Në Kosovë tradicionalisht prioritetet i kanë përcaktuar të huajt, kryesisht bazuar në interesat e tyre e jo të qytetarëve të Kosovës. Pushtetarët vendor, është dashur t’i përvetësojnë ato prioritete si të vetat, në të kundërtën për “kryeneçët” kanë pasuar ndëshkimet.
Dikur prioritete në Kosovë ishin: përhapja e ideve komuniste, kultivimi i vëllazërim-bashkimit, lufta kundër separatizmit dhe irredentizmit shqiptarë etj. Ndërsa, viteve të fundit si prioritete janë përcaktuar: krijimi i shoqërisë multi etnike në Kosovën (e populluar me mbi 90% shqiptarë), kthimi dhe integrimi i serbëve, decentralizimin etj.
Si në të kaluarën edhe tani prioritetet po i përcaktojnë të huajt e ne po i nënshtrohemi imponimeve të tyre.
Kështu ata që nuk i njohin, e shpesh edhe nuk ju interesojnë nevojat e vërteta të popullit të Kosovës, po vazhdojnë t’i përcaktojnë prioritetet tona. Ata po zhvillojnë bisedime me fqinjët tanë, në emër të Kosovës së pavarur, pa përfaqësuesit e saj; po themelojnë agjenci e komitete për implementimin e prioriteteve të tyre, ndërsa me identifikimin , e sidomos zgjidhjen e problemeve të vërteta, me të cilat po ballafaqohen qytetarët, po merren pak, ndërsa ne po bëjmë sehir.
Këto ditë për një vend pune në shkollat e Gjilanit konkurruan dhjet veta, 90% të tyre të kualifikuar. Nga 1700 punëkërkuesit e lartpërmendur 1530 vazhdojnë të mbesin edhe më tutje të papunë, bazuar në nevojat e tregut të punës (shkollat e komunës së Gjilanit) të papunëve aktual nuk do të mund t’ju sigurohet punë brenda 10 viteve të ardhshme, pa llogaritur këtu të gjithë ata që do të diplomojnë në ndërkohë. Nëse merret parasysh edhe prodhimi permanent i kuadrove shihet qartë se problemi i papunësisë prej vitit në vit po thellohet. Po të kihej parasysh se Gjilani nuk është rast unik, atëherë del se hapja e vendeve të reja të punës dhe planifikimi i shkollimit të kuadrove duhet të jetë prioritet me të cilin duhet të merremi seriozisht.
Për shkak të disharmonisë së nevojave reale të tregut të punës dhe kuadrove të kualifikuarve në lëmi të caktuara, rikualifikimi është një tjetër nevojë me prioritet.
Stimulimi i prodhimit, nëpërmjet investimeve vetanake dhe të huaja, krahas përgatitjeve të kuadrove të mirëfillta për prodhim është po ashtu prioritet i lartë.
Parakusht për tërheqjen e investimeve dhe rritjen e prodhimtarisë është përmirësimi i kushteve në shkollat tona. Kështu për shkak të mungesës së: hapësirës shkollore, laboratorëve, mjeteve të konkretizimit, mungesës së kushteve për punë të mirëfilltë praktike, mungesës së mekanizmave monitorues , planë-programeve të vjetruara, kemi cilësi të ulët në arsim. Prandaj mbi këtë bazë, investimi në arsim është prioritet mbi prioritete, sepse nëse kjo gjendje në arsim nuk ndryshohet, do të mbetemi larg integrimit në në Evropë.
Luftimi i dukurive negative, ngritja e shkallës së përgjegjësisë, dallimi i vlerave nga jo vlerat, i punës nga dembelia, ndërtimi i institucionit të përgjegjësisë, imponimi i respektimit të ligjit, janë veprime të domosdoshme të çdo vendi dhe shoqërie serioze. Në këtë plan Kosova nuk guxon të jetë përjashtim.
Problemet e lartpërmendura që fatkeqësisht për vite të tëra, në shumë segmente janë në rritje, do të fillojnë të zgjidhen kur prioritetet e Kosovës t’i identifikojnë dhe përcaktojnë qytetarët dhe udhëheqja e saj pa imponime nga jashtë.
Nga kthimet politike të imponuara nga Serbia, të cilat u sjellin përfitimi materiale individëve, duhet të hiqet dorë menjëherë, sepse me zhvillimin ekonomik të vendit vetvetiu do të zgjidhet problemi i kthimit dhe rintegrimit, sepse kthimi i të interesuarve do të ndodh natyrshëm për shkak të interesave të qytetarëve e jo të politikës ditore.
Integrimi jo vetëm i serbëve të kthyer, por edhe i serbëve që aktualisht jetojnë në Kosovë po e pengon decentralizimi që padrejtësisht po mbahet në listën e prioriteteve, pavarësisht faktit të njohur nga të gjithë, se decentralizimi i imponuar nga Serbia, nëpërmjet Planit të Ahtisarit, nuk është nevojë por imponim, se decentralizimi nuk është lansuar me qëllim të integrimit por është lansuar me qëllim të ndarjes së territorit të Kosovës në baza etnike. Dihet se kjo formë e decentralizimit nuk do të zgjidhë asnjë problem por vetëm sa do të komplikoj shumëçka. Dihet se kundër kësaj forme të decentralizmit janë pothuajse të gjithë qytetarët e Kosovës. Dihet se udhëheqja e Kosovës është detyruar nga të huajt ta përkrahë decentralizimin por intimisht ajo është kundër decentralizimit në fjalë.
Nga ky prioritet i imponuar një ditë do të jenë të detyruar të heqin dorë përkrahësit e tij dhe ata që këtë e bëjnë për shkak të presionit, sepse ai është i dëmshëm për të gjithë dhe si i tillë i paimplementueshëm, prandaj është mirë që nga ai të hiqet dorë sa më parë.
Është koha e fundit që udhëheqja e Kosovës bashkë me qytetarët e sajtë fokusohet në identifikimin e problemeve të shumta me të cilat po ballafaqohet vendi ( e të cilat po bëhen gjithnjë më të papërballueshme) t’i përcaktojnë prioritetet bazuar në analizat dhe vlerësimet e tyre pa ndikim nga jashtë, sidomos nga ata, të cilët nuk e njohin ose nuk ju intereson realiteti në Kosovë.
Ismajl Kurteshi, botuar me 4. 10. 2008, në “Epoka e Re”