Muhamed Suliqi drejtor ekzekutiv në “Hidromorava” në një bashkëbisedim me qytetar, media dhe shoqërinë civile ka folur mbi masat që ka ndërmarrë kjo kompani për ta zbutur mungesën e ujit të pijshëm si dhe hapat alternativ. Edhe, Mumin Morina ka folur për alternativat e mundshme dhe projektet që pritet të financohen nga Qeveria e Kosovës.
Në debatin e organizuar nga Klubi i Gazetareve “Beqir Musliu” me temën :”Si dhe sa po menaxhohet mungesa e ujit të pijshëm në rajonin e Gjilanit” kanë folur për shqetësimet e tyre Muhamed Suliqi dhe Mumin Morina.
Debati është pasuruar edhe me diskutimet e qytetarëve, përfaqësuesve të lagjeve e fshatrave, medieve dhe shoqërisë civile.
Muhamed Suliqi drejtor tha se Gjilani qe katër here ballafaqohet me thatësirën, ka të reshura të shiut shumë pak, kapacitetet e burimit janë të pakta në krahasim me komunat tjera, këto janë momente të krizave me ujë.
“Kemi bërë një plan menaxhimi, jemi në teren çdo ditë, kemi krijuar Task Forcën, po shikojmë thithjen e fondeve nga Qeveria, jemi duke vrapuar në çdo hap, kurse hulumtimi i puseve po shikohet, derisa vlera e këtyre projekteve është 460 mijë euro. I kemi grupet e inspektimit në teren dhe janë identifikuar 15 kompani ndërtimore që i kanë ujëmatësit, 88 autolarje në Gjilan. Do të hymë në reduktime për zonat rurale fshatrat Përlepnica, Shillova dhe apelojmë tek qytetarët që mos të mbushin puset” u shpreh Suliqi.
Suliqi tha se kriza e ujit nuk është brengë vetëm e kompanisë “Hidromorava”. “Uji është problem jetësore dhe i duhet secilit, andaj kërkojë angazhim maksimal nga të gjithë mekanizmat institucional dhe gjithashtu bëjë apel që mos të keqpërdoret kriza e ujit, por të jemi unik në përballimin e kësaj situate emergjente” u shpreh Suliqi.
Shaban Terziu nga shoqëria civile tha se janë hulumtuar më herët puset në Koretishtë, por s`ka pasur sukses.”Unë jam për ate që të dënohen qytetarët që e keqpërdorin ujin, sepse kriza ekziston dhe duhet të shikohen modalitetet”.
Ibish Ibishi këshilltar komunal ka falënderuar për angazhim maksimal kompaninë “Hidromorava”, por tha se edhe masat ndëshkuese nuk janë të mjaftueshme.
Momin Morina drejtor teknik tha se kriza do të vazhdoj edhe viteve tjera. “Mos harroni se e vetmja kompania jonë e ka planin e menaxhimit të thatësirave në nivel Kosove. Kemi një menaxhim të mirë dhe kriza nuk është e thelluar aq shumë, janë të kyçur edhe ekspert ndërkombëtarë. Kemi propozuar si të me ranguar pesë lokacione nga ku mundet të furnizohet Gjilani, por këto janë projekte afatgjata” shtoj Morina.
Muhamed Suliqi tha se aktivitetet për ta vetëdijesuar qytetarin janë të përditshme.
Ramiz Isufi nga fshati Uglar tha se puset janë hulumtuar dhe kryer, por nuk janë funksional dhe tha se ka papërgjegjësi institucionale për këtë fakt.”Mos i akuzoni dhe mos shikoni t`i dënoni vetëm qytetarët sepse përgjegjësia në radhë të parë është institucionale” tha Isufi.
Pyetje rreth kësaj problematike kanë shtruar edhe Vjosa Salihu nga NISMA, Hasan Sadriu e të tjerë.
Në fund u dha edhe apeli që të paguhen faturat e ujit të shpenzuar sepse tani pritet të vijnë mërgimtarët dhe gjendja do të rëndohet edhe më shumë.
Mumin Morina tha se ekziston edhe plani emergjent, por zgjidhja duhet të jetë afatgjate dhe në këtë drejtim munden të na ndihmojnë edhe deputetet e Anamoravës dhe të gjithë tjerët që e duan Gjilanin me ujë të pijshëm.