Gjilan, 27 nëntor / Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka vlerësuar sot se gjendja e sigurisë në komunën e Gjilanit vazhdon të jetë e qetë dhe stabile, përderisa edhe numri i krimeve dhe keqbërjeve ka shënuar rënie në krahasim me muajt tetor-nëntor të vitit të kaluar.
Komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, majori Alban Ramushi, ka thënë se përgjithësisht, veprat penale kanë shënuar rënie në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit ë kaluar, përveç dhunës në familje, që ka një rritje të rasteve të raportuara.
Sa i përket rastit të dëmtimit të një pllake emërtuese në varrezat ortodokse, Ramushi ka thënë se hetuesit policorë janë duke punuar në këtë drejtim dhe ende nuk është arritur në një vlerësim përfundimtar, por tani për tani nuk duket që veprimi të jetë kryer nga ndonjë person i dyshuar.
Përndryshe, majori Ramushi ka njoftuar se nesër pritet të bëhet hapja e pikës kufitare në Stançiq, e cila do të lehtësojë lëvizjen komunikimin e Kumanovën dhe Maqedoninë e Veriut, në përgjithësi.
Halit Rexhepi, kryesues i KKSB, tha se për këtë situatë stabile duhet lavdëruar policinë e Gjilanit dhe qytetarët dhe i ka inkurajuar të dyja palët që të vazhdojnë bashkëpunimin e mirë në dobi të sigurisë, rendit dhe qetësisë publike.
Përndryshe, KKSB ka miratuar raportin e punës për vitin 2019 si dhe planin për vitin 2020.
Po ashtu KKSB miratoi kërkesën e FSK-së për zëvendësimin e përfaqësuesit të saj të deritashëm, Afrim Xhelili me an[tarin tjetër, Shqipdon Kastrati.