Teatër

“Prapa Ekranit”, shfaqje që vetëdijëson moshën e re për rreziqet që sjellë dhuna online

Në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” është dhënë shfaqja “Prapa Ekranit” me regji të Zana Hoxhës në të cilën janë paraqitur aktorët Ismail Kasumi, Qendresa Kajtazi, Anisa Ismaili, Edlir Gashi dhe Albana Gashi.



Ka qenë kjo një shfaqje forum-teatër që ka hapur një debat të domosdoshëm mbi dhunën psikologjike dhe abuzimin online. Në skenë zbërthehen marrëdhëniet e një grupi studentësh dhe profesoreshës së tyre, të cilët përballen me manipulimin, kontrollin, presionet digjitale dhe ndikimin e “manosferës” në jetën e tyre të përditshme.

Aktorët si është më së miri janë mishëruar me rolet që ua ka besuar regjisorja, derisa për nxënësit shfaqja ishte shumë e kapshme, ngase ajo ka trajtuar përditshmërinë me të cilën përballen edhe nxënësit në jetën e tyre rinore.

Pas shfaqjes, personazhet që luajtën në të janë përballë me një sërë pyetjesh nga nxënësit pjesëmarrës, në bazë të të cilave është vërejtur se nxënësit si është më së miri i kanë kapur mesazhet që i ka dhënë shfaqje dhe ata u bënë pjesë aktive e shfaqjes, duke qenë në dijeni se dhuna online mbizotëron edhe në ambientin ku ata jetojnë, por që në bazë të mesazheve që dhanë nxënësit lihet të kuptohet se ata nuk e pranojnë një dhunë të tillë, mundohen t’a luftojnë atë dhe janë të vetëdijshëm për rreziqet që dalin nga një lloj i tillë i dhunës.

Shfaqje të tilla si kjo “Prapa ekranit” i duhen shoqërisë dhe shkollave tona, ngase ajo ka rol edukativ, vetëdijëson moshën e re për rreziqet që sjellë dhuna online dhe rrit kujdesin tek ta.

Në kushte shkollore ku u dha shfaqja, ajo bëhet edhe më e afërt për nxënësit, kurse organizatorët nga Artpolis meritojnë lëvdata për punën e bërë.

Kjo shfaqje është organizuar nga Artpolis, me mbështetje të Rrjetit të Grave të Kosovës dhe East West Management Institute. /kryelajmi.com/.


 

You Might Also Like