Libri

POETIKA E NJË DASHURIE

Arsim Halili
POETIKA E NJË DASHURIE
(Pas leximit të vëllimit poetik të Sabit Rrustemit, SHPRUSH NËPËR DEJ, e3dituar nga sh.b “ROZAFA, Prishtinë, 2025)
“ Fiksioni e pushton secilin princip të realitetit”
Steiner.
Përmbledhja poetike “ Shprush nëpër dej “ e Sabit Rrustemit, pa e tepruar , dëshmon edhe njëherë se mbetet ndër poetët më të veçantë të këtij zhanri. Ky fakt bie në sy nga mënyra e shkrimit, ritmi, rima, muzikaliteti, koloriti, thjeshtësia, etj. Vargjet e Sabit Rrustemit janë të lidhura ndërmjet vete, në strukturën e vargut paraqiten herë sikatrenë, tercinë me raste edhe si distik po edhe si një varg i vetëm.
• Përjetimi dhe përjetësia e vargut
Ligjërimi poetik në përmbledhjen “ Shprush nëpër dej “ është shkruar pa pikë dyshim deri në përjetësi, dhe kjo për një arsye, sepse ajo kap çastet më dinamike të kohës. Ky përjetim dhe përjetësim i vargut tenton të gjejë burimin e jetës të quajtur dashuri, po edhe vet thelbin e kësaj jete, po edhe praninë ekzistenciale të vetë qenies sonë. Ky artikulim figurative – poetik mund të jetë parabolë estetike, ku dashuria shihet si një enigmë e pazgjidhshme.
Poreve të dhembjes përbirohesh
Si emër i rrallë i etjes
S’më hiqesh prej kujtesës
Kjo lirikë është një përpëlitje e thellë për të gjetur rrugën kah dashuria. Vargjet e tilla e bëjnë ndjenjën më të bukur, më fisnike, e me raste edhe të ndërlikueshme . Ndoshta në ikje në relacione të kundërta, por gjithnjë në kërkim të njëri-tjetrit.
Ëndrra jonë
Vizatohet në dritare
Si një ekspozitë acari.
Gjithë atë që e prodhon dhe riprodhon përmes vargut na bënë që të dakordohemi me një mendim të Xhojsit se në të shkruarit e një libri duhet të kemi parasysh një gjë: “Estetikën e ëndrrës, në të cilën format shumëfishohen, stërgjaten, vizionet nga triviale tek ato apokaliptike “
Dashuria vazhdon të mbetet enigma e pazgjidhshme . Hera – herës papritur shfaqet zhgënjimi, kujtimet e dikurshme për personin e dashur që nuk gjendet pranë. Ai është i gatshëm të kërkojë kudo këtë dashuri , qoftë edhe në gjërat më të imta, më të, thella e të paarritshme
• E dashura dhe vendi i saj në poezinë e Sabit Rrustemit
Gjatë leximit të librit poetik “ Shprush nëpër dej”vërehet qartë se këto poezi të dashurisë kanë regjistër të pasur tematik. Shpresa, pikëllimi, zhgënjimi, ndarja , malli për gjininë e bukur, të dashurën në këtë rast, janë vargje me imazhe në dukje të thjeshta nga përditshmëria dhe e bëjnë të kapshme për receptuesin. Poeti Rrustemi, përdor gjuhë dhe stil mjeshtror, fjalor të pasur, mbase mund të merret edhe si model se si shkruhet thjesht dhe bukur në të njëjtën kohë. Ky diskurs poetik perceprohet si një lëvizje natyrale, siç thotë Herakliti “ Nuk mund të hyjmë dy herë në të njëjtin lumë” sepse uji ikën, lëviz, rrjedh, parandaj edhe për poetin është çdo gjë lëviz bashkë me kohën, bashkë me këtë lëviz edhe dashuria , sado që mund të kundërohet nga pikëpamje të ndryshme emocionale. Tekstualisht themi se poeti Rrustemi është një nga ata pelegrinët, që kërkon të vizitojë, përceptojë, ta kap në çdo shtegtim dashurinë e që pikënisjen e ka nga shprehjet e tij figurative, toponimike , të njohura për lexuesin.
Ajo flakë zjarri që shkrihet në gojë
si gjuhë e përndezur
drejt saj me yshtë gjithmonë.
Kjo ndjesi përciellet me një shtresim të zjarrtë. Ky rifigurim poetik, tregon qartë se poeti Rrustemi me kujdes ndërton imazhin e të dashurës në gjithë përmbledhjen poetike. Mjeshtëria poetike është po aq e rafinuar sa që ndërton me kompetencë artistke korpus treguesish poetikë në adresë të së dashurës.
Përfundim
Le të kujtojmë për një moment Sokratin i cili gjithmonë ka pas kujdes në formulimet dhe dekleratat e tij sa i përket dashurisë. Andaj, pa e zmadhuar më shumë, duke lexuar vëllimi më të ri poetik të Sabit Rustemit ky shkrim na çon dhe te mendimi i Morice Blonchote: “Të shkruash do të thotë të futesh në afirmimin e vetmisë, ku magjepsja të kërcënon” Prandaj mund të themi se poezia e Rrustemit në vëllimin poetic SHPRUSH NËPËR DEJ, ndez shqetësimet jo vetëm në këtë drejtim, po edhe ta përshpejton ritmin e zemrës , duke na mbajtur në këmbë gjithnjë, duke na drejtuar nga një hapësirë specifike e pikëtakimeve të dy palëve, me një qëllim të përbashkët, mbajtjen ndez të shpirtit të dashuruar.

You Might Also Like