Teatër

Premiera e “Kabare 1999”, sjell periudhën e pasluftë mes lirisë e kujtimeve

Më 5 shkurt në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, u dha premiera e shfaqjes “Kabare 1999”, me rreth 100 persona në audiencë. Një shfaqje muzikore që e zhvendos rrëfimin nga Berlini i viteve ’30 në Prishtinën e 1999-ës – një qytet i sapo dalë nga lufta dhe po mëson të jetojë përsëri mes shpresës, lodhjes dhe dëshirës për jetë.
Regjisorja Zana Hoxha krijon një hapësirë ku realiteti dhe performanca ndërthuren, ku jeta luhet si spektakël, ndërsa traumën dhe mungesën e njerëzve nuk mund ta fshehësh pas dritave dhe muzikës. Në qendër qëndron Aida (Semira Latifi), një shkrimtare që ëndërron dhe kërkon të dëshmojë, të kuptojë dhe të shkruajë për të zhdukurit, por e gjen veten e tërhequr në një sistem që gjithçka e mat me çmim. Përmes saj dhe personazheve të tjerë – MC (Kushtrim Qerimi), Soni (Edon Shileku), Ernesti (Gëzim Bucolli), Afërdita (Aurita Agushi), Dudija (Safete Mustafa Baftiu), Claudio (Gani Rrahmani), Agimi (Ali Demi), Gruaja (Mejreme Berisha) dhe ushtari (Blend Arifi) – shfaqja reflekton mbi lirinë, subjektivitetin dhe moralin në një botë që sapo ka dalë nga konflikti.
“Kabare 1999” flet për mënyrën se si kujtesa, shpresa dhe dëshira për të jetuar mbeten akt rezistence në një shoqëri që përpiqet të rindërtojë jetën pas traumës.
“Kabare 1999” është bashkëproduksion i Teatrit të Qytetit të Gjilanit dhe Artpolis, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Gjilanit. Një shfaqje që nuk jep përgjigje të lehta, por të lë të mendosh për jetën, kujtesën dhe hapësirën ku liria dhe tragjedia bashkëjetojnë.

You Might Also Like