Prof. Asoc. Dr. Lili Sula mbi librin Letërsia nga burgu, kapitull më vete në letërsinë shqipe, të Prof. Dr. Bajram Kosumi.
Letërsia nga burgu, kapitull më vete në letërsinë shqipe – botim i përpunuar, ITSHKSH, Shkup, 2020 – vjen tek lexuesi si një shqyrtim i thellë i studimit me të njëjtin titull, botuar më 2006-n. I njohur për kontributin e tij shkencor ndër vite në këtë fushë studimi, prof. Bajram Kosumi e boton këtë monografi si një program pune për një dukuri komplekse, me status të qartë letrar, që shtrihet vertikalisht nga rrafshi faktik i kërkimit në terren, përmes lëndës dokumentare, në rrafsh të analizës, interpretimit dhe tipologjisë së letërsisë nga burgu, për të mbërritur në rrafshin teoriko-kritik. Qasja kulturore dhe socio-ideologjike, si dhe shqyrtimi i raporteve të letërsisë nga burgu me politikën, përballë shtetit të shekullit XX, përbëjnë gjithashtu nyja kyçe të studimit në fjalë.
Libri rrok një temë të diskutueshme prej kohësh nga disa studiues, të cilët janë ndalur në profile të veçanta krijuese ose në problematika specifike, që gjithsesi kanë mbetur të pjesshme për këtë dukuri që ka shoqëruar gjatë letërsinë tonë. Ndërkohë, ky botim është një studim themeltar për letërsinë nga burgu, të pastudiuar më parë në nivel përgjithësues, ndaj theksojmë vlerat referenciale të tij për studime të mëpasshme.
Metoda vetëpërcaktohet prej lëndës së marrë në shqyrtim, në hapësirën mbarëshqiptare, përmes tekstesh e autorësh të shumtë, ndër të cilët: Musine Kokalari, Arshi Pipa, Kasëm Trebeshina, Adem Demaçi, Visar Zhiti, Merxhan Avdyli, Ismail Syla, Rexhep Elmazi e të tjerë, që na shpien në diskutime për terminologjinë dhe përkufizimet e këtij zhanri letrar, si për shembull: burgologji (V. Zhiti), ishullim (S. Hamiti) etj. Në studimin e tij, B. Kosumi përdor emërtimin letërsi nga burgu, “për shkak të saktësisë së termit, por dhe për shkak të konotacionit: kjo letërsi vjen nga burgu, nga ato zgafelle ku çdo çast kacafytet jeta me vdekjen” (f. 86). Ajo që politikisht është quajtur disidencë letrare ka ekzistuar edhe në letërsinë shqiptare. Letërsia nga burgu është shkruar dhe lexuar fshehurazi, edhe pse nuk është botuar deri në vitin 1991, me një përjashtim të vetëm (Libri i burgut i Arshi Pipës, 1959), duke i tejkaluar kufijtë e asaj që shquhet si disidencë letrare (f. 245).
Ndryshe nga studimet që përgjithësisht qendërzohen në analizën dhe interpretimin e veprës letrare, me letërsinë e burgut, e cila nuk mundi as të qarkullojë e as të botohet normalisht, studiuesi i kushton vëmendje të posaçme procesit krijues. Në rrezikun që teksti letrar, si artefakt, mund të komunikojë me lexuesin ose dhe të zhduket sapo është krijuar, autori shënon, se “më i rëndësishëm se sa vetë teksti letrar është procesi i krijimit të atij teksti. Në procesin e krijimit, poeti e realizon veten… ai është çelësi që hap portën e mbijetesës së të burgosurve” (f. 203). Përmes analizash tekstore formaliste arrihet në tipologji të poetikave moderne e simboliko-alegorike, të zhanreve e nënzhanreve, si: ditari, memuari, epistolari etj., në klasifikime tematike e ideologjike, deri te hartimi i një fjalorthi (fjalë-çelësa, koncepte e simbole), që na ndihmojnë të vërejmë marrëdhëniet e krijimtarisë së burgut me lirikën shqiptare.
Distanca kohore prej tridhjetë vjetësh nga dukuria letrare e shqyrtuar – të jetuarit e autorit të librit në dy periudha historike, para dhe pas viteve ‘90 të shekullit XX – mundësojnë qasje objektive në rrafsh njerëzor dhe studimor. Duke sjellë në vëmendje se një nga problemet e interpretimit të letërsisë nga burgu mbetet subjektivizmi, me karakter emotiv e politik, që e nxjerr këtë krijimtari nga hapësira letrare në atë ekstraletrare, vlen të theksojmë se studimi karakterizohet nga objektiviteti shkencor. (Kujtojmë se autori ka kryer burg politik e njëherësh është krijues e studiues i letërsisë nga burgu.) Nga ana tjetër, edhe pse kritika është akt subjektiv, vërehet se bashkëvuajtësi në burgun politik pikëtakohet me krijuesin e studiuesin në një polifoni të paqtë të ligjërimit human e, në këtë kuptim, libri është përmendore e fjalës së lirë që kanë ngritur këta krijues në burgjet e Shqipërisë e ato të ish-Jugosllavisë.
Monografia parashtron teza të qarta lidhur me historinë e letërsisë shqipe – një nga debatet e shpeshta institucionale e mes studiuesish. Lidhur me këtë çështje, prof. Kosumi shprehet se jo vetëm për shkak të rrethanave, në të cilat është krijuar, por edhe në temat që trajton, në figurat që krijon dhe konceptin estetik-filozofik, kjo letërsi duhet të trajtohet si kapitull i veçantë në historinë e letërsisë shqipe (f. 287). E përtej kësaj, hidhen bazat e mendimit kritik e historiografik për këtë letërsi, në diskutime për kohëbotimin e librave të V. Zhitit (Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar) dhe të G. Hajdarit (Gjëmë. Genocidi i poezisë shqipe).
Autori i Letërsia nga burgu shtron idenë e përfshirjes së saj në tekste e kurrikula shkollore, duke qenë se është një lëndë e trajtuar pak ose shumë pak, e cila veç vlerës letrare e historiografike përçon dhe vlera të kujtesës së afërt historike të popullit tonë. Institucionet arsimore kanë për detyrë të përcjellin dije kanonike dhe është misioni i tyre të angazhohen në hapjen e kurrikulave arsimore ndaj këtij fenomeni, ashtu siç operohet në vendet e zhvilluara evropiane. Jemi këtu në një pikë të përbashkët me nisma të ndryshme të rijetëzimit të institucioneve ku kanë vuajtur dënimin të përndjekurit politikë, mes të cilëve edhe shkrimtarë e artistë të shquar shqiptarë, në burgjet e: Nishit, Pozharevacit, Beogradit (Serbi); Prishtinës, Mitrovicës (Kosovë); Burrelit, Spaçit, Tepelenës, Qafë-Barit (Shqipëri) etj.; me publikimin e shkrimeve që prej dhjetëra vitesh nuk e kanë parë dritën e botimit (nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, me seli në Tiranë); me nisma të tjera studiuesish e profesionistësh të vendeve të kujtesës, që theksojnë prej kohësh se hapja demokratike për shoqërinë tonë duhet të shoqërohet me ndjesën e thellë publike (si Gjermania), si dhe me krijimin e kujtesës së periudhës diktatoriale, posaçërisht për brezat që nuk e njohin atë. Në ndryshim nga Shqipëria, përkrahja e botimit dhe e studimit të letërsisë nga burgu në Kosovë, përmes institucioneve publike dhe jopublike, thuajse nuk është ndjerë, ndaj botimi dhe studimi i kësaj hapësire letrare ka mbetur në përpjekje të autorëve të veçantë. Edhe pas rënies së komunizmit, nuk ka institucione ta kenë pasur në objektivin e tyre këtë letërsi. Kuvendi i Kosovës ka tentuar dy herë për të miratuar një rezolutë, që të dënonte krimet e komunizmit në Kosovës, por nisma është penguar dhe ka dështuar të futet në rendin e ditë së Kuvendit.
E vlertë kjo monografi edhe në rrafsh informativ për të rinjtë që nuk e kanë jetuar diktaturën e për lexuesin e gjerë, i cili gjithnjë do të ketë etje për ngjarje e fate autorësh e veprash që e kanë parë shumë vonë lexuesin ose janë ende në pritje për ta takuar atë. Me një ligjërim të qartë të rrafshit studimor, të cilit i shtresohet ai eseistik e herë-herë biografik, që vjen nga jeta e studiuesit, monografia komunikon me lexuesin profesionist e, njëherësh, me atë të zakonshëm.
Letërsia nga burgu, kapitull më vete në letërsinë shqipe na paraqitet si një studim i mbyllur në kuptimin e objektit të përcaktuar paraprakisht, por njëherësh na propozon hapësira pune të porsahapura nga autori i saj, si hartimi i fjalorit të letërsisë nga burgu; publikimi i krijimeve që ende nuk e kanë parë dritën e botimit; botime antologjish; e na fton në diskutime të hershme, që në thelb kanë të bëjnë me hapjen e kanonit letrar.