Vëllimi poetik “Mes hijes dhe dritës”, është libri i parë i autores Arjeta Dërmaku Rushiti, e cila në këto hapërime poetike ka artikuluar botën e brendshme të saj. Në këto përvijime artistike ajo vjen në kërkueshmëri të pandalshme për të sakrifikuar ditët e saj edhe atëhetrë kur para saj shtroheshin kërkesa nga më të ndryshmet.
Poezia dhe jeta determinojnë kohën para njeriut kërkimtar. Arjeta në këto shtrirje ka arritur me vetëmohim që të tejkalojë rrethanat e mundimshme të kohës. Ajo është insistuese në arritjen e ditëve më të konkretizuara, të cilat peshojnë mbi kurrizin e saj, sepse brengat ndaj familjes e rritjes së fëmijëve janë preokupimet më të mundimshme të saja Arjeta e ka përjetuar kohën tranzicion, e cila si gjithnjë i ka të mirat dhe pasojat e veta.
Në këto rrjedha kohore poezia në vëllimin poetik “Mes hijes dhe dritës”, ka shtrirje nga një ekstrem në tjetrin. Poezia e saj merr e jep nga jeta, duke sinkronizuar dukjet e ditëve të rinisë dhe të ditëve më të rënda, kur ajo bart mbi supet e veta përgjegësinë për rriten e fëmijëve të saj, duke e ditur rolin e nënës dhe për të ndërtuar të ardhmen e familjes. Në këto realitete kohësh idetë e saj, gjithnjë janë motivuese, përkundër hijes së mjegulluar që ka krijuar koha.
Poezia e Arjetës ka preokupim përditëshmërinë brenda tërësië së librit, ato krijojnë rrjedhën burimore brenda vargjeve dhe si të këtilla kanë procedim të natyrshëm.Vetë jeta frymon nën konkretizimin transmetues, si meditime dhe artikulime poetike. Ndjeshmëria si akt i përgjegjësisë për familjen Në pjesën e parë të librit radhiten poezitë”Ditët peng”, në këtë cikël poetik, autorja ka artikuluar përjetimet e ditëve, kur jeta atë e ballafaon me vëshitërsi, e këto shtegtime të saja janë kërkim i dritës për të mundur hijen e padëshiruar të ditëve, që krijojnë pika të, ndjeshme përmes ngjyrimeve kohore. Arjeta, në këto ndryshime ka përvetësuar fjalën në tejkalim të udhëkryqeve të jetës. Ajo dinë, don dhe ia arrinë të shprish ëndrrat e mundimshme të një pezmi dominues, jo vetëm për të, por në përgjithësi në rrethanat e brishta të tranzicionit në vendin tonë .
Nga poezia në poezi, autorja na përvetëson me mbarshtrimin artistik, si dhe na përforcon përjetimet brenda poezisë së librit.Në disa poezi Arjeta, ka shkrirë mallin dhe dashurinë për frytet e saj, e me të cilët hapëron në çdo frymëmarrje. Ajo dëshmon se është nënë e fortë dhe me forcën që ka brenda shpirtit i tejkalon ditët e momentet më komplekse që prodhon jeta e njeriut.. Në poezinë “Melodia e zemrës”, vargjet vijnë në theksime të thella, ato depërtojnë në të gjitha arteriet e dhembjeve e dashurisë së një nëne. Vargjet e kësaj poezie të ofrojnë përjetimin e ndjeshmërinë deri në thellësi ꓽ Loti -lotin nuk ma pret Zemra ju kërkon me mall të shtrënguar Nga një nënë e vetmuar Për ju gjithçka kam sakrifikuar . Këto dhe vargje e të tjera me dedikim për familjen e fëmijët e saj, janë të shtresëzuara në transmetim të gjakimit poetik, ato vijnë e shkrihen përmes penës artistike , të cilat i japin gjallërinë shpirtit në konsolidim të vargut poetik.
Tematika dhe motivimi ideoartistik në këto poezi, të largon nga urbanizmi i mbuluar me fjalë e diktate. Autorja arrin të dëshmojë rolin e njeriut në rrethanat që krijon faktori njeri e kohë.Poezitë e këtij cikli dëshmojnë se bota artistike, pavarësisht situatave të ngushtuara të udhëtimeve tona, mund të arrijë e të depërtoj në binarët e mundshëm. Rezultat i këtij sublimimi dëshmon se variacioni artistik korrespondon me procesin e ekzistencës me ritme të peshuara.
Disa poezi me këtë motiv krijojnë botën reale, si përkushtim dhe mbështetje e pakontestuar për dalje në rrugën e mundshme, e cila pastaj të kthen në dilaogim të qenies sonë dhe si të këtilla poezitë çlirojnë shpirtërat që e rrethojnë njeriun. Këto emocione, lexuesi i ndjen në disa poezi si vlerë e realizime të arrtishme artistike, si në poezitë ꓽ Melodia e Zemrës, Dhuratë për ty,Gjysmëshpiti. Kurrë s`mbaron dashuria,Baba,Universi, Besoni, Unë -Nëna, e tjera. Poezia e Arjetës, të jep optimizmin e botës femërore, si nënë dhe si poete, ajo përmes muzës poetike të krijon mundësinë e përjetimit në mbarëvjatjen e ditëve që vijnë, gjithnjë në kërkim të dritës diellore në kopshtin vendlindjes. Në pjesën e dytë“Melodia në Kitarë”, radhiten disa poezi me motivin lirik ,të dashurisë. Në realitet dashuria është vetë jeta e poetes, ajo këtë ndjenjë e ka mundur me mallin që ka për familjen e atdheun. Po diku në një qoshe të dhomës së fëmijëve të saj, ajo ka vendosur kitarën , që të jep tingullin melodioz në mundje të dhembjes, që ka përjetuar në ditët më të vështira të saj. Malli dhe dashuria shkrijnë edhe arin në ardhje të përtritjes, ngritjes së botës familjare e ngadhënjimtare për të ruajtur dashurinë deri ë përjetësi. Në pjesën e tretë të librit janë radhitur poezitë:”Udhëtim në gravurë”, vetë fenomeni i punimit në gravurë identifikon përkujdesjen për të portretizuar peripecitë e udhëtimeve tona nëpër fatet e jetës. Arjeta në këto poezi ka zgjeruar horizontin e pizazheve të botës shqiptare. Në këto shtjellime, ajo ruan pamje nga më të ndryshmet, të cilat observojnë ide e në pasqyrim të imazheve që krijojnë dukshmëri të natyrshme. Nëpër këto valë të ecjeve kohore, teoria e korrespondimit të krijon njohjen edhe me botëkuptimin filozofik në ruajtje të qenies sonë,si në poezitëꓽ Porosi në letër,Ëndrrat,Nëpër kohë,Liria,Mos ndalo, Kataklizëm, Mallë vatre, Dëgjo me zemër etj.
Në poezinë “Nëpër kohë”, autorja ka reflektuar shtegtimet e njeriut në fatin e udhëkryqeve , kur situatat të mbulojnë me përhumbjen e tretur. Mirëpo, kur njeriu nuk ndalon , arritja përtej vetes arrinë të marrë të mbarën.si në vargjetꓽ Nëpër kohë më gjeti jeta E lodhur e padorëzuar E fshehur e përhumbur Po nga koha e çliruar. Në këto vargje dhe të tjera, ajo beson në veten e saj dhe ia del me sukses, duke besuar në universin peng. Dashuria ndaj njeriut mund veprimet e padëshiruara të ditëve të errëta. Në këto pritje, ajo i beson kohës dhe orëve të para të mengjesit përnjë ditë të re. Iluzioni dhe kotësia për autoren janë pikëpamje që përbëjnë esencën e të ardhmes . Kështu, bazament për të krijuar botën paraprijëse, e për të gërshetuar kohët në arritjet e vetëdijsimit në filozofinë e përspektivës shoqërore. Marrë në përgjithësi parashtrimet poetike të këtij vëllimi, vijë si refleksion që autorja të ofron medikamentin shëruaes përmes botës aristike, kur kjo shkrihet e ndjehet nga malli që përvlon ditët dhe netët në mërgim, kur njeriu poet e mund eklipsin e një nate me hënë.Pra, poezia brenda tërësisë së saj mund të orientojë në konkludim, se në botën shqiptare edhe më tej vazhdohet shkrimi i poezisë mërgimtare. Traditë e breng, e krijuar nga Rilindja kombëtare, e që po vazhdon deri në ditët tona. Në këtë hallkë të pashkëputur bënë pjesë edhe poezia e Arjetës. Gjithnjë, si hije që tajkalon dete e oqene për të arritur në pragun e derës së vendlinjes ,e në dritarën e pritjes ku lind e perëndon dielli.
Vëllimi poetik “Mes hijes dhe dritës,i Arjeta Dërmaku-Rushiti, është shpalosje e festë e zemrës së saj në pritje të mallit e dashurisë për familjen, të afërmit si dhe në përkushtimin e saj ndaj vendildjes në ndriçim e reflektim të një bote artistike, për t`i dhënë atdheut,e të ardhmes kosolidimin që ajo e dëshiron. Poezia e Arjetës ka origjinalitetin e mëvetsishëm brenda shtjellimit artistik, kjo e bënë poezinë më të kuptueshme për lexuesin,si dhe të jep mesazhin e qartë për rolin edukativ të një nëne në jetë dhe në poezi.