Gjilan

Pogragjasit presin mbështetje konkrete nga komuna

Ndihmat për familjet e dëmtuara rëndë, përcaktimi i kufijve të shtratit të lumit Sllubica, rregullimi i shtratit të këtij lumi, rregullimi i rrugëve dhe një ure të përbashkët për familjet matanë këtij lumi, ishin kërkesat e pogragjasve për kryetarin e komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri gjatë vizitës që i bëri të mërkurën sot Pogragjës pas vërshimeve të javës së kaluar.

Gjatë vizitës që u bëri familjeve më të prekura nga vërshimet, i pari i komunës së Gjilanit, Haziri, është shoqëruar nga koordinatori i shoqatës “ Pogragja” në Zvicër, Sami Durmishi, i cili në emër të kryesisë së shoqatës e njoftoi atë për angazhimet konkrete të shoqatës duke kërkuar bashkëpunim dhe përkrahje më të shpejt për familjet e dëmtuara, sidomos për ato që nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

Kryetari Haziri, tha se vlerëson kontributin dhe angazhimin e menjëhershëm të shoqatës “Pogragja”, ndarjen e një fondi për t’u dalë në ndihmë këtyre familjeve për çka është njoftuar nga kryetari i shoqatës, Burim Jashari dhe premtoi se ndihma për katër familjet Nuredini do të jetë e shpejt që ato të kthen në shtëpitë e tyre.

“Ndihmat dhe përkrahja për këto familje do të koordinohet me shoqatën “Pogragja” e cila ma marrë një iniciativë të tillë”, tha kryetari Haziri

Gjatë vizitës në zonat e prekura nga vërshimet, kryetari ka bashkëbiseduar me Ramiz e Bekim Nuredinin dhe Ramiz Jasharin si dhe banorë tjerë që kanë pësuar nga vërshimet. Sipas tij, tashmë kanë nisur punët për zgjerimin e shtratit të këtij lumi, pastaj do të shikohet mundësia për rregullimin e rrugës së përbashkët dhe urës për banorët që kanë probleme për t’u lidhur me rrugën kryesore për shkak të dëmeve që kanë shkaktuar vërshimet.

Ai njoftoi se nga komuna ka filluar evidentimi i të gjitha dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, pastaj do të shikohet mundësia për ndihmë.

Kryetari Haziri i cili në këtë vizitë shoqërohej nga nënkryetari i komunës dhe tre drejtorë të drejtorive, i ka dhënë përgjigje pozitive kërkesës së shoqatës “Pogragja” dhe këshillit të fshatit për rregullimin e ujit atmosferik që vjen nga Gollogllava- futjen e tij në gypa nëntokësorë për të ruajtur kështu infrastrukturën rrugore.

Ai tha se bashkëpunimi i komunës, shoqatës “Pogragja” dhe këshillit të fshatit, vazhdon të jetë trekëndëshi i përcaktimit të projekteve për këtë fshat.

Ndryshe, nga vërshimet e javës së kaluar nga lumi Sllubica u shkaktuan dëme të konsiderueshme në dhjetëra shtëpi, në infrastrukturë rrugore dhe në tokat bujqësore.

You Might Also Like