Jetojnë skaj Moravës së Binçës, por gjatë stinës së verës banorët e Pogragjës së Gjilanit po e shohin të zitë e ullirit për ujë të pijshëm. Dikur, kur uji i Moravës së Binçës e kishte ujin e pastër së paku rrobat mund t’i pastronin skaj lumit e ato tashti duhet larë ashtu si munden, shkruan kryelajmi.com.
Së paku, dikur pogragjasit laheshin në lumë e tashti në lumin e ndotur ka kohë që nuk lahet askush, gjë që të përkujton vargjet e Nolit “pranë lumit të palarë…” e në këto rrethana në mungesë të ujit, banorët po pastrohen me bidonë, ngase uji në banjat e tyre ka shterur. Ky problem banorët e Pogragjës po i përcjell nga viti në vit dhe është e paimagjinueshme se si një fshat që shtrihet në mes të tre lumenjve, Morava e Binçës, Lumi i Sllubicës dhe Lumi Llapusha nuk ka ujë të pijshëm dhe furnizim të rregullt.
Ka pesëmbëdhjetë vite që fshati Pogragjë përballet me problemin e furnizimit me ujë të pijshëm, që nga koha kur në këtë fshat u përurua ujësjellësi nga lumi i Llapushës, në pjesën perëndimore të fshatit. Edhe ashtu, kur ka ujë, siç theksojnë banorët e këtij fshati, uji nuk është i ndonjë cilësie të madhe dhe ai kryesisht përdoret vetëm për pastrim, por edhe ai ujë që vije kohë pas kohe nuk ka kapacitetin e duhur e te disa shtëpi në cep të fshatit nuk arrin fare, ngase shtypje nuk ka. Edhe këtë verë, në Pogragjë, gjendja e furnizimit me ujë është përkeqësuar për t’u ndalë krejtësisht këtyre ditëve me orë e ditë të tëra. Banorët dyshojnë se uji edhe mund të keqpërdoret nga dikush për ujitje oborresh, serash, arash, mbushje bunarësh etj.
Banorët, që për çdo ditë po përballen me probleme të kësaj natyre kërkojnë një zgjidhje, ngase shumë shtëpi detyrohen të mbushin ujë të pijes nëpër puse apo çezma private dhe kërkojnë që rrjeti i ujësjellësit një ditë të rregullohet. Është e pakuptimtë që një fshat i madh, çfarë është Pogragja, të përballet me gjënë elementare – ujin, andaj duhet që institucionet komunale dhe mekanizmat lokalë këtë problem ta zgjidhin njëherë e përgjithmonë./kryelajmi.com/.