Gjilan

Përmbyllet manifestimi tradicional “Ditët e Agimit 2025

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit Alban Hysenit dhe Shoqatës Kulturore “Ditët e Agimit” në Zhegër, kanë vazhduar aktivitetet e manifestimit tradicional kulturor “Ditët e Agimit 2025”.

Në shënimin e ditëlindjes së Agim Ramadanit, në “Tubimi Qendror – I këndojmë Agimit”, bashkë me kryetarin e Komunës së Gjilanit Alban Hyseni ishte edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se manifestimi “I këndojmë Agimit” ishte një aktivitet i veçantë në kuadër të manifestimit Ditët e Agimit 2025, ku përmes këngës e fjalës, nderuan jetën dhe veprën e heroit Agim Ramadani.

“Në Zhegër, kujtuam jetën dhe veprën e heroit Agim Ramadani përmes këngës, poezisë dhe artit, në praninë e qytetarëve, artistëve dhe mysafirëve të shumtë – ndër ta edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Lavdi Komandant Katanës dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë”, ka thën kryetari Alban Hyseni.

I pari i Gjilanit, tha se manifestimin “Ditët e Agimit 2025”, e përmbyllën me aktivitetin e mbajtur në pendën e Livoçit, ku përveç përfaqësuesve nga e gjithë Kosova, morën pjesë edhe peshkatarë nga Shqipëria, duke e kthyer këtë ngjarje në një manifestim të vërtetë mbarëkombëtar.

Sipas tij, pjesëmarrja dhe angazhimi i peshkatarëve në këtë aktivitet përkujtimor është një dëshmi e fuqishme e bashkimit tonë rreth vlerave të përbashkëta dhe respektit të thellë për historinë dhe sakrificën e të rënëve.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti, ka thënë për heroin Agim Ramadani, se është ndër dëshmorët e rënë në luftën çlirimtare të popullit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, teksa shtoi se dëshmorët e kombit nuk janë të përjetësuar në kujtesën tonë kolektive dhe në historinë e Kosovës vetëm për shkak të aktit të tyre të rënies, por edhe për aktivitetet e tyre sa

ishin gjallë, angazhimit dhe veprës së tyre në totalitetin e saj.

“Agim Ramadani është me profilin më të gjithanshëm: trashëgimia ushtarake, politike dhe artistike e të cilit vazhdon ende të na befasojë, teksa shohim fotografitë, poezitë, pikturat dhe dorëshkrimet e tij. Agim Ramadani ishte pra, poet, piktor, aktivist politik, strateg ushtarak, si dhe një patriot me shpirt artisti e fort frymëzues edhe për gjeneratat e sotme sikurse për shoqërinë e tij dikur”, tha kryeministri.

Kurti shtoi se të tilla manifestime ua zgjasin jetën kujtimeve me nderime dhe mirënjohje jetës së dëshmorëve të lirisë dhe i forcojnë lidhjet e këtyre kujtimeve nga njëri brez në tjetrin.

“Sepse duke i kujtuar dëshmorët mes të gjallësh se si ishin ata, sa ishin të gjallë, i mbajmë të gjalla kujtimet tona për ta dhe shembullin e tyre për ne. Ju dëshiroj një pasdite çlodhëse dhe një mbrëmje të këndshme sonte, në këto ditë të hershme të pranverës së sivjetme, dhe ju përgëzoj për mirëmbajtjen e manifestimeve “Ditët e Agimit”. Lavdi Katanës, heroit Agim Ramadani, bashkë me dëshmorët dhe martirët e kombit të rënë për lirinë e Kosovës”, tha Kurti.

You Might Also Like