Në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” është mbajt një takim që kishte të bëjë me sigurinë në shkolla, ku kanë marrë pjesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, prindër, udhëheqja e shkollës, psikologë, koordinatori i cilësisë e këshilltarë për karrierë.

Fillimisht Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” ka bërë me dije për qëllimin e këtij takimi, i cili është në të mirë të nxënësve tanë e që ka të bëjë me sigurinë e nxënësve. Mustafa, ka theksuar se shkolla ka dhe vazhdon të ketë komunikim të vazhdueshëm me policinë e Kosovës, prindërit e nxënësit, me qëllim që këtyre të fundit t’u ofrohet siguri e plotë. Ai ka thënë se falë këtij bashkëpunimi, në masë të madhe janë ulur dukuritë devijante në shkollë e rreth saj, por që siç ka shtuar ai, duhet të jemi syçelë dhe bashkëpunimi në këtë aspekt është më se i nevojshëm.

Rreshterja e Policisë së Kosovës, Sadete Sadiku, ka theksuar Policia në Bashkësi ka ndërtuar një strategji që ka të bëjë me sigurinë e nxënësve, andaj tash e sa kohë kjo strategji është duke u prezantuar nëpër shkolla dhe në masë të madhe ka dhënë rezultate. Sipas saj, çdo qytetar, prind, nxënës e punonjës i arsimit ka mundësinë që të komunikojë e diskutojë me policinë. Sipas saj, në krahasim me të kaluarën, gjendje në shkollat tona dhe rreth tyre është shumë e mirë se dikur dhe kjo është falë vetëdijesimit të qytetarëve, por edhe pranisë së Policisë së Kosovës në çdo cep, qoftë me uniformë policore ose me rroba civile.

Ajo tha se në kuadër të aktiviteteve policore janë bërë kontrolle nëpër shkolla dhe është fat që ky kontroll ka rezultuar se nxënësit tanë nuk mbajnë armë të ftohta, apo diç që është në kundërshtim me ligjin, por megjithatë, ajo ka shtuar se duhet patur kujdes, ngase disa ditë më pas ndodhi një therje me thikë, që është brengosëse. Ajo është angazhuar që të identifikohen rastet e tilla, në mënyrë që të bëhet parandalimi. Ndër rastet shqetësuese që duhet evituar, ajo ka përmendur largimin e armëve të ftohta, krimet kibernetike, çështjen e pirjes së duhanit e cigareve elektronike dhe dukuri të tjera, andaj ka kërkuar bashkëpunim me prindërit, gjë të cilin e ka kërkuar edhe oficeri Muhamet nga policia në bashkësi që bashkë me kolegët e tij për çdo ditë është pranishëm në kompleksin e shkollave të mesme dhe rreth tij.
Psikologia Kaltrina Jetishi, nga ana profesionale ka kontribuar në këtë temë, duke vlerësuar rolin shumë të madh që e kanë prindërit në parandalimin e këtyre dukurive, që prekin moshës e adoloshentëve, derisa zëvendësdrejtori Agim Asllani, duke bërë një bilanc të asaj se në çfarë gjendje është Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti”, ka thënë se gjendje mund të cilësohet shumë e mirë, pa shqetësime për prindërit, por që gjithmonë duhet patur kujdes të shtuar.
Në këtë bashkëbisedim prindërit pjesëmarrës janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim dhe për të dhënë kontributin e tyre në këtë drejtim, ngase ky angazhim është në të mirën e fëmijëve të tyre dhe të komunitetit në përgjithësi./kryelajmi.com/.



