Gjilan, 2 qershor 2025 – Prokuroria Themelore në Gjilan njofton se pas veprimeve të koordinuara hetimore, janë ndaluar pesëmbëdhjetë (15) persona të dyshuar, me inicialet B.B., B.S., I.A., R.I., A.H., B.J., B.B., B.M., D.G., E.G., E.A., B.M., A.M., A.I. dhe Sh.M., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale ‘’Mashtrimi kompjuterik’’, sipas nenit 277 paragrafi 1, lidhur me nenet 31, 35 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ‘’Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’’, sipas nenit 301 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 dhe nenet 31, 35 dhe 77 të KPRK-së.
Prokuroria Themelore në Gjilan, njofton se të lartcekurit dyshohen se gjatë periudhës kohore janar – tetor 2024, në komunën e Vitisë, në bashkëpunim dhe ne marrëveshje paraprake ne mes vete kanë vepruar në mënyrë të organizuar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, duke ndërhyrë në funksionimin e sistemit kompjuterik të një institucioni bankar.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se të pandehurit kanë shfrytëzuar hapësirën kohore prej 15 sekondash gjatë sinkronizimit ndërmjet transaksioneve të E-Banking dhe ATM-ve, për tërheqjen e shumave të ndryshme të parave nga Raiffeisen Bank, duke shkaktuar dëm material në shumë prej njëqind e tetëdhjetë e gjashtë (186.000) mijë euro përmes mashtrimit dhe ndërhyrjes në sistemin kompjuterik të bankës.
Po ashtu, Prokuroria pas ndalimit të të dyshuarve, do të paraqet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale të cekura si më lartë.
Prokuroria mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që cenojnë sigurinë dhe integritetin e sistemeve financiare në vend.