OPINION

Prof. Shemsi Zuka një emër që la gjurmë të pazëvendësueshme si njeri i mirë dhe atdhetar

Në vend të përkujtimit

 

Shkruan : Zejnullah Rexhepi

 

U lind në fshatin Pozheran. Fshati të cilin unë e quaj, fshati i Shemsiut, për shkak se i përgjigjej një personaliteti siç ishte Shemsiu të quhet edhe fshati, fshati i Shemsi Zukës. Profi i    cili përcolli 40 gjenerata me një vullnet dhe pasion që do të mbetet në kujtesën e tyre si intelektuali shumë i devotshëm, jo vetëm për lëndën e fizikës që ishte i pa konkurrencë jo vetëm në anamoravë por në gjithë trollin e Republikës së Kosovës. Por edhe me angazhimin e tij për Liri e Pavarësi të Kosovës.

Profesori Shemsi  Zuka u lind në një familje atdhetare dhe me lindjen e tij nga prindërit, veçanërisht nga babai Rashiti, mori orientimin e Atdhe-dashurisë dhe mundë të them se kur u njoftua me vëllezërit dhe prindërit, ai u njoftua me vëllezërit Frashëri, Abdylin, Naimin, Samiun dhe Mithat Frashërin, pasiqë ai ata i gjeti në dhomë dhe në familje. Fotografitë e tyre zinin vend të veçantë në murin e odës së Rashit Zukës. Prindërit dhe të afërmit tjerë bisedonin për këta rilindës, me miq e musafir dhe bisedat që zhvilloheshin të bënin të mendosh se pjesëmarrës të bisedës ishin edhe vëllezërit Frashëri.

Këto biseda në tubimet me dashamirë e miq të dashur për Kosovën e robëruar, herët u ngulitën në mendjen e Shemsiut për të vazhduar punën liridashëse në lagje, shkollë, fshat,, studime si profesor, udhëheqës i  Lidhjes Demokratike dhe duke u pri të gjitha fushat me një trimëri, talent, besim të lartë sa mundë të them se ishte kulmi i këtyre në Anamoravë dhe i pranuar në elitën intelektuale të Kosovës si i tillë.

Shkollën fillore Shemsiu e kreu në Pozheran, në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme teknike në Ferizaj. Pastaj në vazhdim të shkollimit ai zgjodhi lëndën e Fizikës, ku u regjistrua në këtë degë pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore në Prishtinë, dhe me sukses të jashtëzakonshëm dhe notë mesatare mbi 8-të në afatin rekord kreu këtë fakultet dhe menjëherë në shtatorin e parë të diplomimit, si profesor i Fizikës u pranua në Viti pranë Gjimnazit  “Kuvendi i Lezhës”  dhe madje me të vazhduar punën e profesorit edhe në fshatin e tij të lindjes, Pozheran.

Profi Shemsi Zuka për dyzet vite ishte i pa vërejtje, punëtor i madh, profesionist kulmor, moralist i pa krahasuar dhe më kryesorja patriot i nivelit më të lartë. Ai ka qenë gjithherë në elitën atdhetare të fshatit dhe qytetit të Vitisë dhe si pjesëtar i kësaj elite intelektuale e patriotike ai vdiq. Vdiq për të mos vdekur kurrë, sepse ndërrim-jeta është e pranueshme për secilin, por ndërrim-jeta për të është pavdekësi.

Ai mbetet gjallë, te kolegët e punës si i pakontestueshëm, te nxënësit si profi më i çmueshëm dhe te elita politike si i pazëvendësueshëm. Sa të jetë  Vitia, sa të jetë Pozherani, e sa të jet Prishtina dhe pa mëdyshje sa të jet Kosova.

Shemsiu nuk njohu frikë as nga sëmundja e as nga vdekja, ai njohu idealet shqiptare dhe idealet njerëzore dhe mbi këtë bazë- themel ai u përqendrua kudo qoftë, i sëmurë në familje, Belgjikë, ai e kishte lirinë e Kosovës në gojë dhe në vepër deri në frymën e fundit të tij.

Ai  çmohej për këtë nga të gjithë shqiptarët dhe njerëzit, sepse e meritonte një respekt të tillë, respekt ky që e përcolli gjatë gjithë jetës por edhe pas vdekjes.

Kujtohet me epitet të lartë në kohën kur pati sëmundjen e veshkave, vëllai Hysniu por edhe të tjerët i thanë zgjedhe veshkën e cilit duash vëlla, ne s’ka gjë që na dhimbset për ty vëlla Shëmsi. Dhe ai me Hysniun shkuan në Belgjikë e transplantuan veshkën e Hysniut i cili ishte profesor i gjuhës shqipe.

Vëllezërit nuk kishin asnjë dilemë dhe me plotë guxim shkuan  sikur të shkonin për një vizitë atje. Aty Hysniu u pyet shpesh nga mjekët se mos kishte ndonjë presion?  Hysniu u përgjigj – “Po kam presion të madh, nuk po mund me e pritë kohën me u operua që t’ia jap veshkën vëllait, intelektualit, patriotit dhe njeriut shumë të dashur për ne, Shemsiut”.

Mjekët menjëherë ndërmorën hapin e operimit dhe ia dolën me plot sukses. Kjo ishte njerëzorja e Hysniut për Shemsiun, për patriotin dhe intelektualin e pashoq, për familjarin e pazëvendësueshëm, jo vetëm te  Zukajt, jo vetëm për Pozheran apo Viti por edhe në gjithë shqiptarinë, i cili mbeti një shembull eklatant.

Një shembull familjeje e vllaznie intelektuale, patriotike e njerëzore.

Unë shumë e çmoj këtë familje, unë shumë e çmoj babin e tyre, unë shumë i çmoj vëllezërit e tij, i çmoj Zukajt por më së shumti i çmoja përherë këtë tandem të madh, Shemsiun dhe Hysniun.

Lus të bëhen të fortë familja Zuka e veçmas vëllezërit e tij, se kishin vërtetë një vëlla për respekt, kishin vëlla që të gjithëve na ka lënë  humbje pa zëvendësim.

You Might Also Like