Shkruan: Ukshin Zajmi
Në skenën e Teatrit Profesionist të Gjilanit u shfaq premiera e komedisë “Kërkohet kloun Plak” të autorit rumun Matei Visniek në regji të Besfort Idrizit, realizuar nga Teatri i një aktori-Shkup (Maqedoni) në bashkëpunim me Teatrin “Butrinti 2000”(Shqipëri) dhe Teatri i Gjilanit(Kosovë) e me producent Bajrush Mjakun. Rolet i interpretuan: Sabedin Shahiqi-Gjilan, Bajrush Mjaku-Shkup, Alfred Bujaloti-Shqipëri dhe Beqir Nuredini-Shkup. Një realizim i tillë është ide e kahmotshme e aktorit dhe producentit Bajrush Mjaku, me qëllim të kombëtarizimit të artit teatral shqiptarë dhe të përfaqësimit të tij si të tillë e jo të shpërnadrë si art teatral i shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.
1.Autori bashkëkohorë rumun Matei Visniek, i shkolluar për historian e filosof, ai tash merret me poezi dhe hartues dramash. Ndonëse u shpërblye për poezi në vitin 1984, ai nga regjimi i Çausheskut u cenzurua, ndaj u detyrua te kërkon azil politik në Francë, ku shkroi shumicën e teksteve dramaturgjike, duke e thumbuar pushtetin komunist në Evropën lindore. Edhe teksti i shfaqur, kohë me parë në Shkup e me 17 tetor 2016 në Gjilan “Kërkohen kloun plak” shpërfaqë gjendjen e rëndë të gjeneratës së tretë, pleqëve pensionist, të cilët vrapojnë për të gjetur punë në bazë të një shpalljeje-konkursi.
2.Producenti dhe regjisori tekstin e kanë aktualizuar dhe lokalizuar në gjeografinë shqiptare, nga se edhe në këto mjedise ekziston një dramë e thellë njerzore, andaj duke ndjekur idenë e autorit edhe aktorët, sipas udhëzimit regjisorial dhe përvojës së tyre profesionale na paraqesin një humor absurd të një universi kafkaesk. Zatën, kolegët e një cirku i cili është mbyllur dhjetë e më shumë vite më parë, tash konkurojnë për një “kloun plak”, sepse kanë nevojë për mjete materiale për mbijetesë, sepse, kuptohet, ajo që marrin nuk u mjafton.
3.Skena e lokalizuar si një dhomë pritjeje në ndonjë institucion, na paraqitet me tri dyer, një prej të cilave shërben për të hyrë, e dy të tjerat as nuk kapërcehën. Rikuizitat e vetme të kësaj komedie janë valixhet e drurit, të cilat u shërbejnë edhe për të pushuar, edhe për t’u lavdëruar, e besa ajo e Bajrush Mjakut edhe për të reflektuar në magjistar, duke dalur nga ajo tullumbacët fishkëllues. E tërë kjo skenë është realizuar sipas Enes Dearit. Sipërfaqja skenike ishte e mjaftueshme për të sajuar aktorët tërë aktivitetin minzaskenik.
4.Kostumet të punuara sipas idesë se Enes Dearit, bënë që aktorët të ndihen komod edhe atëherë kur uleshin, pushonin e kryenin veprimte memece apo edhe atëherë kur kacafyteshin apo edhe kur shtriheshin për të dëshmuar ndonjë qëllim të tyre madje edhe për të mashtruar kolegët.
5.Pos skenografisë dhe kostumeve, pjesë tjera përcjellëse në këtë komedi nuk pat. Kjo ndoshta është tendencë e producentit apo regjisorit për të sforcuar rolin e aktorit e sidomos ate të zërit, ndoshta edhe për t’iu larguar bagazhit gjatë udhëtimit për ta shfaqur komedinë në mjedise të ndryshme. Mund të ketë ndikuar në këtë edhe karajatat e ndryshme nëpër pikat kaluese kufitare, duke hartuar lista e dokumente të shumta. Duhet theksuar se dy-tri herë u përdoren efektet e dritave.
6.Gjuha e përdorur e aktorëve ishte në nivel të asaj standard, me dallime të dukshme në ritmikë. Por, vlenë të theksohet se aktorët, ndonëse të gjithë në moshë, u dëgjuan në tërë sallën, thuaja të mbushur me publikë.
7.Nikollo-Sabedin Shahiqi, aktor gjilanas, priti në skenë duke rregulluar fytyrën derisa salla u mbush me publik. U dallua këtu përvoja e tij, duke bërë levizje me brushë, gishta, mimikë dhe pasqyrë, e me qëndrim statik-ulur në valixhe, por që asnjëherë nuk u bë i tepërt deri sa erdhi në skenë Filippo-Bajrush Mjaku. Ardhja e tij në skenë dhe njoftimi i tyre bëri që djallëzitë e tyre të mëhershme në cirk, ndikuan në kureshtjen e publikut, duke përcjellur levizjet dhe veprimet e tyre qoftë verbale apo edhe në të shprehur, e këto të fundit sikur ndezën atmosferën. Bisedat, besa edhe konkurenca e tyre për të dominuar, kuptohet për t’u pranuar në punë si “klon plak” detyronte publikun të qeshë por edhe t’u dhimbsen, sidomos atëherë kur mundoheshin njeri tjetrit t’i dëshmonin se rrobat janë të tyre dhe se edhe nuk janë pa mjete materiale-lekë (para). Paraqitja në skenë e Peppinos- Alfred Bualotit, ngjalli edhe më shumë skenën, sepse komedia fitoi një ritëm më të shpejtë, dhe filluan krijimet e grackave për dominim.
Komunikimi i drejtpërdrejt i aktorëve e njëkohësisht edhe me publikun bënë që ata të pëlqehen e të duartrokiten, edhe atëherë kur vepronin në skenë.
Kaptinë në vete ishte paraqitja e Beqir Nuredinit në skenë. Me një elegancë e levizje bindëse, ai dha një kreacion të mrekullueshëm aktorial, pa e folë asnjë fjalë.
8.Kjo komedi,e realizuar nga aktorët e trojeve gjithëshqiptare përmes humorit absurd njollosi shumë dukuri të shoqërisë së sotme, e sidomos gjendjen shumë të rëndë të gjeneratës së tretë, pra te të moshuarve, të cilët kanë mbetur në mëshirën e askujt, andaj ata për të përmirësuar situatën e tyre ngarendin edhe pas ndonjë reklame, qoftë ajo edhe ndonjë gaf i Një prillit.
9.I tërë potenciali aktoresk i paraqitur në këtë komedi satirike ishte për t’u lakmuar, andaj meriton të kapërcen shikueshmërinë e premierave.