Gjilan

Pas shkeljeve në thirrjet publike të orkestruara nga qeverisja e  VV-së, po largohen partnerët e Komunës së Gjilanit

Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega Gjilan, ka mbajtur konferencë për medie në selinë e LDK-së në Gjilan. Para medieve dhe qytetarëve paraqitën parregullësitë e gjetura në komunë, anëtarja e Kuvendit Komunal, znj. Gresa Avdiu dhe kryetari i Komisionit pët Zhvillim Ekonomik Lokal, Ndërrmarrësi dhe Agrikulturë, prof.Fidan Qerimi.
“Kritikojmë ashpër qeverisjen komunale për mënyrën e ndarjes së subvencioneve për Start Up biznese dhe për bizneset e grave.
E papranueshme që subvencionet të jipen jashtë kritereve të përcaktuara me rregullore e të shpërblehen eksponentët e partisë në pushtet pa u turpëruar fare. Përfituesit janë familjarë të afërt të këshilltarëve komunalë apo të anëtarëve të komisionit, gjë që paraqet konflikt interesi. Por, siç duket kjo parti nuk e ka problem këtë gjë, duke qenë se për dy vite, Komunën e Gjilanit e kanë trajtuar më shumë si seli të partisë së tyre sesa si institucion lokal i të gjithë qytetarëve të Gjilanit. Në atë frymë po vazhdojnë edhe tani, po shpëblejnë familjarët e tyre e nuk po japin llogari askund as për shkeljet e rregulloreve e as për konfliktin e interesit.
Nuk kanë bërë publike as listen e pritjes tek përfituesit e as përfituesit të cilët janë tërhequr, gjë për të cilën vetëm kanë shtuar dyshimet se ka pasur kurdisje në këtë thirrje publike. E kësaj, shtoja faktin se mbi 10 biznese përfituese janë regjistruar si biznese tek pasi është hapur afati i aplikimit”,- tha Avdiu para medieve.
“Gjithashtu, kemi parë se para disa dite Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, ka shpallur më të mirët e vitit 2023. I urojmë fillimisht të gjithë ata që u nderuan sepse me të vërtetë e meritojnë, e sporti e kultura gjithmonë kanë ngritur imazhin e Gjilanit kudo që na kanë përfaqësuar. Por, të jepen çmime e mirënjohje vetëm për disa sporte, e të lihen anash sportistët e artistët që na kanë përfaqëusar ndërkombëtarsisht, është e papranueshme. Kemi më së shumti fitues në sportin e karatesë, por nuk kemi asnjë të nderuar në basketboll e futsall, e kemi shumë pak në futboll, të cilët u nderuan tek  pas kritikave tona për mosndarje të disa çmimeve. Nuk mund ta lëmë jashtë mirënjohjes një pianiste që ka fituar çmime ndërkombëtare, as një futbollist që ka luajtur në gara evropiane, apo një nënkampion të Kosovës në sporte individuale. Andaj, DKRS-së i bëjmë thirrje që me kujdes shumë më të madh,  se bashku me komisionin, ta bëjnë ndarjen e meritave në vitin e ardhshëm , sepse sportistët e artistët tanë janë fytyra e ndritur e qytetit tonë”,- përfundoi Avdiu.
Tutje, prof. Fidan Qerimi shtoi se shkeljet në thirrjet publike e konkurset e tilla po i largojnë edhe partnerët e Komunës së Gjilanit. Sa për informatën tuaj dhe tëqytetarëve, Komuna e Gjilanit vetëm në sektorin e bujqësisë ka pasur partnerë organizata ndërkombëtare si: USAID TIKA, HAFER, Islamik Relief, IADK, CARITAS Luksemburg e gjithashti bizneset që janë përpunuese të produkteve bujqësore si: Kabi, Drena, ASK Foods, Frutomania, Calabria, Fauna, Floil, e shumë biznese tjera. Ka pasur kriter që ndarja e subvencioneve të bëhet në sa më shumë biznese, nuk ka pasur raste të financimit të shumëfishtë për një biznes.
Aktualisht, Komuna Gjilanit ka partner në këtë sektor vetëm Islamik Relief, pra të gjithë partnerët tjerë nuk ndihmojnë bizneset e Komunës së Gjilanit,  janë humbur projektet në mbështetje të sektorit të bujqësisë, ku ekonomitë familjare me punë mekanike dhe me kapacitete më të vogla i kanë avancuar me mjete të punës, rritje të kapaciteteve dhe rritje të punësimit. Këto biznese nuk kanë më mbështetje me mekanizma bujqësore, dhënien e ekspertizave profesionale për përpunim të djathit dhe bulmetit, rritjen e krerëve të lopëve me raca të cilat janë për prodhim të qumështit.
Efekti i mungesës së trekëndëshit të bashkëpunimit mes bizneseve prodhuese bujqësore, bizneseve përpunuese të produkteve bujqësore dhe organizatave ndërkombëtare nuk është vetëm në mungesën e ndarjes së pajisjeve, por mungon ndërtimi i lidhjeve biznesore për plasimin e prodhimeve të këtyre bizneseve të vogla. E kjo ka efekt negativ në motivin e vetëpunësimit dhe të zhvillimit të këtyre bizneseve. Mosofrimi i ekspertizës së avancuar ndikon në koston e prodhimit të bujve tanë, që do të thotë se do të jenë më të shtrenjtë në treg dhe kjo automatikisht i favorizon produktet e importuara.
Komisioni për Zhvillim Ekonomik Lokal, Ndërmarrësi dhe Agrikulturë është pranë biznese të Komunës së Gjilanit, kemi kontakte të vazhdueshme, dhe ato po kërkojnë transparencë dhe drejtësi në qasjen e këtyre mbështetjeve ndaj bizneseve,- tha prof. Qerimi në konferencën e sotme.

You Might Also Like