Libri

Poezi për fshatrat e Hashanisë

Shkruan: Zymer Bunjaku

Në mes të kodrave, ku frynte erë e butë,

Fshatrat e Hashanisë flenë të shkreta, pa zë,

Rrugët e pluhurosura mbajnë veç hapat e shuar,

Dhe gurët e avlive kujtojnë kohët e shkuara.

Ku janë ata që u rritën me dritën e agimeve?

Që ktheheshin mbrëmjeve, nën qetësinë e yjeve?

Ku janë zërat që këndonin mbi arat e punuara,

Dhe era e bukës, në furra të nxehta të gatuara?

Të dhemb ky boshllëk, ky shtrat pa jetë e pa ngjyrë,

Ku bari rritet pa zot, në oborre të lëna nën hije,

Ku shtëpitë gjysmë të rrënuara qajnë nën qiell,

E shpirtrat e larguar shfaqen veç si një diell.

Malli të kaplon për zërat që s’kanë për t’u kthyer,

Për fëmijët që luanin, për nënat që prush ndezën,

Fshatrat e Hashanisë, të shuara e të harruara,

Më ngjajnë si plagë në tokën e bardhë, të çarë.

Oh Hashania e vetmuar, je gur i rëndë në shpirt,

Çdo rrugë, çdo shteg e çdo mur rënkon nën mall,

E ndjenë fëshfërimën, kujtimet që shuhen ngadalë,

Fshatrat e boshatisura, flenë si të tretura në vaj.

You Might Also Like