzëqeshje seksi.., u kap për mendime dhe filloi skanimin e profilit të tyre.
Fillimisht dua të them se Shtëpia… është një vend i bukur dhe i rëndësishëm. Mos na gjykoni neve. Janë disa grupe të përçudnuara që vijnë dhe e meritojnë një gjykim! Tani rreth pyetjes konkrete që bëre. Ata për të cilët po pyet, në ardhje janë plotë sharmë. Janë kalkulatorë të mirë që sillën si të ishte ky vend pronë e tyre. Sjellin këtu klientelë të tillë që duhet të paguajnë fillimisht te ata, për të ardhur deri te ne. Shumë nga vajzat kanë siguruar punën përmes tyre. Nejse, duhet pothuajse me vite të punojmë për ta shlyer borxhin për këtë “nderë”. Megjithatë, ata nuk merren drejtpërdrejt me vajzat, me fitimin e tyre, sepse atyre u interesojnë të vejnë dorë drejtpërdrejtë në xhirollogaritë e “Shtëpisë…”. Për ta kontrolluar paranë, duan kontroll në gjithçka. Këtë e vlerësojnë të drejtë të tyre që ua jep meritokracia se themelet e kësaj shtëpie janë të vendosura nga ta…!
Kësaj radhe ngritja e gotës nga ana e saj për një “gëzuar” tjetër me djaloshin, më tepër se sa shijim pijesh, ishte pritje konfirmimi se a mjaftoi ky përshkrim që bëri, për të kaluar me grupe tjera klientësh, apo jo?!
Kur pa se sytë e djaloshit, pasi u shkëputen nga të sajat, po kërkonin të tjerë, e mori për përgjigje pozitive në pyetjen e pabërë, andaj edhe ajo hodhi shikimin mbi klientelë për të kapur të tjerë, për të cilët duhej thënë ca fjalë.
Dhe kur iu fokusua grupi tjetër, piu edhe një gllënjkë mojito, që fjalët t’i dilnin rrjedhë duke ia bëri me dije djaloshit se edhe kjo turmë ishte me peshë.
– Dua të tërheqë një paralele mes këtij soji dhe shoferit të një automjeti.
Këta, gjithmonë duan t’i kenë duart në timon, por që njëkohësisht përherë prapanicën e tërhequr mbrapa sa më shumë që është e mundur, – dha sqarimin fillestar, Era.
Dhe, derisa me shikim sërish peshkonte klientët e këtij grupi, në kokën e saj bëhej përpjekja për t’i gjetur të dhënat sa më shpjeguese, që me sa më pak fjalë të thuhej sa më shumë për ta.
– Besojnë në atë që,çdo gjë ka nis me ta dhe asgjë nuk mund të bëhet pa ta. Në njëfarë mënyre e vlerësojnë veten e tyre zbulues të sekretit të dashurisë së përjetshme, – përmblodhi fjalinë.
Dhe me që këto shpjegime të deritanishme e kishin heshtur djaloshin, ajo sikur vendosi t’i bije trup kësaj bisede studiuese, ndonëse sipërfaqësore, andaj vazhdoi tani të fliste për të tjerë.
– Edhe këta për të cilët t’i identifikova, vlen ajo se as edhe mjalti nuk është më i ëmbël se pushteti. Sillen me inercion, thirren në merita, bëjnë politikë muskujsh dhe në fund rëndësi ka veçse bilanci i tyre.
E, nëse pate mundësi t’i kapje deri më tani, disa prej këtyre që shëtisin sa te njëra palë, sa te tjetra, këta nuk përbëjnë ndonjë grup të unifikuar, ndonëse jam bukur në numër, andaj edhe më tepër njihen me emrin gjunjëkuq, sesa që janë palë që peshojnë.
Ata çunat te parmaku, në të majtë?!, – ndërhyri dikur studenti, që deri më tani ishte bërë i tëri veshë!
Ata të rinj vërtetë janë tipa të çuditshëm, Model interesant i klientelës, – tha Era për t’i ngritur ca vetullat dhe për t’i lagur pastaj buzët me mojito.
Sa herë që vijnë këtu kërkojnë virgjëresha!!! Po, po nuk po bëjë shaka! Virgjëresha!!! Kanë kokën e tyre dhe me kot ua thua se ku janë. Janë klientelë rebele. Në anë tjetër, çuditëse është fakti se, kohëve të fundit, vajzat sikur ndihen mirë me ta, përgjatë shërbimeve të ofruara dhe në këtë si duket ndikon qartë metoda e krahasimit. Nuk janë të frikshëm sa shprehen, por ua kemi frikën se do të mund të na lënë pa punë sepse një ditë mund ta mbyllin fare këtë vend, duke e rrënuar në themel me idenë për të ndërtuar një më të mirë, sipas kutit të tyre. Te këta klientë, dy anët e medaljes, “qarri e zarari”, siç thuhet në popull, i mbanë të ndarë një qime fare e hollë e leshit.
– Të tjerët, ishte pyetja e radhës e studentit, por sikur me këtë kërkojë përmbledhje.
– Të tjerët janë të papeshë. Janë njerëz të tipit renta car! Merren, përdorën, ikën, kthehen… paguhen, s’paguhen… thjeshtë, nuk kanë këllqe për të ndikuar në rrjedhën që ecë tutje! Realisht nuk e konsiderojnë vetën humbës sepse llogarisin se fitojnë edhe kur humbëset, pasi për ta me rëndësi të jenë pjesë e lojës, përfitues të vegjël apo qoftë edhe statistë.
– Nga ato që i the, duket se këto grupe qenkan në një luftë të rreptë për të dominuar dhe arritur qëllimet e tyre.
– Më tepër do të thosha, bëjnë teatër.
– Si teatër?!!! – pyeti i habitur.
– Teatër de. Shfaqje, komedi, tragjedi…!!!
– Shihet se kanë interesa të ndryshme dhe nuk u puthiten ato, atëherë si mund të jetë kjo një lojë e tyre?!
– Duket nga jashtë ashtu, ndërsa e vërteta është me regjisorë.
– Shembull?! – picërroi sytë, studenti, me shikim në gojën e saj, duke bërë me dije se i duhen akoma sqarime për ta “përbirë” përgjigjen e Erës.
– Argumenti më i mirë që mund të ta jap, është e dhëna se bashkëveprim i i tyre në orgji, seks treshe apo seks grupor, është i shkëlqyeshëm. Nuk ta merr mendja, thuajse janë një! E gjejnë ritmin e duhur që i rimon interesat e tyre bukur mirë.
– A ka kush iu bënë derman këtyre?!
– Hijet, paksa!!!
Nga pyetja se kush janë Hijet, që edhe pa u përmendur, e kishte të planifikuar ta bënte, hoqi dorë, posa i kishte dëgjuar të mos e flisnin gjuhën e tij, andaj kësaj here u interesua të dijë vetëm për pjesën e dytë të përgjigjes së fundit, nga e cila u ngacmua!
– Pse thua pakëz?!
– Edhe Hijet janë nga mishi e gjaku. Edhe atyre iu ngrihet “thik” përpjetë dhe dinë ta shfrytëzojnë logjikën e mbrapshtë që e ka ky soj vendasish, për të ardhmen…! Mandej, ata kanë peshoren e tyre që mat ndryshe! Ndonëse shprehja “Si asht veni bahet kuvendi”, është autoktone, ata e zbatojnë shumë më mirë se ne.
Tani fytyra e studentit mori atë pamje, treguese se ishte në mes të të qenurit, i habitur dhe i mërzitur, e ndër dhëmbë i rrëshqitën fjalët: – Kontaminim, pa dallim!
Momenti i tillë e kërkonte edhe nga një pije, që u bë me mimikë, pasi gishti tregues i djaloshit, tani më i thelluar në mendime, u drejtua fillimisht kah banakieri, për ta marrë vëmendjen e tij, e më pastaj drejtë të dyja gotave, me çka u nënkuptua që porositej edhe nga një xhiro me të njëjtat pije.
– Tani shumë gjëra i kishte të qarta. Nuk e di pse, por këto që i vërtetoi sikur ia ngacmuan fshikëzën, sa për ta ndier nevojën që të shurrojë. Momentin kur djaloshi iku në nevojtore iu dha mundësi banakierit, që bashkë me pijet e servuara t’i drejtohet edhe me një pyetje, Erës.
– E dashur, pse ky çuni nuk pranoi shërbimin e ofruar, kur edhe ashtu aq do t’i kushtojë kjo bashkëbisedë e juaja?! – ishte pyetje për të shuar kureshtje.
Ajo e shikojë me një vështrim të tillë, mu siç shikohet një naiv që bënë pyetje pa lidhje dhe pasi lëpiu ca buzët, nga goja e saj e lezetshme, rrodhën fjalët: – Eh, çfarë të të them!
Ndërkohë, mes buzëve belbëzoi edhe një përgjigje tjetër, që më tepër ishte për vet atë, sesa për banakierin.
– Ky vend ka akoma idealist të papërmirësueshëm…!!!
Thonë, erërat e ndryshimit fryjnë më së mirë nën hukamën e zjarrit shpirtëror të atij që vazhdon ta ketë thirrjen “ kryengritës!!!”.

You Might Also Like