Gjilani ka arsye të re për t’u krenuar. Profesor Pajtim Vela ka arritur suksesin më të madh akademik të karrierës së tij, duke fituar titullin Doktor i Shkencave në Shkencat Kompjuterike. Kjo arritje e veçantë është dëshmi e një rrugëtimi të gjatë me përkushtim dhe sakrificë, që tashmë shndërrohet në inspirim për të rinjtë gjilanas dhe gjithë Kosovën.
Rruga e tij drejt dijes nisi në Shkollën e Mesme Teknike Profesionale “Mehmet Isai” në Gjilan, ku studioi elektroteknikën. Pas shkollës së mesme, ai vazhdoi studimet e larta duke përfunduar dy fakultete Bachelor në Shkencat Kompjuterike – në South East European University (SEEU) në Maqedoni të Veriut dhe në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT) në Prishtinë. Studimet Master i zhvilloi në SEEU Shkup, për të vazhduar më tej drejt nivelit më të lartë akademik, ku mbrojti me sukses doktoraturën e tij në St. Cyril and St. Methodius University në Bullgari.
Prof. Pajtim Vela – Doktor i Shkencave Kompjuterike
Karrierën e tij profesionale e nisi në vitin 2017 si profesor i Teknologjisë Informative në shkollën ku kishte studiuar, në “Mehmet Isai”. Më pas, në vitin 2018, ligjëronte në Gjimnazin e Shkencave Natyrore “Xhavit Ahmeti”, ndërsa nga viti 2020 ndante përvojën e tij edhe me nxënësit e Shkollës së Mesme “Don Bosko” në Gjilan. Që nga viti 2019 ai u bë pjesë e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, fillimisht si asistent në programet Bachelor dhe Master, ndërsa nga viti 2025 ka marrë përgjegjësinë e ligjëruesit në programin Bachelor të Shkencave Kompjuterike. Ky zhvillim shënon një kapitull të ri në karrierën e tij universitare, duke forcuar rolin e tij si akademik dhe udhërrëfyes i gjeneratave të reja.
Përveç mësimdhënies, Pajtim Vela ka kontribuar edhe në botime akademike. Doracaku i tij “Jeta dhe Puna”, i botuar nga KEC dhe USAID për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që shërben si udhëzues i vlefshëm për mësimdhënësit e informatikës në gjimnazet e Kosovës. , ai është angazhuar në projekte me ndikim të madh shoqëror. Si ASSET Program Coordinator për Gjilan dhe Anamoravë, me mbështetjen e USAID, ai ka mentoruar të rinjtë në zhvillimin e aftësive për shekullin XXI, duke sjellë inovacionin dhe teknologjinë më moderne në qytet përmes Makerspace dhe Career Hubs.
Angazhimi i tij ka marrë vlerësime të shumta, por një ndër më të veçantat mbetet mirënjohja nga Ambasadori Amerikan Philip Scott Kosnett, i cili e falënderoi për rolin e tij në hapjen e Makerspace në Gjilan. Përveç kësaj, studentët dhe nxënësit e tij janë shpërblyer rregullisht në gara kombëtare, duke fituar çmime të para, të dyta dhe të treta, dëshmi kjo e përkushtimit dhe profesionalizmit që ai përcjell tek gjeneratat e reja.
Prof. Vela ka pasur gjithashtu një rol të rëndësishëm edhe në përgatitjen e të rinjve për sfida ndërkombëtare. Ai ka qenë trajner për testin SAT Math në Prishtinë, duke ndihmuar nxënësit kosovarë të synojnë universitetet më prestigjioze jashtë vendit. Në bashkëpunim me MASHT dhe GIZ-YES, ka fituar titullin si instruktor në vendin e punës duke trajnuar drejtpërdrejtë mësimdhënësit, duke i aftësuar ata me metodologjitë më moderne të mësimdhënies.
Sot, titulli Doktor i Shkencave në Shkencat Kompjuterike është kurora e punës së tij shumëvjeçare. Ai nuk është vetëm një sukses personal, por një kontribut i çmuar për arsimin në Kosovë. Përkushtimi, vizioni dhe dashuria e tij për teknologjinë e bëjnë një nga figurat më të rëndësishme të arsimit dhe një shembull frymëzimi për të gjithë të rinjtë që besojnë se dija është çelësi i suksesit.
Urime Prof. Pajtim Vela për këtë arritje të merituar, që e bën Gjilanin dhe Kosovën më krenarë!