Kaltrinë BERISHA
POEZIA SI TESTAMENT POETIK E JETËSOR
( Sherafedin Kadriu: KUR VDESIN NGJYRAT, sh.b. “Beqir Musliu”, Gjilan, 2025)
Vëllimi poetik, Kur vdesin ngjyrat që në fillim na paralajmëron me fundin e një cikli. Si i tillë, fundi veçse nënkuptohet, mirëpo me anë të motiveve e ideve nga jeta dalin gërshetime të tjera të poezive në këtë vëllim. Kur njeriu i afrohet vdekjes, pikës së fundit të ciklit jetësor ka një bagazh të madh me përvoja jetësore, ndjenja, kujtime, mirënjohje, pendime, sakrifica, dashuri e mall, e që të gjitha këto dalin si motive e ide dominuese në poezitë e autorit, Sherafedin Kadriut. Andaj, lexuesi nuk ka se si të mos rrëmbehet nga emocionet e thella që sjellin këto poezi, qoftë përmes poezive personale që autori ua dedikon familjarëve më të dashur, miqve të zgjedhur, figurave historike e atdhetare si dhe njerëzve që i ka njohur nga përvoja më e hidhur jetësore e që nuk kanë hezituar aspak që ta ndihmojnë. Madje disa prej këtyre poezive janë shkruar në shenjë falënderimi, mirënjohje për t’u përshëndetur përfundimisht me ta.
Poezitë e këtij vëllimi i bashkon ndjenja e dhembjes që shkon drejt fundit dhe dashurisë së jetës për vitet e mëhershme. Me anë të figurës së Çafkave, autori dhembjen e shndërron në nivelin më të lart artistik, aq sa këto poezi dalin si testamente poetike, që emocionet ndryhen brenda figurave dhe mbetet vetëm gjuha si dëshmi arkeologjike e cila kërkon lexues që i ndjekin shenjat e autorit. Pra, meqë dalin si testamente poetike, kuptohet se kemi të bëjmë me poezi që arrijnë t’i mbijetojnë sfidave të kohës bashkë me faktorët e jashtëm, janë të radhitura e të skalitura pas një substrati të fortë, gjegjësisht te rrënjët tona, si vlera arkeologjike, që nisin me fëmijërinë e autorit, rrethin familjar e shoqëror të tij, frymën lokale të vendit ku është rritur si dhe njohja e botës përmes njerëzve më të afërt që e kanë shoqëruar rritjen e tij. Thënë ndryshe kjo trajektore e një vdekatari nis me fëmijërinë, merr hov me përjetimet e flakta të rinisë, shoshitjet e përvojave jetësore në pjekuri dhe një mjegull e pafundme herë me dhembje të një vdekjeje të parakohshme e herë kthimi në retrospektivë, në sekuenca të shkurtëta të fëmijërisë te njerëzit që dikur kishin qenë gjallë që në mënyrë metaforike i bënin thirrje autorit që të nisej drejt urës për në botën e përtejme.
Nëse kujtimi i të vdekurve apo dialogimi me ta e nxisin lexuesin për një pikëpamje metafizike, poezitë me dedikim ndaj të gjallëve, dalin si testamente që në fund të një rrugëtimi të gjatë e të stërmundimshëm, autori ua lë njerëve më të dashur të tij, që e shoqëruan, i ndihmuan, dhe u kujdesën që t’ia japin dozën e shpresës rregullisht edhe atëherë kur ajo ishte shumë e vështirë për t’u gjetur dhe për të mbetur e gjallë. Andaj poezitë e tilla janë dëshmi të gjalla ekzistencialiste që e vulosin fatin e autorit dhe të njerëzve të zgjedhur që e shoqëruan edhe përtej “fundit të paramenduar”që bashkarisht formojnë një kullë me substrat të fortë dhe histori të shumta që presin për t’u zbuluar. Në këtë mënyrë duket se autori këto poezi i shkruan në formën e testamenteve për ta ftuar lexuesin ta hulumtoj gjithë arkeologjinë e kullës së tij artistike, duke analizuar dhe gëmuar çdo gur të saj. Dhe jo rastësisht poezia e fundit e këtij vëllimi titullohet Para se me u shtri’…, ku me anë të fjalëve lë testamentin e fundit poetik po edhe jetësor, si porosi nga forca e fundit e gjithë qenies së tij.
“Ah, porosi si poezi,
Po e vështirë për t’u shkruar vetë
Po i ruaj mendtë, nuk po çmendem krejt”
Përmes këtij tastamenti poetik dokumentohet gërshetimi i jetës dhe veprave të autorit, njerëzit me ndjenjat e veçanta që i kanë falur, në një rrugëtim të pafundm në dy botë, ku dhembja ndryhet brenda shpirtit njerëzor dhe gjuha metaforike është ajo që e fton dhe e ushqen lexuesin për t’i lexuar e për të mos i harruar këto copëza kujtimesh.
(Gjilan, tetor 2025)






