Një kartolinë punë dore, apo buqetë lule punëdore për nënat e mësueset për 7 dhe 8 mars, këtë e ka vlerësuar më të çmueshme Drejtoria e Arsimit në Gjilan se sa të harxhohen mjete financiare.
Albana Demiri, drejtoreshë e Arsimit në Gjilan ka konsideruar se 7 dhe 8 marsi janë data shumë të rëndësishme, sepse 7 Marsi është dita e mësuesit dhe 8 Marsi dita e gruas.
“Ne të gjithë e dimë që mësuesi është prindi i dytë për nxënësin dhe vlerën e tij e njohin shumë mirë nxënësit dhe prindërit e tyre, e kështu shpesh herë prindërit duke blerë dhurata të shtrenjta mundohen që ta shprehin respektin dhe mirënjohjen ndaj mësuesit, edhe pse mësuesi këtë nuk e kërkon.
Për ta bërë dhuratën më ideale dhe të veçantë për mësuesin, për nder të 7 Marsit, do ishte më e pëlqyeshme që prindërit dhe nxënësit të punojnë kartolina punë dore me mbishkrimet më të mira dhe falënderuese ndaj mësuesit. Secili nxënës të punoj kartolinën më të mirë për mësuesin e tij. Festën mund ta bëjnë edhe më kreative dhe emocionale kur kartolinat lexohen në prezencën e nxënësve”, është shprehur drejtoresha e Arsimit në Gjilan, Albana Demiri, e cila ka shtuar se
përveç kartolinave, nxënësit mund të punojnë së bashku me prindërit edhe lule punë dore, nëse duan që kjo lule t’i mbetet mësuesit një kujtim i pavyshkur.
“Ndalohet grumbullimi i të hollave nga grupet e prindërve për blerje të dhuratave për mësimdhënësit; ndalohet pranimi i çfarëdo dhurate tjetër përveç të lartcekurave”, ka thënë drejtoresha Demiri, e cila ka kërkuar nga nxënësit që të punojnë kartolina punë dore e lule punë dore.